'Vrasjet dhe nevoja për terapi kolektive'

'Vrasjet dhe nevoja për terapi kolektive'

12:57, 17/05/2023
A+ Aa A-


"Bosko Jaksic shkruan për Serbinë, por mundesh fare mirë ta zëvendësosh me Shqipërinë dhe nuk po shmangesh asnjë grimë nga e vërteta" - Sugjerim nga Alfred Lela.
 

Nga Boshko Jakshiç, analist nga Beogradi

Tejmbushja e shoqërisë me energji negative zgjat prej dhjetëvjeçarësh. Dhe nuk është vetëm Serbia kësisoj, por rrallë ndonjë vend shtron pyetjen: përse na ndodh kështu prej dhjetëvjeçarësh? Ka të drejtë kryeministrja Ana Brnabiç kur, duke reaguar ndaj tmerreve sociale për të cilët jemi dëshmitarë, shprehet se nuk mund të thuhet se sistemi ka dështuar. Jo, sistemi nuk ka dështuar, ai është i gjallë që ç’ke me të dhe funksionon rrezikshëm dhe prej një kohe të gjatë sikur vendet të jenë dënuar të mos e presin fundin e tranzicionit. Sot jemi të shushatur nga këto manifestime dhune, por do të ishte befasi më e madhe që të tilla të mos kishte në një shoqëri e cila, me vetëdije ose pavetëdije, po shtyhet drejt ekstremeve.

Lartësimi i vlerave të gënjeshtërta

Serbia është shndërruar në tenxhere me presion nëpërmjet shmangies sistematike të reformave demokratike, promovimit të patriotizmit të rrejshëm, shovinizmit, partitokracisë, frikësimit, korrupsionit endemik, tolerancës ndaj kriminalitetit të organizuar, dhunës dhe telasheve të tjera, sistemit gjyqësor të nënshtruar, sistemit arsimor të lënë pas dore, mediave të kontrolluara dhe lartësimit, nëpërmjet tabloideve, të vlerave të gënjeshtërta dhe antiheronjve, supremacisë së atleteve “Nike” ndaj një libri të lexuar të Tolstoit. Mbi të gjitha jomorali që ofrohet si moral.

Askush nuk mund t’i shmanget fenomenit galopant të neurozave të përgjithëshme. Vetëm se jo të gjithë janë njësoj rezistentë ndaj virusit të infeksionit social. Disa arrijnë ta gjejnë veten më mirë duke vrapuar në enklavën e familjes ose miqve, duke ndërtuar rreth vetes një mur mbrojtës nga shoqëria në të cilën jeton. Vetëizolimi si përpjekje e shpëtimit individual, por jo shpëtim i shoqërisë. Askush nuk ka sesi të jetë i lumtur, madje edhe i shëndetshëm në një shoqëri të sëmurë mendërisht. Të tjerë qëndrojnë të papërgatitur në kryqëzimin e erërave derisa energjia negative i godet si puna e cunamit teksa presin të punësohën, në qarkullim, me rastin e shtyrjes së një vizite mjeksore, kur rregjistrojnë fëmijën në shkollë apo çerdhe. Rritet nervozizmi i përgjithëshëm i cili dikur do të gjejë ekzekutorët e tij.

Fajtor i sistemit është individi N.N. Mbulesë për ikje të vazhdueshme nga përgjegjësia. Fajtor është Perëndimi që dëshiron të asgjësojë serbët, fajtore është Lindja që na shet autokracinë, fajtorë janë shqiptarët e Kosovës që na kanë rrëmbyer tokën dhe fqinjët e  tjerë që na kanë lakmi për sukseset tona.

Fajtor është pushteti dhe hajdutët që i mbajnën duart në xhepat e popullit. Fajtor është si me diagnozë. Fajtore është opozita. Fajtorë janë ata që hedhin në publik lajme të rreme ose ata që tentojnë të përhapin të vërtetat. Fajtor është gjykatësi që ka frikë hijen e vet ose polici i korruptuar, profesori që më urren, mjeku që pret t’i japim diçka nën dorë ose infermierja e tij fodulle, fajtor është ai me xhip ose ky komshiu që është përherë i ngrysur...

Nuk ka fund. Gjithmonë është fajtor dikush tjetër. Vetëm unë nuk jam fajtor. Të gënjyerit e vetvetes shumëzohet e kësisoj bëhet format i përgjithshëm. Kështu duhet. Për shkak të punës, sigurisë personale, atletet e përmendura “Nike”. Duhet të them se dikush më detyroi, për këtë nuk kam rrugë tjetër. Do të përpiqem të ndryshoj. Dua por nuk mundem, sepse nuk dua. Do t’i përcaktoj prioritetet e mia. Është e dhimbshëm ky kontinuitet i refuzimit të përgjegjësisë, por asgjë nuk ndodh rastësisht. Ligjësitë ekzistojnë për të gjithë. Shkencat shoqërore do të vërtetojnë qartë se një sjellje e caktuar shpie në dukuri të caktuara sociale. Sa më shumë të zgjaten në kohë tensionet, pasoja do të jenë shkaterrimtare.

Mbushja e shoqërisë me energji negative zgjat prej dhjetëvjeçarësh. Dhe nuk është vetëm Serbia kësisoj, por rrallë ndonjë vend shtron pyetjen: përse ndodh kështu prej dhjetëvjeçarësh?

Si u derdh kaq shumë e keqja mbi tërë shoqërinë duke vënë nën thundër të gjithë segmentet e saj? Si na u bë kështu Serbia e cila pushoi së respektuari dijet dhe përbuz mësuesit nëpër shkolla, e cila nga sjellja e përditëshme ka flakur tej fjalët “më fal” ose “Mirëdita komshi”? Dhe të gjithë atë që erdhi më pas?

Një shoqërie të tillë i nevojitet terapi kolektive. Vrasjet masive duhet të shërbejnë si inicim i një katarsisi të përgjithshëm. Do të duhej, por përse kjo tragjedi apo të tjera të ngjashme me të, kanë qenë shkaku i tyre?

Asgjë në Serbi nuk është mbyllur me luftërat dhe bombardimet. Duket se opinioni publik nuk njihet me të vërtetën e plotë. Në Bosnjë e Hercegovinë me 5 maj ishte Ditë zie për viktimat në shkollën “Vlladisllav Ribnikar”. Por kjo ditë ishte gjithashtu edhe Dita e Përkujtimit të fëmijëve të vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet 1992-1995. A kujtohet ndokush për 1.601 fëmijët e vrarë?

I quajmë shqiptarët jo të gatshëm për dialog, por nuk thuhet se pushteti në Beograd ka përzënë 800.000 shqiptarë duke i detyruar të shkojnë në Shqipëri, duke ua djegur dokumentet për të mos u kthyer më kurrë. Sa njerëz dinë ndonjë gjë për vrasjet masive, masakrat kundër popullsisë civile, spastrimit etnik, përndjekjet dhe detyrimin për ndërruar fenë ndër shqiptarët dhe muslimanët gjatë Luftërave balklkanike në vitet 1912-1913.

Shkalla – deri në vrasje masive

A kujtohet ndokush, qoftë edhe me inteligjencë mesatare, të flasë për leksionet e Kristjan Golluboviçit- idhulli i vrasësit nga Mlladenovaci- sesi u flet fëmijëve për profesorët “e degjeneruar”.

Sasia e të vërtetave të fshehura dhe e gënjeshtrave, herët a vonë shpien në vrasje. Dallimet janë vetëm në intensitet: ulurima para sporteli, thyerja e fenerit në nerva e sipër të një autoveture në parking, një shpullë bashkëshortes: kështu shkallë-shkallë deri në vrasje masive.

Refuzojmë të marrim mbi vete përgjegjësinë. E kuptoj nevojën e secilit që është në pushtet ta shfaqë vetveten si superior, të amnistuar nga faji, por shpërthimi i tërbimit patologjik për shkak “të mosrespektimit” nuk është shkas për justifikim. Nuk mundet presidenti, teksa flet për rastin e vrasjeve në rrethinat e Mlladenovacit, të mburret për pagat dhe pensionet. Më duhet ta përsëris: nuk është zgjidhje rritja e numrit të policëve nëpër shkolla, por të krijohen kushtet që nëpër shkolla të mos ketë asnjë polic.

Zyrtarët e lartë mendojnë se masakra e dytë ishte “akt terrorist”. Sulmi kundër shtetit i cili nënkupton se duhet të jemi përkrah pushtetit dhe të mos shtrojmë pyetje të pakëndshme në lidhje me Sarajevën, Kosovën apo Kristijan Golluboviçin dhe e gjithçkaje tjetër e cila si me telekomandë ka sjellë vrasjet në Vraçar dhe në Mlladenovac.

Del se shënjestra na paska qenë shteti, e shteti jemi ne, politikanët. Çfarë ndryshim i përbindshëm i tezave.

Këto konstatime janë të dhimbshme, por nuk ka amnistim për shoqërinë dhe ata që e kanë udhëhequr, e udhëheqin apo kanë për ta udhëhequr, për energjinë negative që është gjithandej përreth nesh.

Tërbimi dhe agresiviteti nuk shprehen vetëm me karikatorët e zbrazur të mendjeve kriminale, por më shpesh edhe me fjalë./Marrë nga Politiko.al

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco