VIDEO/ Testohet pajisja për votimin elektronik, Celibashi: Marrim të dhëna reale për numrin e votuesve

12:33, 05/05/2023
A+ Aa A-

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka testuar këtë të premte pajisjen për votimin elektronik e cila është stacionuar në Lundër të Tiranës, në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.

Në një deklaratë për mediat, kreu i KQZ Ilirijan Celibashi tha se kjo pajisje shmang mënyrat manipulative lidhur me identifikimin biometrik dhe se kjo vihet re nëse votuesi do të mundohet ta shmangë atë.

Sakaq shtoi se kjo pajisje do të ndihmojë lidhur me numrin absolut të votuesve në zgjedhje dhe nëse do të hasen vështirësi, atëherë qytetarët mund të firmosin mbi fletën e votimit.

“Kemi përmirësuar ndjeshëm gjithë sistemin e protokollimit të rasteve kur për arsye objektive nuk mund të bëhet identifikimi biometrik i votuesve. Sistemi është i tillë që nuk lë shkak dhe mundësi për këdo që në mënyrë manipulative kërkon të shmangë identifikimin biometrik. Një votues nëse do të përdorë një mënyrë për ta  shmangur identifikimin biometrik do jetë qartësisht e evidentuar se për çfarë arsyesh. Kemi pasur raste që i kemi identifikuar ku votues të caktuar ka gjetur mënyrën e shmangies së vënies së gjurmës së gishtit. Tashmë me një sistem më të mirë të operatorëve  besoj se procesi i identifikimit biometrik do të jetë më mirë i realizuar.

Gjë e shtuar në këtë sistem është transmetimi në mënyrë periodike i të dhënave mbi pjesëmarrjen në ditën e zgjedhjeve. Për herë të parë falë kësaj teknologjie, ne do kemi të dhëna reale mbi numrin absolut të pjesëmarrësve në votim, nuk do ta bazojmë përqindjen në sondazhe por në faktin konkret dhe ne këto të dhëna do t’i bëjmë publike. Edhe vetë operatorët e kanë të qartë, zhvilluan një proces intensiv trajnimi dhe nëse ka një gjë që kanë kuptuar është se nuk duhet të vendosin gishtat në pajisjet e identifikimit biometrik. Nëse ky do të jetë rasti, votuesi që për arsye më shumë subjektive nuk lë shenjën e identifikimit, duhet të firmosë kuponin e pajisjes dhe te lista e zgjedhësve”, tha ai.

Mësohet se kjo pajisje është testuar në Elbasan, Kamzë, ndërsa ngelet ajo e Vorës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco