Berisha në Kukës: Vota më 14 maj, votë misionare për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri!

19:20, 06/05/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha vijoi në Kukës turin elektoral për zgjedhjet vendore të 14 Majit. 

Duke kërkuar votat për kandidatin e koalicionit opozitar "Bashkë Fitojmë", Admir Sinamati, Berisha tha se vota e 14 Majit është votë misionare për të rivendosur pluralizmin në Shqipëri. 

"Të dashur qytetare dhe qytetarë, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, banorë të Kukësit. Përshëndetjet e mia më të përzemërta, mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e jashtëzakonshme, për këtë takim të zjarrtë. Mbetem për jetë të jetëve mirënjohës ndaj jush. Unë vij sot me një kënaqësi të veçantë, të kërkoj votën këtu për Admir Sinamatin, një nga bijtë tuaj më të shquar. Një nga kuksianët më të virtytshëm, një intelektual të vërtetë, profesionist i klasit të parë, por mbi të gjitha një humanist, një njeri, që don Kukësin, që don qytetarët e Kukësit, një atdhetar një patriot që do Shqipërinë.

Ju e dëgjuar programin e tij. Ju garantoj se Admiri me kujdes të madh, me vizion të kthjellët, me përkushtim do të bëjë realitet programin e tij, do të bëjë gjithçka që të lehtësojë jetën tuaj, që pasuritë e pafundme të këtij rrethi të shndërrohen në mirë, në radhë të parë për banorët e tij. 14 maji është dita në të cilën ju vendosni për qytetarin e parë të Kukësit, për kryetarin e bashkisë. Por kësaj radhe vota juaj është një votë misionare, sepse duke votuar për Admir Sinamatin, ju keni rivendosur pluralizmin në Shqipëri. 

Duke votuar për Admir Sinamatin, ju njëkohësisht ju keni dhënë ndëshkimin e merituar, Edi Ramës armik i betuar i Kukësit dhe gjithë veriut të Shqipërisë. Antishqiptar i paprecedentë. Ju garantoj se në historinë e veriut dhe të Kukësit, pas car Dushanit dhe Enver Hoxhës, Edi Rama është armiku më i egër.

Do analizojmë pak. Në vitin 2013, akti i parë i urrejtjes ndaj jush, ndaj banorëve të qarkut, ishte heqja e ndihmës ekonomike për 20 mijë familje. Por ai që e njeh Kukësin, ai që i njeh fshatrat e qarkut, nga Curraj i Epërm në Kala të Dodës, ai e di se as 10% e familjeve nuk mund të vetëmbahen pa ndihmën e shtetit. Ai e di se 80% e familjeve meritojnë 100% ndihmën ekonomike. Çdo qeveritar i vendit e din se qarku i Kukësit, jo më i varfër në Shqipëri, është qarku më i varfër i Europës. Dhe ky i pashpirt mori e hoqi me një të rënë të lapsit 20 mijë familje, vetëm e vetëm se pse nuk e votuat. Vetëm e vetëm se u qëndruat besnikë idealeve tuaja", u shpreh Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco