SYRI TV/ Laboratori italian: Edhe uji në Tiranë me përbërës kancerogjenë

10:17, 13/05/2023
A+ Aa A-

Sipas investigimit të emisionit ‘Piranjat’, uji i pijshëm i Tiranës përmban substanca toksike, të dëmshme për shëndetin e qytetarëve. Tri zona paraqiten në gjendje alarmante me nivel të lartë të trialometanit, një përbërës kancerogjen

SYRI TV

Përpara se të pini ujin e kryeqytetit nga rubineti, apo të bëni një dush, mendohuni dy herë! Rezultatet e testimit më të fundit janë vërtet alarmante.

Pasi testuan se ajri i Tiranës është jo vetëm i ndotur, por edhe me substanca kancerogjene, ‘Piranjat’ sjellin një tjetër investigim, duke analizuar ujin e Tiranës, në bashkëpunim me laboratorin e specializuar ‘Neotes’, në Salerno të Italisë.

Pas analizave të mostrave të ujit në kryeqytetin shqiptar, ekspertët italianë arritën në përfundimin se uji i rubinetit, që konsumojmë çdo ditë, jo vetëm që është i papijshëm, por përmban edhe substanca toksike të dëmshme për shëndetin e qytetarëve.

Kampionet u morën në pesë pika të ndryshme në Tiranë. Tri nga këto zona: Rruga ‘Ismail Petrela’, bulevardi ‘Bajram Curri’ dhe rruga ‘Don Bosko’ rezultuan me nivel të lartë të trialometanit, një përbërës kimik, me substanca toksike kancerogjene.

Sipas ekspertëve italianë, nëse kapërcen shifrën 30 mikrogramë për litër, uji bëhet totalisht i papërdorshëm dhe madje helmues. Për këtë qëllim duhen marrë masa, që niveli i trialometanit të jetë jo më shumë se 5 mikrogramë për litër, ndërkohë që kampionet e tri pikave në Tiranë, kanë një vlerë pesëfish më të lartë.

E gjithë kjo sasi toksine duket se vjen nga klorinimi i gabuar i ujit. Ekspertët e vendit fqinjë propozojnë që për këtë proces duhet të zbatohet një procedurë standarde dhe tepër precize.

Sipas përfundimeve të testimit, ky ujë është i dëmshëm edhe nëse bën dush, pastron shtëpinë apo hap rubinetin. ‘Piranjat’ bëjnë një thirrje e fortë për ndërhyrje nga ana e autoriteteve përgjegjëse.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco