Qeveria e Ramës u zotua para Arbitrazhit se do të paguante Becchettin

Qeveria e Ramës u zotua para Arbitrazhit se do të paguante Becchettin

15:56, 24/05/2023
A+ Aa A-

Një vendim i Gjykatës së Apelit në Bruksel, i cili la në fuqi bllokimin e 65 milionë eurove të Albcontrol për llogari të Francesco Becchettit zbulon një prapaskenë të fortë në konfliktin mes qeverisë shqiptare dhe biznesmenit italian.

Në vitin 2021, qeveria shqiptare u zotua zyrtarisht para Gjykatës së Arbitrazhit në Uashington se nëse do të humbiste apelin, do të paguante gjobën ndaj biznesmenit italian.

Vendimi i parë në çështjen Hydro kundër Shqipërisë u dha në prill të vitit 2019. Përmes tij, ICSID e dënoi Shqipërinë me 108 milionë euro gjobë plus interesat për shpronësim të padrejtë të televizionit Agon Channel.

Por pak muaj më pas, në gusht të vitit 2019, qeveria e apeloi vendimin në të njëjtën gjykatë duke kërkuar anullimin e gjobës. Gjatë gjyqit të apelit në Uashington, qeveria shqiptare është zotuar zyrtarisht para gjykatës së arbitrazhit se nëse do të dështonte me anullimin e vendimit, atëherë do të paguante plotësisht gjobën ndaj Beçhettit sipas vendimit të gjykatës.

Gjyqi për anullimin e gjobës përfundoi në prill të vitit 2021. Qeveria e humbi gjyqin, pasi gjykata e arbitrazhit e la sërish në fuqi gjobën. Pas këtij vendimi Francesco Becchetti shkoi në Bruksel dhe bllokoi të ardhurat e Shqipërisë nga hapësira ajrore.

Image

Apeli i Brukselit mban të bllokuara paratë

Pas bllokimit të llogarive të Shqipërisë në Eurocontrol, qeveria shqiptare e çoi cështjen në gjykatë. Shkalla e parë e Gjykatës Frankofone të Brukselit i dha të drejtë biznesmenit italian të mbaj të bllokuara paratë e Shqipërisë.

Qeveria shqiptare e apeloi vendimin në Gjykatën e Apelit të Brukselit. Dhjetë ditë më parë, në datën 15 maj, Gjykata e Apelit të Brukselit ka vendosur sërish në favor të biznesmenit italian. Të ardhurat e Shqipërisë në Eurocontrol do të mbeten sërish të bllokuara për llogari të Francesco Becchettit. Zotimi i qeverisë shqiptare në Uashington se do të paguante plotësisht gjobën ndaj Becchettit nëse humbte gjyqin për anulimin, ishte një nga arsyet kryesore se pse Gjykata e brukselit i zhveshi të ardhurat e Shqipërisë në Eurocontrol nga imuniteti sovran.

Sipas Global Arbitration Review, revistës prestigjoze që gjurmon konfliktet e arbitrazheve, deri tani biznesmeni italian ka grumbulluar dhe mban të bllokuara 65 milionë euro të ardhura që duhet t’i merrte Albcontrol dhe shifra sa vjen e rritet.  /Oligarkia.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco