SYRI TV/ Bashkitë e Fierit rikthejnë pagesat për inceneratorin e Zotos

11:25, 09/06/2023
A+ Aa A-

Bashkitë e qarkut të Fierit kanë rikthyer pagesat për inceneratorin e Klodian Zotos. Në datat 30 dhe 31 maj, bashkia Fier dhe Lushnjë, kanë transferuar rreth 2.6 milionë lekë në llogari të inceneratorit të Fierit, i cili është i sekuestruar nga SPAK dhe nuk është vënë në funksion. Syri Televizion paralajmëroi në muajin prill, se bashkitë po përgatiteshin për të paguar 12 euro për ton për depozitimin  e mbetjeve urbane në inceneratorin e Fierit

SYRI TV

Ashtu siç paralajmëruan në fund të muajit mars, bashkitë e qarkut të Fierit kanë rikthyer pas gati një viti mungesë, pagesat për inceneratorin e papërfunduar të Fierit. Konkretisht, bashkia e Lushnjës dhe ajo e Fierit, kanë hapur siparin e transfertave financiare nga buxheti i tyre në llogaritë e kompanisë Integrated Technology Waste Treatment në Fier, në pronësi të Klodian Zotos, që ka ndërtuar inceneratorin e Fierit, i cili vijon të jetë nën sekuestro nga SPAK.

Bashkia e Fierit ka kryer dy transferta financiare në llogari të inceneratorit në datat 30 dhe 31 maj, me vlerë totale rreth 1.3 milionë lekë të reja, me qëllim depozitimin e mbetjeve urbane në këtë incinerator. Po në datën 31 maj, bashkia e Lushnjes ka arkëtuar rreth 1.3 milionë lekë të reja për llogari të inceneratorit të Klodian Zotos në Fier, me qëllimin e njëjtë, depozitimin e mbetjeve urbane në këtë landfill, duke paguar rreth 12 euro për ton.

Pagesat për inceneratorin e Fierit kanë nisur në të njëjtën ditë që punonjësit e këtij objekti kanë nisur protestat për shkak të mos marrjes së pagave prej pesë muajsh. Pas grevës së punonjësve, që kanë refuzuar të lejojnë depozitimin e mbetjeve në incinerator, bashkitë kanë rikthyer në funksion landfillet e vjetra ku prej ditësh janë duke hedhur mbetjet urbane. Të njëjtën gjë pritet të bëjnë të gjitha bashkitë e tjera të këtij qarku, të cilat prej një viti depozitojnë mbetjet e tyre urbane në landfillin e inceneratorit të Fierit, i cili nuk është vënë ende në funksion.

Syri Televizion paralajmëroi në muajin prill se bashkitë po përgatiteshin të rikthenin pagesat për inceneratorin e Klodian Zotos, pasi transfertat nga buxheti i shtetit u ndalën në muajin korrik të vitit 2022, për shkak se inceneratori i Fierit u vu nën sekuestro nga SPAK.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco