Berisha: Kryebashkiakja e Kurbinit mobilon zyrën me 160 mijë euro, me mobilje antistres

18:11, 05/05/2023
A+ Aa A-

Klonim i Belinda Ballukut e quajti kryetari i PD, Sali Berisha, kryetaren në detyrë të bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara. 

Gjatë takimit elektoral me kandidatin e opozitës, Behar Haxhia, Berisha tha se kandidatja e Edi Ramës ka shpenzuar 160 mijë euro për arredimin e zyrës së saj me mobilje antistres. 

Njësoj si Belinda Balluku, që siç tha lideri i opozitës ka shpërdoruar 220 mijë euro për zyrën.  

Kreu i PD akuzoi edhe ministren e Jashtme, Olta Xhaçka se shpenzonte 15 mijë euro për fluturime me helikopter nga Tirana në Peshkopi.  

"Demokrate dhe demokratë të Kurbinit, qytetare e qytetarë, vëllezër e motra, përshëndetjet e mia më të zjarrta, mirënjohjen time më të pakufishme ndaj jush. U garantoj se jam ndjerë dhe ndjehem krenarë dhe mirënjohjës pafundësisht, për mbështetjen tuaj jashtëzakonisht të çmuar. Kam kënaqësi të madhe që vij sot dhe ju sjell këtu mesazhin e fitores nga Dibra, Klosi, Mati, por fitorja pa ndaluar në Mamurras, nuk mund të shkonte kurrë më tutje. 

Kam nder të madh që vij sot për të paraqitur këtu kandidatin tuaj për kryetar të Bashkisë së Kurbinit, z. Behar Haxhia, me bindjen më të madhe se Behar Haxhia është një përfaqësues dinjitoz i juaji. Është një banor, qytetar me vlerat dhe virtytet më të arrira të banorëve të Kurbinit. Behar Haxhia është gjithashtu një veprimtar i kahershëm i PD-së dhe një qeveritar vendor i saj shumë i aftë, shumë i zoti, të cilin e njeh i gjithë Kurbini për punën e tij. 

Behar Haxhia ishte këtu para jush dhe është i gatshëm të dalë para çdo banori të Kurbinit, të japë llogari, të japë përgjigje për gjithçka që mund ti interesojnë atij dhe qytetarëve të Kurbinit. Behar Haxhia është i vendosur të shkrijë të gjithë energjinë e tij për të ju shërbyer ju, për të garantuar shërbimet më të mira, por edhe për të ju drejtuar ju, për të udhëhequr ndryshimin jetik për Kurbinin. Për të shënuar ndryshimet e mëdha të gjithanshme. Për të shfrytëzuar të gjitha potencialet e këtij rrethi në interesin më të mirë të banorëve të tij.

Behar Haxhia pra ka të gjithë mirësjelljen, qytetarinë, mençurinë, aftësitë për të qenë qytetari i parë i bashkisë tuaj dhe për ta kthyer bashkinë në shtëpinë e parë tuajën, për të vendosur qytetarin në epiqendër të jetës së bashkisë. Behar Haxhia ka një rivale, e cila jo vetëm që fshihet vetë nga ju, por e fsheh edhe Edi Rama. Po vija dhe nuk po shifja kund, ja ka zhdukur të gjitha portretet Majlindës. Unë nuk do të doja, ua them këtu, që të thoja qoftë edhe një çerek fjale të papërshtatshme për një zonjë. Por interesi juaj, i fëmijëve tuaj, interesi i dhjetëra mijëra qytetarëve që rropaten sot në mospasje, i atyre që detyrohen të largohen më detyron ti them, se ti Majlinda nuk je gjë tjetër vetëm një klonim i Belindës, Oltës dhe enturazhit të Edi Ramës. 

Se ku u kanë mbledhur ju me qirinj, por ti je si një binjake siameze, qoftë me Oltën qoftë me Belindën. Belinda e mobilon zyrën me 220 mijë euro. A mund të imagjinoni ju, 220 mijë euro, sepse do të ndihet aty si ... ç’të thuash. Olta bën rrugën Tiranë-Peshkopi, 15 herë me helikopter, 15 mijë euro rruga. Majlinda, kryetarja arredon bashkinë, zyrën me 160 mijë euro, me mobilje antistres, se është stresuar shumë zonja", tha Berisha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco