SYRI TV/ 3 vite pa Teatrin Kombëtar. Shteti asnjë përpjekje për ndërtimin

12:34, 17/05/2023
A+ Aa A-

Prej tre vitesh, Shqipërisë i mungon Teatri Kombëtar. Edhe pse ka kaluar kohë nga shembja e tij, institucionet shtetërore nuk po bëjnë asnjë përpjekje për ndërtimin e tij

SYRI TV

Shqipëria prej tre vitesh nuk ka Teatër Kombëtar. Aksioni ndodhi shpejt. Mësymja e policisë më datë 17 maj në Teatrin Kombëtar të vitit 2020, ishte paralajmëruar edhe më herët prej artistëve dhe Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ndërsa përgjatë orëve të pritjes, artistët përcillnin sinjale, se shteti përmes policisë do të hynte brenda Teatrit Kombëtar, këtë herë për të përshpejtuar shembjen e institucionit që ishte kthyer në strehëz lirie.

Dhjetëra makina dhe afro 1000 trupa të Policisë dhe Ndërhyrjes së Shpejtë zbarkuan në teatro, ku larguan me dhunë artistët dhe aktivistët, e ndaj atyre që u përpoqën të rezistonin, agresiviteti dhe dhuna qe më e madhe. Mirëpo, siç qe paralajmëruar, aktivistët qëndruan rezistentë deri në fund, duke rrezikuar edhe jetën e tyre.

Fadroma e parë mbërriti në orën 4 e 30, ndërsa nisi aksioni me lëkundjet e teatrit, i cili kishte brenda artistë e aktivistë.

Të pikasur nga policia dhe të tmerruar nga ajo që po ndodhte, tentuan së bashku me Robert Budinën, të qëndronin me çdo kusht në teatër, për të parandaluar shembjen e tij, por konfrontimi me një numër të madh policësh qe i pamundur për ta. Edmond Budina, Mehdi Malkaj, Adriana Tolka, Rudi Erebara, Ervin Bejleri e të tjerë aktorë prej jashtë barrikadave që i ndajnë me kordonin policor, arrijnë të shikojnë ballinat e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental, godinave 82-vjeçare të ndërtuar nga arkitekti italian Giulio Berte, që shemben.

Sot, edhe pse kanë kaluar tre vite nga shembja e Teatrit Kombëtar nuk ka filluar ende puna për ndërtimin e tij. Institucionet shtetërore për hir të shout dhanë premtime boshe në dhjetor të vitit 2022, ndërsa artistët premtojnë se do të luftojnë deri në fund që ai të ndërtohet atje ku ishte dhe siç ishte.   

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco