Shqiptarëve dhe Shqipërisë, përveç shpresës u duhet guxim!

21:23, 26/05/2023
A+ Aa A-

Nga Florjan Binaj

Prezantuesi i emisionit investigativ ‘Piranjat’, në SYRI TV, Florjan Binaj u bën thirrje shqiptarëve përmes monologut të tij të kenë guxim, të gjejnë guxim për të denoncuar korrupsionin e një shtetit të kalbur. Një shtet që e mban në këmbë frika e qytetarëve dhe e zyrtarëve të cilëve u mungon kurajoja për të denoncuar haptazi të vërtetat e shkeljeve që pësojnë qyetetarët e këtij vendi çdo ditë.

‘Sot po tirren biseda të gjata televizive në përpjekje për të shpjeguar se çfarë nuk shkon me Shqipërinë, me shqiptarët, pse jemi kështu siç jemi, e çfarë duhet bërë. Por, askush nuk ka arritur ta thotë më saktë atë çfarë i nevojitet shqiptarëve, sidomos shqiptarëve brenda kufinjve të Shqipërisë, sesa ky fjalim i Albin Kurtit. Shqiptarëve dhe Shqipërisë përveçse u duhet shpresë, për të cilën kam dyshimet e mia nëse vdes e fundit, mbi të gjitha, u duhet guxim. 5 gërma, GUXIM!!!

Atyre që nuk guxuan të dalin nga shtëpia për të votuar, atyre që dorëzuan kartat e identitetit, atyre që patën frikë se do hiqeshin nga puna, atyre që flasin me zë të ulët, atyre që ulin kokën nga frika se mund t’u çojnë në derë tatimet... Atyre që po ikin drejt Gjermanisë sepse shpresa u ka vdekur, u duhet guxim. Guxim – për të ndenjur këtu, ku Shqipëria ka nevojë për ta.

Sa njerëz kanë informacion sesi shkelet ligji e abuzohet me shtetin, e nuk flasin? Sa njerëz janë aty ku qarkullojnë planet e shkresat ku copëtohet e grabitet Shqipëria, dhe mbyllin sytë?

Janë me qindra njerëzit që denoncojnë tek ne abuzime të panumërta, dhe kur na shkruajnë, firmosin me fjalinë: ‘Anonim të lutem’. Abuzimi po bëhet me ta, me pronat e tyre, me punën e tyre, me familjarët apo me të njohurit e tyre, publikisht, në ditën për diell dhe ata nuk kanë kurajën as që t’i vendosin emrin denoncimit të vet?! Nuk kanë guxim të shkruajnë as nga profili i tyre por hapin profile të përkohshme nga frika e përgjimit?!

Po pse, gazetaret e gazetarët tanë të PIRANJAVE me maska dalin? Po ne që prezantojmë dalim të maskuar? Prezantues anonim? Liria nuk fitohet me anonimë, dhe shteti i së drejtës nuk rikthehet me njerëz që kanë frikë.

Shqipëria ke nevojë për rikthimin e guximit.

Nëse jo një, po 40 vetë do merrnin guximin të denoncojnë korrupsionin, vjedhjet e abuzimet në 40 institucione të shetit, ky shet i kalbur do të bjerë, sepse aq shtylla ka.

Fushata #metoo, filloi me një grua të vetme, të abuzuar. Pas saj u ngrit një tjetër, pas saj një tjetër, pastaj dhjetëra të tjera, e më pas qindra e mijëra. Tani, pas #metoo-së çdo grua në perëndim është më e sigurt dhe burrat me pushtet do mendohen mirë para se të abuzojnë.

Ka ardhur koha t’u rikthejmë njerëzve guximin. Guximin për tja përplasur të vërtetën në sy kujtdo që mendon po qeveris një popull të verbër, të shurdhët dhe të mekur…

Ne jemi këtu, duke i shkuar plagëve deri në fund, duke u përpjekur me guxim që me ndërgjegjsim ti shërojmë këto plagë e jo ti zbukurojmë!

Ne do t'i marrim denoncimet tuaja e do luftojmë për ti nxjerrë në dritë. Ju vetëm merrni guximin të denonconi, dhe do ta shihni se nuk jeni vetëm.

E pasi të guxojmë të gjithë bashkë, atëherë shpresa lind sërisht dhe gjithçka do të jetë ndryshe.

Sepse siç thonte Fyodor Dostoyevcky: "Mënyra më e mirë për të mos lejuar një të burgosur që të kërkojë lirinë, është t'i krijosh përshtypjen se ai nuk po jeton në burg"!

Sot nuk ka nevojë të dhuroni jetën, sot më shumë se kurrë, ka nevojë që me guxim të thoni të vërtetën!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco