Adil Xhelili: Ndërhyrje tërësore në Libohovë që nga Nepravishta e Zagoria ku nuk është vënë dorë kurrë

Adil Xhelili: Ndërhyrje tërësore në Libohovë që nga Nepravishta e Zagoria ku nuk është vënë dorë kurrë

10:48, 05/05/2023
A+ Aa A-

Adil Xhelili: "Për investimet fasadë në Libohovë, vetë banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, kurse institucionet shtetërore si KLSH kanë gjetur shkelje të rënda. Më kryesorja është që Libohovës nuk i kanë sjellë impaktin e duhur në zhvillimin e agro-turizmit apo në zhvillimin ekonomik të saj."

"Rrugën për te kisha e Labovës, që për 4-5 vjet u la në mes, tani shpejt e shpejt po e shtrojnë me asfalt që të venë shpejt e shpejt banorët të hedhin ndonjë votë për ministren."  

"​Unë kam dalë si kandidat nga primaret e dhjetorit 2022, i votuar nga simpatizantët dhe mbështetësit, kurse kandidati rival u zgjodh nga vetë ministrja Kumbaro pas tri muajsh testime vetëm e vetëm për të na vënë ne përballë."

"Ne do t’i mëshojmë atyre pikave që duhet të rijetëzojnë Libohovën dhe të sjellim sa më shumë investime  duke filluar me agro-turizmin, me mbështetjen e biznesit, me mbështetjen e qytetarëve, të arsimit..." 

"Ndër to, një shërbim komunal të mirëfilltë për t’i ardhur në ndihmë familjeve në raste fatkeqësie, sepse një shërbim i tillë kushton goxha rëndë për xhepat e këtyre familjeve, 750 – 800 mijë lekë të vjetra."

Z. Adil Xhelili, kandidati i opozitës për bashkinë e Libohovës, është ftuar sot për një intervistë në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV nga gazetarët Flavio Qarri e Ola Bregu. 

Kafe Shqeto: Do të  doja ta nismin me situatën aktuale të Libohovës. Duket sikur është vënë dorë, por pa lidhje me hallet aktuale të banorëve.

Adil Xhelili: Shumë e vërtetë. Të gjitha këto bukuri investimesh, bum investimesh, të cilat rëndom tani në fushatë aktuale reklamohen gjithandej, faktikisht për të gjithë banorët e qytetit dhe të zonës nuk kanë sjellë ndonjë impakt të drejtpërdrejtë në mirëqënien e tyre dhe të familjeve të tyre. Siç e kam përmendur edhe herë të tjera, këto investimesh siç kanë ndodhur rëndom në të gjithë Shqipërinë, kanë qenë investime fasadë për të cilat vetë banorët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre, vetë institucionet e tjera shtetërore si KLSH kanë gjetur shkelje të rënda në gamën e gjithë këtyre investimeve po më kryesorja është që Libohovës nuk i kanë sjellë impaktin e duhur në zhvillimin e agro-turizmit apo në zhvillimin ekonomik të saj. Çështja e kalasë është një çështje e shumëdebatuar, “kali i betejës” i fushatave të 2015-ës dhe të 2017-ës nga ministrja Kumbaro dhe kryetarja aktuale e bashkisë gjë që në fund të fundit mbeti ashtu e degraduar dhe pa asnjë lloj ndërhyrjeje në të. Po jo vetëm kaq. Patëm edhe rrëzimin e urës...

Kafe Shqeto: Është qesharake dhe absurde, bëhet rruga për tek kalaja po nuk bëhet kalaja!

Adil Xhelili: Ky ishte qëllimi i gjithë kësaj propagande të madhe, që në fund të fundit nuk solli atë që duhej.

Kafe Shqeto: Znj. Kumbaro, si një libohovite, mburrej nëpër tryezat e Tiranës se kishte çuar lekë në Gjirokastër, projekte dhe investime si askush tjetër më parë por nga ana tjetër po aq probleme me këto para, po aq “flamuj të kuq”. A është më prezente znj. Kumbaro në atë zonë apo një politikane shëtitëse?

Adil Xhelili: Znj. Kumbaro ka marrë flamurin e fushatës në këto zgjedhje dhe konkretisht ne po garojmë me të, po e kemi si kundërshtare kryesore dhe detyrimisht, ajo do të mbrojë pjesën e investimeve të saj po në fund të fundit, argumentet e saj tashmë kanë mbaruar sepse vetë banorët janë ata që e japin më së drejti gjykimin dhe vlerësimin. Për sa i përket investimeve që ajo mburret apo qeveria mburret, shumë bukur, me një sy të lirë apo çdo lloj gazetari në terren e të gjithë ju, mund t’i konstatoni shumë mirë problematikat në të gjitha këto. Ishte një rrugë që të çonte te kisha e Labovës së Kryqit, një nga perlat e jugut, që për 4-5 vjet u la në mes  dhe tani shpejt e shpejt po e shtrojnë atë nja një km e gjysmë asfalt që të venë shpejt e shpejt banorët të hedhin ndonjë votë për ministren.  

Po kështu, gjithë ai investim është gati 300 e ca milionë, është gjetur me shkelje të rënda nga KLSH sepse u mor si fond për të restauruar kishën, ndërkohë që tjegullat e kishës janë ende të thyera dhe ka filluar të pikojë si shumë e shumë të tjera, si ujësjellësi që po bëhet që nga banorët po shikohet me skepticizëm dhe ende nuk ka 24 orë ujë në çezma, pavarësisht se po mburren. Le të mos flasim pastaj për asfaltin elektoral që në një rrugë që kishte 30 vjet pa vënë dorë, për tri ditë është shtruar. Këto “flamujt e kuq” janë flamuj e vërtetë të fushatës por nuk kanë për t’ia dalë sepse banorët tashmë e kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe do të votojnë ndryshimin më 14 maj.

Kafe Shqeto: Z. Xhelili, një garë disi e pazakontë po dhe interesante njëkohësisht, pasi ju keni përballë si kundërshtar në këtë garë, kushëririn tuaj. Si ndiheni ndaj këtij fakti dhe si ka ndikuar në raportin tuaj?

Adil Xhelili: Kjo garë ishte vërtet pak e çuditshme për komunitetin libohovit dhe më gjerë sepse unë kam dalë si kandidat nga primaret e dhjetorit 2022, i votuar nga simpatizantët, nga mbështetësit ndërkohë që kandidati tjetër, rival, u zgjodh nga vetë ministrja pas tri muajsh testime nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm për të na vënë ne përballë dhe për të dhënë një mesazh që ne për vota bëjmë çdo gjë. Por, personalisht nga unë, asnjëherë nuk është gjykuar që familja të jetë pjesë e politikës. Jam përpjekur që t’i mbaj marrëdhëniet dhe do të përpiqem që t’i mbaj marrëdhëniet shumë të mira, ndaj edhe garën unë e adresoj ndaj ministres dhe nuk e adresoj fare drejt kandidatit, sepse kandidati s’ka lidhje fare me fushatën.

Kafe Shqeto: Po në përballje, e keni ftuar?

Adil Xhelili: Deri tani nuk e kam ftuar, po do të doja një përballje me ministren më shumë se me kandidatin.

Kafe Shqeto: Dy gjëra kanë ngjallur kuriozitetin e Tiranës, paradoksi i entuziazmit në takimin e Libohovës dhe në udhëtime të tjera në jug të z. Berisha dhe përpjekja në Tiranë për të thënë që PD do të kthehet pak në veri si entitet politik, duket se nuk u përligj nga pamjet që sollëm dhe sigurisht numri i lartë i njerëzve. Z. Xhelili, pse ka ndodhur kjo?

Adil Xhelili: Përsa i përket Libohovës që mund të flas, nuk kemi asnjë problem në çështjen e organizimit të opozitës. Të gjitha janë më së miri dhe të përbashkuar për të fituar zgjedhjet më 14 maj. Ndërsa, për sa i përket pjesës së entuziazmit, është diçka e papritur me thënë të drejtën edhe për mua, sepse në fund të fundit, në këto zonat tona të vogla njerëzit gjithmonë janë pak skeptikë karshi pikëpamjeve dhe orientimit politik në momentet e fushatave, ndryshe nga takimi që bëri pak ditë më vonë kryeministri, ku i mbarti me autobusë dhe me makina që nga Këlcyra e në zonat e tjera, Memaliaj, Tepelena për t’i sjellë në Libohovë, sepse qytetarët libohovitë e bojkotuan me përjashtim të administratës dhe të personave të importuar, duke i mashtruar, duke u thënë do të bëj takim me komunitetin e biznesit, ndërkohë që gjithë biznesmenët u ftuan po nuk iu tha asnjë fjalë në lidhje me ta po i detyruan “rritni pagat, rritni pagat” e të tjera me radhë. Kështu që dallimi ishte më se i qartë. Menjëherë është dhënë mesazhi që Libohova do të bëjë ndryshimin e mirëpritur.

Thashë që ishte befasues për mua sepse shumë e shumë njerëz që më kontaktuan dhe që edhe unë s’i prisja, dhanë mesazhin që Libohova duhet të bëjë një ndryshim rrënjësor më 14 maj.

Kafe Shqeto: Ndërkohë, nga ai takim ka ndodhur edhe diçka tjetër z. Xhelili. Për njërin nga premtimet tuaja, makina e propagandës u përpoq që ta etiketonte si një premtim të çmendur, jashtë realitetit, por edhe gazetarët zakonisht kritikë panë që kishte disa aspekte dinjitoze dhe ekonomike në premtimin tuaj për asistencë shtetërore në “udhëtimin e fundit” të libohovitëve.

Adil Xhelili: Vërtet mori shumë vëmendje ky lajm, ndërkohë që për mua ishte një ndër të gjitha lajmet e tjera ose një ndër pikat e mia të programit sepse që të shkojmë tek ajo që për gjykimin tim është pika e fundit, ne duhet t’i mëshojmë atyre pikave që duhet të rijetëzojnë Libohovën dhe të sjellim sa më shumë investime dhe banorët të gëzojnë jetën e tyre në kushtet më të mira. Të gjitha këto unë i kam parashtruar duke filluar me agro-turizmin, me mbështetjen e biznesit, me mbështetjen e qytetarëve, të arsimit, të fëmijëve, të moshave të reja, sjelljen e investimeve e ndër to ishte edhe kjo pikë, e cila është një kosto shumë e rënduar për familjet në raste fatkeqësisht. Ndërkohë që bashkia duhet ta ndërtojë dhe do ta ndërtojmë një shërbim komunal të mirëfilltë për t’i ardhur në ndihmë të gjithë familjeve në raste fatkeqësie, sepse një shërbim i tillë kushton goxha rëndë për xhepat e këtyre familjeve, 750 – 800 mije lekë të vjetra dhe diçka e tillë nuk është e përballueshme nga të gjithë.

Qëllimi im ishte për t’u dhënë orientimin njerëzve dhe për të besuar që ne do të jemi në krah të tyre në raste të tilla fatkeqësisht dhe do t’i marrim përsipër këto lloj shërbimesh, që në fund të fundit u takojnë sepse kanë një jetë të tërë që paguajnë e paguajnë e asgjë nuk marrin e në fund fare duhet të paguajnë edhe për shpirtin. Ky ishte qëllimi i gjithë asaj bisede, nuk ishte një premtim elektoral  sepse nuk mund ta quaj kurrë, nuk mund të bazohet një fushatë mbi premtime të tilla. Ne i kemi takuar të gjithë banorët, i kemi parë të gjitha hallet dhe problemet e tyre dhe jemi përpjekur të analizojmë të gjitha problematikat që ata mund të kenë dhe t’u japim nga një zgjidhje.

Kafe Shqeto: Z. Xhelili, çfarë ndryshimesh prisni pas zgjedhjeve të 14 majit? Cili do të jetë fokusi juaj?

Adil Xhelili: Pritshmëritë janë që ne do të fitojmë dhe do të bëjmë ndryshimin në bashkinë e Libohovës. Do ta fitojmë bashkinë e Libohovës. Do ta fitojnë qytetarët dhe nuk do ta fitojë z. Xhelili. Unë jam përfaqësues i tyre dhe e kam për detyrë që të ngre zërin dhe shqetësimet e tyre.

Pas datës 14 maj ne kemi menduar që të bëjmë një ndërhyrje tërësore në të gjithë territorin e bashkisë sepse kemi zona rurale si Nepravishta, Zagoria, fshatra të tjerë ku nuk është vënë asnjëherë dorë dhe nuk është bërë asnjë lloj pune; do të ndërhyjmë menjëherë në infrastrukturën rrugore për përmirësimin e tyre sepse jemi në prag të sezonit turistik dhe synojmë të tërheqim sa më shumë turistë këtë vit; do të arrijmë të ndërtojmë shumë shpejt me djem dhe vajza libohovite në Tiranë dhe jashtë, shumë programe konkurruese me fonde të Bashkimit Evropian, me bashki ndërkufitare, me fonde të IPA, me Crossborder që do t’i bëjmë publike dhe do të jenë të financueshme duke kërkuar ditë për ditë mundësi për ta zhvilluar jetesën në Libohovë. Nuk mund të lejojmë më akoma që Libohova të zbrazet nga rinia dhe këtë e kemi si prioritet kryesor, punësimin e tyre; nuk mund të lejojmë që shkollat tona të braktisen. Do ta kemi përparësi investimin në to, investimin në burime njerëzor,  stimulimin e fëmijëve dhe të mësuesve.

Nuk do të lejojmë aspak që shtresat në nevojë të jenë të prekura nga çdo lloj problematike e do t’i mbështesim ata; do të mbështesim fermerët me të gjitha mundësitë tona për të pasur edhe ata punësim dhe lehtësi në të gjitha proceset e tyre, do të mbështesim me transport publik shumë fshtra që nuk e kanë ende të një të tillë. Do ta kenë edhe lagjet e qytetit një akses të tillë. Do të kemi punë shumëplanëshe për t’i rikthyer edhe njëherë Libovohës, atë shkëlqimin e dikurshëm, për të mirëmbajtur dhe rikthyer në identitet traditat tona më të mira.

Kafe Shqeto: Pas katër vitesh, ditën që do të bëni garën e radhës ose do të lini mandatin, cila do të jetë krenaria juaj më e madhe pasi të shihni pas?

Adil Xhelili: Besoj se pas 4 vitesh, qytetaria libohovite dhe komuniteti i zonës do të më kenë dhënë vlerësimin e duhur për të qenë ose jo përsëri një kryebashkiak dhe në detyrë, por besoj se krenaria më e madhe do të jetë përkushtimi im dhe detyra ime më thelbësore dhe parësore në drejtim të këtij komuniteti. Jam një prej tyre dhe besoj të mbetem i tillë në çdo ditë te jetës, së punës sime, t’ua përkushtoj punën time dhe të familjes sime, këtyre njerëzve./ar.sh/SYRI.NET

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco