SYRI TV/ SPAK reagon për arrestimin e Vangjush Dakos: Shpërdoroi detyrën në dy procedura

22:13, 07/06/2023
A+ Aa A-

Vangjush Dako e kaloi në qelitë e Bllokut të Sigurisë natën e parë të arrestimit për shpërdorim detyre.

Ndërkohë, Prokuroria e Posaçme doli pas 24 orësh me një njoftim zyrtar mbi operacionin me 6 të arrestuar dhe 4 në kërkim.

SPAK ka renditur disa nga veprimet e Dakos dhe bashkëpunëtorëve të tij në dy raste, që i çuan prapa hekurave.

Hetimet treguan se miliona lekë humbën taksapaguesit durrsakë nga zyrtarët e tyre, që firmosnin tendera fiktiv dhe leje abuzive pallati me kate shtesë, kundër ligjit.

SYRI TV

Pasi Vangjush Dako kishte kaluar 24 orë nga qëndrimi në qelitë e bllokut të sigurisë pranë “Rrugës Mine Peza”, Prokuroria e Posaçme ka reaguar zyrtarisht për operacionin me 10 urdhër arreste, 7 me arrest në burg dhe 3 në arrest shtëpie, prej të cilëve janë ekzekutuar 6. Urdhërat e arrestit me burg janë ekzekutuar për:

PERSONAT E ARRESTUAR:

Vangjush Dako
Fiqiri Farruku
Adriana Bulgu
Adnand Toçila

Është ekzekutuar urdhëri për qëndrimin në shtëpi ndaj”

ARREST SHTËPIE:

Meri Semini
Ferzilet Hajderi

Ndërkohë, mbeten ende në kërkim shtetasit:

Ermal Lama, arrest në burg
Adlei Likmeta, arrest në burg
Fatmir Jeupi, arrest në burg
Diana Dedaj, arrest në shtëpi

Për faktin e parë penal, atë të abuzimit për ti hapur rrugë ndërtimit të një pallati në Durrës, SPAK bën me dije se kërkesa për ndëritmin e tij është bërë në Maj të vitit 2010, për një objekt 7-katësh. Më 10 Shtator 2010 nga K.RR.T. pranë Bashkisë Durrës, miratuohet vendimi për miratimin e destinacionit të sheshit të dhe leja e ndërtimit.

“Pasi subjekti ka filluar punimet, në datën 20 Dhjetor 2010, ka paraqitur kërkesë për rikondicionim dhe shtesë të katër kateve të objektit, dhe me vendimin e K.RR.T. Pranë Bashkisë Durrës të datës 28 Shtator 2011, kërkesa e tij për kate shtesë është miratuar, por formulari i lejes së ndërtimit, nuk është nënshkruar nga ish-Kryetari i Bashkisë Durrës dhe Ish Kryetari i K.RR.T – së, duke bërë që akti administrativ të mos merrte fuqi juridike”

Por pavarësisht se zbardhja e vendimit zgjati më shumë se dy vite, sipas Prokurorisë, ndërtuesi ka përfunduar ndërtimin e pallatit 10 kate plus papafingo dhe nga Gusht 2012-Mars 2013 të gjitha apartamentet e porositura ishin të banuara, teksa në gjetjet e SPAK evidentohet edhe konstatimi i autoriteteve por që nuk janë përfillur nga kryebashkiaku i kohës.

“Gjatë ndërtimit të kateve V e vijues, I.N.U.V. pranë Bashkisë Durrës, ka vënë në dijeni Kryetarin e Bashkisë Durrës, se pallati nuk po ndërtohej sipas projektit të lejes së parë, por sipas projektit të miratuar me lejen e dytë, e cila ende nuk kishte hyrë në fuqi/nuk ishte zbardhur”.

Leja e ndërtimit të pallatit e firmosur nga kryebashkiaku i kohës Vangjush Dako, shefi i urbanistikës Adhurim Qehejaj dhe zyrtarët e tjerë, zbardhet 1 vit e gjysmë pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banohej çdo apartament i tij. Kjo procedurë sipas prokurorit Sotir Kllapi që kërkoi arrestimin e zyrtarëve, do duhet të ishte nënshkruar para fillimit të ndërtimit dhe gjatë zbatimit të punimeve. Pavarësisht kësaj, shkelja thellohet pasi pallati nuk është ndërtuar as sipas projektit të miratuar me lejen e dytë, duke iu gjetur mangësi në zbatimin e punimeve, pavarësisht se kolaudatori pretendon të kundërtën. Me gjithë shkeljet e mësipërme, Drejtoria e Planifikimit të Territorit, miratoi  certifikatën e përdorimit, duke ia përcjellë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, dhe nëpërmjet të cilës është siguruar regjistrimi i pronës. Në muajin Nëntor 2019, pallati është dëmtuar nga tërmeti duke u shpallur si i pabanueshëm.

Fakti i dytë penal i hetuar nga SPAK ka të bëjë me një tender me titull  “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Në këtë rast, Vangjush Dako ngriti një grup pune i përbërë Diana Dedja, Adnand Toçila, dhe shtetasit A.Q dhe B.S të cilët janë nën hetim.

 “Është shpallur procedura e prokurimit me fond limit 21.000.000 lekë, të përcaktuar dhe në urdhrin e prokurimit të nënshkruar nga personi nën hetim Vangjush Dako. Në fund të procedurës, është shpallur fituese Shoqëria “XXX sh.p.k.”. Në muajin Maj 2015, sipas një audimi të KLSH-së, konstatohet parregullsi e përllogaritjes së fondit limit, duke i lënë detyrë administratës së Bashkisë Durrës që të rikuperojë dëmin ekonomik. Por nga kjo e fundit jo vetëm që nuk janë marrë masat përkatëse, por në Muajin Dhjetor 2015, ka të dhëna se është bërë pagesa edhe e 40% të vlerës së mbetur nga kontrata, duke i shkaktuar Buxhetit të Bashkisë Durrës një dëm ekonomik prej 18.000.000 Lekë” .

Vangjush Dako nuk e ka pritur mirë arrestimin, duke pretenduar se ai i është përgjigjur gjithnjë drejtësisë, dhe mund ta bënte edhe në këtë rast pa nevojën e një mase të tillë shtrnëguese si arresti në burg. Ai priti të martën në Bllokun e Sigurisë, avokatin e tij Petrit Ismaili, teksa ky i fundit, nuk preferoi të komentonte qëndrimin zyrtar që kishte klienti i tij rretha akuzave të SPAK. Të mërkurën, bashkë me të arrestuarit e tjerë, ish-kryebashkiaku i Durrësit, pritet të dalë para Gjyqtarit Erion Bani dhe prokurorit Sotir Kllapi për tu njohur me masat e sigurisë marrë në mungesë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco