Kush e ndau Mitrovicën?

Kush e ndau Mitrovicën?

22:25, 26/05/2023
A+ Aa A-

Kush e ndau Mitrovicën?! Ishin trupat franceze apo protagonistët e politikës vendase?! Kjo është pyetja që bëjnë të gjithë edhe pas një çerek shekulli nga trazirat, mbi urën e lumit Ibër, simbolin që ndau shqiptarët e Kosovës të vendosur në jug dhe ata serbë, në pjesën veriore dhe sigurisht qëndrimet nga palët janë të ndryshme. Emir Azemi, një qytetar i pjesës jugore të Mitrovicës shprehet se asokohe, pengesa kryesore ishin trupat franceze.

‘Kur kthehemi ballafaqohemi me një pyetje nga KFOR-i Francez te ura e Mitrovicës e dy pjesëve të qytetit, ata na kërkojnë dokumente. Kishin krijuar përshtypjen që kjo pjesë është e serbëve. Serbët kishin arritur t'i bindnin forcat ndërkombëtare se ata janë shumicë dhe po rrezikoheshin nga qytetarët e jugut të Mitrovicës. Me fillimin e futjes së forcave ndërkombëtare në Kosovë, rigrupohen serbë nga Prizreni, Peja, Prishtina e Gjakova, në veriun e KS. Shumica e shqiptarëve ishin dëbuar në prona të tjera. Në këtë farë kaosi, serbët përfituan dhe u bënë një numër më i madh’, shprehet Azemi.

Ishin tanket franceze, që dolën mbi urën e ‘Ibrit’ dhe morën pozita vendimtare. Një fakt të tillë e pranon edhe vetë komandanti i forcave speciale franceze, Zhak Hogar, i cili më vonë publikoi edhe një libër me titull ‘Europa vdiq në Prishtinë’.  Ai deklaron se kur arritën në Mitrovicë, situata ishte emergjente. Hogar pohon edhe afeksionin familjar ndaj popullatës serbe dhe tregon se si negocioi me oficerët e Beogradit, për futjen e trupave franceze. Pas kësaj marrëveshje, 7000 trupa franceze u vendosën në sektorin perëndimor në Mitrovicë. Ata u përforcuan me një kontingjent prej 1200 trupash nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe një numër të vogël trupash daneze. Pikërisht në vitin 1999, kur KFOR-i francez ishte vendosur në urë, ndodhi edhe dëbimi i madh i shqiptarëve nga pjesa veriore e Mitrovicës dhe vrasja e dhjetërave prej tyre.

Sot situata mes dy qytezave vijon të jetë ende e brishtë. Sapo kalon në anën veriore të lumit, zhduket çdo gjurmë e Kosovës. Duket se serbët e veriut janë nën kontrollin dhe dominimin e Serbisë dhe komunikimi i tyre me Prishtinën është i vakët, për të mos thënë inekzistent. Në këtë anë të urës edhe perceptimet banorëve mbi ndarjen e qytetit janë të ndryshme.

‘Ata në veri pas vitit 1999, urën e kanë parë si pozicionin e fundit të mbrojtjes së tyre, në mënyrë që edhe ajo pjesë e mbetur e serbëve të mos shpërngulet nga Kosova, pasi që ishte nënshkruar marrëveshja e Kumanovës. Pra, njerëzit këtu konsiderojnë se sikur të mos ishte rezistenca e vetorganizuar e qytetarëve në veri të Kosovës në vitin 99, serbët në veri do të përndiqeshin nga ky territor’, shprehet Sanja Sovrlic, një banore e Mitrovicës jugore.

Një tjetër banor i veriut mendon se shkaktarë të ndarjes së qytetit janë udhëheqësit shqiptarë të Kosovës: ‘Mitrovica është ndarë sepse udhëheqësit shqiptarë e kanë ndarë. Serbët janë përfolur sikur janë ata në mbrojtje të urës, por kjo nuk është e vërtetë. Thjesht ka serbë të cilët banojnë këtu dhe nuk dinë nga të shkojnë.  Kush ka pasur mundësi ka ikur në Serbi, kush jo, ka mbetur këtu në Mitrovicën e Kosovës’.

Më t’u kthyer sërish në anën jugore të qytetit, ka edhe qytetarët akuzojnë politikanët vendas, përveç faktorit ndërkombëtar: ‘Mitrovica u nda për dy faktorë: faktorit ndërkombëtar dhe vendor. Kanë pasur mundësi ta kryejnë këtë pas luftë. Vendorët s'kanë punuar sa duhet’, thotë Burhan Maxhuni.

Hashim Thaçi, udhëheqësi politik i asaj kohe është shprehur se evitoi një konflikt të armatosur mes palëve, që do të çonte në luftë civile. Gjithashtu, ai pohoi se fajin për ndarjen e Mitrovicës e kishte bashkësia ndërkombëtare. Ndërkohë që rajoni mbetet në një gjendje statuskuoje, në pritje të një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, e ardhmja e qytetit të Mitrovicës nuk jep shpresa për një perspektivë të ndritshme, duke na dhënë një shembull të qartë, që paqja është ende larg.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco