VIDEO-SYRI TV/ 'Bashkë Fitojmë' triumfon në Himarë, Beleri reagon pas fitores: Demokracia fitoi

17:42, 15/05/2023
A+ Aa A-

Me vetëm 21 vota diferencë, Fredi Beleri u shpall fitues i bashkisë së Himarës përballë rivalit të tij socialist, Jorgo Goro. Kandidati i koalicionit bashkë fitojmë, edhe pse ndodhet në paraburgim për akuzë e shit-blerjes së votave, ka arritur të marrë besimin e qytetarëve të Himarës. Fredi Beleri reagoi për rezultatin e zgjedhjeve, duke e cilësuar fitore të demokracisë.

Nga SYRI TV

Ky ishte moment i festës në bashkinë e Himarës, pasi u numërua dhe vota e fundit, e cila konfirmoi se Fredi Beleri do të jetë kryetar i bashkisë për katër vitet e ardhshme. Pas qendrës së numërimit, qytetarët e Himarës janë mbledhur në sheshin e  qytetit ku kanë vijuar festën.

Fredi Beleri, kandidat i koalicionit Bashkë Fitojmë, u shpall fitues me 3837 vota kundrejt 3818 votave që mori Jorgo Goro. Fitorja u vendos në kutinë e fundit, ku diferenca me vetëm 21 vota para bëri që Fredi Beleri të shpallej fitues, i cili prej disa ditësh ndodhet në burg për shkak të akuzës për korrupsion në zgjedhje. Megjithatë, kjo nuk e pengoi që emri i tij të vijonte garën për shkak se nuk ka një vendim të formës së prerë.

Kandidati fitues i opozitës për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, reagoi pasi u shpall fitues në zgjedhje. Edhe pse ndodhet në qeli, në emër të tij u shpërnda një deklaratë ku thuhej.

“Demokracia fitoi! Himara fitoi! Mirënjohës për të gjithë ata që treguan burrëri. I mirëkuptoj të gjithë ata që terrorizmi u mundua t’i nënshtrojë. Sot nuk ka humbës dhe fitues, janë të gjithë qytetarë të Himarës dhe unë kryebashkiaku i tyre dhe si i pari mes të barabartëve do të do të përparojmë së bashku që të bëhemi akoma më të fortë në mbrojtje të demokracisë dhe të Drejtave të Njeriut!” thuhet në deklaratën e Belerit nga burgu.  

Për fitoren reagoi dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili tha se fitorja e Belerit është fitore e demokracisë.

Ndërkohë, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi konfirmoi këtë të hënë fitoren e Fredi Belerit në bashkinë e Himarës, i cili kandidoi nën siglën e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Koli 15/05/2023 18:40

Nuk pati mundesi me pushtu qv ne himare me horra ose me nenpunes , sepse i gjithe proçesi u ndoq nga reporter te shtypit grek , ambasadorja e greqise ishte e pranishme gjate gjithe dites ne q v e bashkise himare ndaj edhe rezultati megjithese eshte i ngushte eshte i besueshem , i besueshem do ishte edhe ne se fitues do ishte goro.

Shto koment

Denonco