Për tre ditë bëhen tre vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar

Për tre ditë bëhen tre vjet nga shembja e Teatrit Kombëtar

21:14, 13/05/2023
A+ Aa A-

Nga Robert Budina

Shumë e kanë quajtur shembjen, si dështim të atyre që e mbrojtën, por unë mendoj se ata që mbrojtën deri në fund dhe ishin aty kur fadromat e një pushteti të paskrupullt po përpiqeshin ta shembnin ishin më të fituarit, sepse treguan vlera, guxim, kurajo, përballë një rreziku konkret, policë të armatosur, vegla të një pushteti të errët, thjesht dhe vetëm për bukën e gojës.

Në fakt të humburit e mëdhenj ishin ata që nuk e mbrojtën, sepse me idenë që nuk po përzihemi politikisht ndihmuan në degradimin e një shoqërie në agoni që nuk po del ende nga tranzicioni, justifikuan një pushtet gati gjakatar, që tani rrezikon të fitojë zgjedhjet me tallava, sepse shoqëria nuk ka forcën të prodhojë vlera, por me mos reagimin e saj të çojë në përçudnim të tyre.

Njerëz, intelektualë, artistë, që kanë kthyer në filozofi lëpirjen ndaj pushtetit, për të përfituar privilegje, interesa.

Meqë nesër janë zgjedhjet dhe unë për shkak të impenjimeve të punës nuk jam në Shqipëri do të isha mosmirnjohës nëse nuk do përmendja që një nga mbrojtësit më të devotshëm dhe të përulur të Teatrit Kombëtar, ka qenë Belind Këlliçi, cili ka qenë aty, fizikisht dhe shpirtërisht, na është bashkuar në çdo protestë në çdo moment, i palodhur, dhe i gatshëm për tu përballur pa frikë dhe me devotshmëri në çdo rrethanë, për të mos folur për të atin Zamir Këlliçin që për qindra ditë nuk u nda kurrë nga sheshi i Teatrit.

E di që disa mund ta paragjykojnë Belindin për krahun politik që përfaqëson, por unë e kam njohur personalisht dhe ka qenë i vetmi, që ditën kur do sulmohej Teatri Kombëtar më paralajmëroi që policia do sulmonte pavarësisht se drejtues të atëhershëm të opozitës e mohuan ikën dhe e lanë teatrin të shembej duke na rrezikuar edhe ne që ishim aty.

Belindi ndejti, u përplas me policinë dhe u godit. Bashkë ishim edhe kur u arrestuam në drejtorinë e policisë, madje Belindi dhe disa djem të FRPD u mbyllën në qeli, ndërsa mua më lanë në korridor.

Ndaj duke qenë se për disa vite e kam njohur në rrethana krejt të vështira, unë besoj se ai është një individ me taban dhe që e mban fjalën, punon, është i përgjegjshëm dhe nuk manipulon, apo bën protesta duke i lyer njerëzit me bojë të kuqe në kokë, për të krijuar idenë se janë goditur.

Nuk më intereson se kush mund të jetë rezultati i zgjedhjeve, më intereson të them atë që mendoj dhe përballë përpjekjes njerëzore të  Belindit jam i detyruar të them atë që kam ndjerë dhe përjetuar në një përpjekje të përbashkët për mbrojtjen e trashëgimisë dhe vlerave.

E di që përballë ka një makineri të madhe interesash dhe do të jetë e vështirë, por Jo e pamundur.

Dhe që të jem i sinqertë programi i tij për Bashkinë Tiranë është konkret dhe i prekshëm.

Jepjani mundësinë me votën tuaj dhe nëse nuk ju bind më pas me votë hiqjani këtë mundësi.

Suksese Belo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco