KAFE SHQETO/ Koka: 5 pyetjet publike për Veliajn presin akoma përgjigje!

10:43, 23/05/2023
A+ Aa A-

Një ditë pasi gjykata vendosi të pushojë padinë e ngritur nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kundër analistit Bledian Koka, ky i fundit deklaroi sot se mbyllja e seancës ngre shumë pikëpyetje të tjera lidhur me investigimin e bërë në drejtim të Veliajt nga emisioni “Piranjat”.

“Por, kur ne nuk kemi hapa fillestarë nga ana e SPAK, - nënvizoi Koka, - për faktin që Erion Veliaj ka vendosur që të firmosë në emër të Këshillit Bashkiak, në emër të Këshillit të Qarkut, duke anashkaluar të gjitha strukturat që duhej të votonin për çështjen e inceneratorëve... Ky është treguesi që këtu drejtësia ka vetëm një anë të medaljes dhe pas 14 majit, situata do të bëhet shumë keq. Zgjedhjet e 14 majit ishin një mesazh i keq edhe për drejtësinë.”

Ndiqni intervistën e plotë të z. Bledian Koka, Drejtor Informacioni në SYRI TV me gazetarin Flavio Qarri sot, në emisionin “Kafe Shqeto”.

Kafe Shqeto: A ndihet fitues Bledian Koka këtë mëngjes lidhur me këtë çështje?

Bledian Koka: Është një mëngjes si gjithë të tjerët, nuk ka lidhje aspak me atë që ka ndodhur dje. Ajo e djeshmja ishte fundi pa lavdi i një akti të turpshëm, i një provokimi të panevojshëm nga ana e një njeriu, i cili është çertifikuar si gënjeshtar publik për premtimet që u ka bërë 1 milion qytetarëve shqiptarë dhe më akuzon mua, më padit “për shpifje” vetëm se unë, gazetari Bledian Koka, kam bërë një intervistë. Mund të duket si një lloj qurravitjeje imja etj. etj. por padia kryesore ose fjalia e vetme, e cila më padiste mua në atë aktpadi paçavure, të turpshme, që kishte depozituar në gjykatë, ishte se unë gjatë intervistës së shtetasit italian Gabriele Tarroni Longinotti , kisha bërë pyetje provokative!!! Pyetje tendencioze!!!

Pra, kur unë pyes zotin Gabriele Tarroni Longinotti që a jeni takuar ju me Erion Veliajn, kjo konsiderohet si pyetje tendencioze në këtë padi. Ama po të kisha thënë unë”zoti Longinotti , z. Erion Veliaj është shumë djalë i mirë, shumë punëtor, pse ju guxoni që ta padisni, që ta përmendni atë”, kjo nuk do të ishte pyetje tendencioze!!! Po e bëj këtë sintezë për të kuptuar, për t’i thënë qytetarëve të kuptojnë se çfarë konsiderohet nga regjimi aktual pyetje tendencioze dhe çfarë nuk është pyetje tendencioze. Nëse këta ti i lan e i lyen, ti je gazetar.  Ama, nëse në qoftë se bën ndonjë pyetje dhe ngre ndonjë dyshim që i bën sadopak pis fasadën e tyre, atëherë ti je njeri që duhet të paditesh!!! Gjithsesi, padia ishte idiotësi e madhe sepse nuk kishte bazë, edhe juristi më profan, gjykatësi më profan nuk mund ta merrte në konsideratë.

Ishte qartësisht ajo që tha avokat Dorian Matlija, një padi “slap”, një padi shpullë siç  quhen këto në Bashkimin Evropian. Janë këto tendencat e reja kryesisht midis politikanëve dhe medieve, përdoret si model ndoshta për të intimiduar, ndoshta për t’i thënë publikut unë s’kam frikë nga përballja dhe në fund fare, nuk ka ndonjë vlerë.

Po ta demantosh praktikisht, z. Veliaj dhe trupa e tij juridike kanë pranuar që puna që unë kam bërë, intervista që kam dhënë dhe emisioni që është transmetuar nga  “Piranjat” nëpëmjet valëve të SYRI TV, ka të vërteta brenda.  Në qoftë se ata do të ishin prekur kaq shumë nga  disa deklarata që janë vërtet të forta nga z. Longinotti, atëherë ata do të duhej të kishin vazhduar ose pretenduar që janë të rreme; teknikisht duhej ta vazhdonin seancën. Kështu që, mbyllja e seancës ngre shumë pikëpyetje të tjera. Gjithsesi, këtu do të jemi.

Kafe Shqeto: Pushimi i kësaj çështjeje për shpifje vërteton argumentin tënd që ke bërë një intervistë. Sa i takon përmbajtjes së asaj interviste dhe deklaratave të z. Longinoti, çfarë ndodh me to, a ka një hetim paralel? A po i ndjek SPAK disa nga ato deklarime?

Image

Bledian Koka: Normalisht do të duhej që Struktura e Posaçme Antikorrupsion mund t’i niste hetimet e veta edhe kryesisht. Unë mendoj që në SPAK, komisioni hetimor parlamentar ka publikuar dokumente e po të doni, edhe deklarata personale të Erion Veliajt që janë shumë herë më të rënda dhe përbëjnë për mendimin tim përbëjnë vepër penale, për t’u hetuar nga ana e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.  Ndërkohë, ka intervista, ka edhe deklarata që jo domosdoshmërisht do të duhet të hetohen, por që mund t’i japin publikut të kuptojë kontekstin në të cilin ka ndodhur një ngjarje ose përfshirjen e një personi me persona të tjerë, që ndoshta akoma nuk kanë dalë në dritë, por janë aty e tregojnë një përfshirje akoma më të madhe.

Në një moment të caktuar kjo që ka thënë Longinotti mund të shpërfaqet shumë herë më e madhe se aq sa ka thënë Longinotti, por kur ne nuk kemi procedura, nuk kemi hapa fillestarë nga ana e SPAK për faktin që Erion Veliaj ka vendosur që të firmosë në emër të Këshillit Bashkiak, në emër të Këshillit të Qarkut duke anashkaluar të gjitha strukturat që duhej të votonin për çështjen e inceneratorëve  dhe është e pamundur - është afërmendsh që s’mund t’i kërkosh SPAK që shiko  se kemi bërë edhe ne një intervistë dhe merre hetoje!

Pra, këtu s’po hetohet gjëja që ulërin, që është kundravajtje penale me fytyrë, me vulë, me firmë dhe imagjino të pretendosh “shiko, se ka dalë edhe një italian që thotë se Erion Veliaj, lidhjet e tij, mund të shkojnë deri në Iran”!

Pra, është shumë për të pretenduar, por është thesht treguesi që këtu drejtësia ka vetëm një anë të medaljes. Unë mendoj se pas 14 majit, qytetarët duhet të bëhen gati për këtë, situata do të bëhet shumë keq. Zgjedhjet e 14 majit ishin një mesazh i keq edhe për drejtësinë sepse drejtësia dhe bandat kriminale janë si puna e bretkosës që ndiejnë lagështirën dhe zakonisht shkojnë pas pushtetit.

Sado ta reformosh, sado ta bësh të pavarur, në fund fare politika ndikon, arrin të ndikojë dhe të diktojë vendimet dhe qasjet dhe aksionet juridike që duhet të marrë drejtësia. Unë mendoj se vështirë se mund të kemi përgjigje për gjëra shumë më kardinale, jo për gjëra që janë sqimatare, por që duhej po të kishte drejtësi, të hetoheshin edhe ato që ka thënë Longinotti.

Kafe Shqeto: Sa i takon raportit tuaj me z Veliaj, a patët ndonjë komunikimin personal?   

Bledian Koka: Po, patjetër, unë i kam dërguar 5 pyetje publike, që ia kam bërë në mënyrë publike dhe ia kam dërguar edhe në e-mailin e tij personal në bazë të deklaratave që ka bërë zoti Longinotti. Pesë pyetjet vlejnë akoma dhe kanë nevojë akoma për përgjigje nga z. Erion Veliaj. Mungesa dhe mosprania e tij në gjykatë dhe mosprania e avokatëve, praktikisht pushimi i çështjes sipas Kodit të Procedurës Penale mendoj se janë një përgjigje në vetvete për pyetjet që unë i kam bërë z. Veliaj, por për këto pyetje dhe përgjigje, z. Veliaj nuk më detyrohet vetëm mua dhe opinionit publik, por dikur e jo shumë larg duhet t’i japë edhe para drejtësisë./ar.sh/SYRI.NET

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco