Më 14 maj ne do të fitojmë, siç përmbysëm monizmin e parë, do të përmbysim edhe monizmin e dytë!

Më 14 maj ne do të fitojmë, siç përmbysëm monizmin e parë, do të përmbysim edhe monizmin e dytë!

08:20, 29/04/2023
A+ Aa A-

Fjala e Kryetarit të PD, Sali Berisha, gjatë takimit në Lushnjë.

Së pari, mirënjohje dhe nderimin tim më të madh, të gjithë atyre që kanë organizuar këtë takim të mrekullueshëm të brezave, të demokratëve të Lushnjes, si një akt mirënjohje të pakufishme, por edhe një thirrje të fuqishme të kësaj kohe, për kontributin e përbashkët të të gjithë brezave, me 14 maj, mbasi kjo ditë është dita në të cilën çdo shqiptar pret që ne të rivendosim pluralizmin politik në Shqipëri. 

Të rikthejmë në Shqipëri, idealin e kongresit të Lushnjes, idealin e kësaj shtëpie që qëndron krahas shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit dhe asaj të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shtëpia e tretë më e shenjtë, më e rëndësishme e kombit shqiptar.

E nderuar zonja deputete, e dashur Edit, drejtuese politike e zgjedhjeve në rrethin e Lushnjes. Të nderuar drejtues të Partisë Demokratike nga vitet 1990, gjer sot.  Të dashur kandidatë tanë dhe kryetarë të ardhshëm të Lushnjes dhe Divjakës, Eduart Sharka dhe Aurel Malko. Të dashur miq!

Ne mblidhemi në këtë oborr ku në 21 Janar të vitit 1920, në fakt burrat e kombit vendosën pavarësinë e Shqipërisë, e cila pas shpalljes në Vlorë, ju mor përsëri shqiptarëve. Pra këtu pas vitesh pushtimi nga vitet 1912-1920, vendosën atdhetarët, patriotët, shtetarët e këtij vendi, vendosën Shqipërinë e pavarur, vendosën Shqipërinë pluraliste demokratike.

Pra kjo ndërtesë, ky vend, është në fakt dhe djepi i pluralizmit politik të Shqipërisë. 

Ne me 14 maj, paraqitemi në votime për kandidatët tanë për kryetarë bashkie dhe paraqitemi krenarë sepse këta kandidatë kanë dalë për herë të parë, mbi një garë pluraliste brenda partisë. Pra kanë dalë me konkurrencën e ndershme brenda partisë, kanë dalë me votën e lirë, me besimin tuaj. Përballen me përfaqësuesit e monizmit, që mbulon vendin, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar shqiptar, asnjë socialist shqiptar. Të cilët janë emëruar mbi kritere mafioze, nga Edi Rama, njeriu që në dy mandate, ja doli të përqendrojë në duart e tij të zeza, të gjitha pushtet. Sot çdo pushtet është në duart e një njeriu dhe ky njeri përdor pushtetin sipas interesave të tij personale, dhe interesave antiqytetare dhe antishqiptare. 

Në 8 vite, shqiptarët në dallim nga të gjitha vendet e Rajonit, kanë njohur një varfëri të frikshme në rritje. 8 vite më parë merrnin rrogat, pensionet më të larta, sot kanë rrogat dhe pensionet më të ulëta. 

Sot vetëm 20% e atyre që kanë nevojë për ndihmë ekonomike sipas kritereve ligjore, e marrin këtë ndihmë. Kjo është një lloj tiranie e vërtetë, tirania e varfërisë mbi ketë njerëz, mbi këta qytetarë. Por sot krahasuar me vitin 2013, buxheti bashkë me ato që merren borxh është dy herë më i madh. Mirëpo ato para nuk përdoren për qytetarët, nuk përdoren për rroga, pensione, ndihmë ekonomike. Nuk përdoren për mbështetje të fermerëve, për mbështetje të bizneseve, përdoren për të fryrë kontot bankare të fshehta, për të mbushur tubat e aspirimit, oxhaqet, frigoriferët me euro të qeveritarëve shqiptarë. Përdoren për ti ndarë me familjarë dhe klientelën e tyre. Kjo është e vërteta.

Kurse qytetarët, çfarë do qofshin ata, demokratë, socialistë, të paparti, kalojnë çdo muaj me më vështirësi. 1 milion prej tyre ikën në 8 vite, 83% e të tjerëve kërkojnë të ikin. Kurrë në asnjë rrethanë, asnjë luftë, asnjë pushtim, Shqipëria nuk është braktisur si këto 8 vite. 

Ndërkohë pasuritë e saj përrallore, potenciali i saj është i jashtëzakonshëm. Njerëzit janë punëtorë, nuk ka më punëtorë se ju. 

Pra, me 14 maj të gjithë shqiptarët janë të ftuar të bashkohen. Të rivendosim pluralizmin, të votojnë kandidatët e primarëve, por njëkohësisht kanë vendosur pluralizmin. Kanë rivendosur një ndarje pushtetesh, kanë rivendosur një kontroll për pushtetet dhe jo të gjitha pushtetet në duart e një njeriu që e qeveris Shqipërinë me ligjin e bandës.

Diktaturat janë të shumëllojta. Njërën e kemi provuar ne, diktaturën komuniste e cila bazohet në doktrinën ç’njerëzore të Marksit dhe Leninit. Diktatura të tjera janë ato të Ajetollahëve që bazohen në teokraci, të tjerat janë diktatura të qeverive që funksionojnë si organizata kriminale.

Studiuesit më seriozë, këto i quajnë diktaturat më të egra, sepse këto të fundit njohin vetëm ligjin e bandës, nuk njohin kufij,  nuk njohin normë, kushtetutë dhe ligj. 

Nuk dua të ndalem të listoj këtu para jush abuzimin ekstrem të Edi Ramës me pushtetin, por meqë jemi në fushatë elektorale, po ju rikujtoj vetëm një fjalë të tij; kodi zgjedhor është një kinezëri.

Kodi zgjedhor që rregullon dhe garanton të drejtën më themelore të njeriut, të drejtën e votës, për këtë despot, nuk ekziston, është një kinezëri. Dhe ju e patë se çfarë bëri ai, gjithçka që ne të mos merrnim pjesë në zgjedhje, se çfarë vendimesh mori me mercenarët e tij, që forca politike që ka sot në të 4-anët e vendit, 61 kandidatë të dalë me votën e lirë të mos hynte në zgjedhje, të përjashtohej nga zgjedhjet. 

Natyrisht dështoi dhe do të dështojë, por nga ana tjetër tregoi anën e tij më të errët njerëzore, më antidemokratike. Nuk mund të vazhdohet me të gjithë pushtetet në duart e tij, se kjo do të thotë të ecim drejt varfërisë, drejt vjedhjes së tmerrshme të qytetarëve. Theksoj edhe njëherë, në vitin 2013, të ardhurat ishin 3.8 miliardë. Në vitin 2022, të ardhurat ishin 5.9 miliardë. Megjithatë në vitin 2022, çdo shqiptare merrte së paku një rroge gjysëm më pak se në vitin 2013, sepse me rritjen e çmimeve vetëm nga viti 2021-2022, çdo shqiptar shpenzoi 430 mijë lekë më shumë, për shkak të rritjes së çmimeve. Unë mora vetëm këtë aspekt. 

Pastaj nga Shqipëria, para nesh, para syve tanë, u zhduk më shumë se një gjeneratë, 1 milionë shqiptarë. Prej tyre 800 mijë të rinj. Nuk ka më dramatike. Me dhjetëra mijëra  biznese falimentuan. Falimentuan nga dyfishimi i taksave, falimentuan para së gjithash nga konkurrenca e pandershme. 

Një biznesmen i ndershëm që ka djersitur që nga vitet 1990 e deri më sot, me djersën e tij, gjen papritmas një fqinj, i cili nuk ka djersitur asnjë ditë. Ose ka transportuar një thes me drogë, ose ka marrë pa konkurrencë një tender, shumë milionë euro dhe mbin brenda natës biznesmen dhe e falimenton atë që ka djersitur gjithë jetën.

Vërshim me ‘Ballkanin e Hapur’ të prodhimeve të Shumadisë në Shqipëri, asnjë mbrojtje për fermerët e Myzeqesë. Subvencionet 5 herë më të ulëta se në Kosovë, 7-8 herë më të ulëta se mesatarja e rajonit. Të gjitha këto ua thërrmojnë ëndërrat, i detyrojnë të shkatërrojnë fermat, të therin lopët, të prishin serat, të largohen, të largohen ku të munden. 

Kjo po ndodh dhe megjithatë, ky zotëri ka zgjedhur një mënyrë për fushatë. Asnjë ballafaqim kandidatët e tyre, me kandidatët rivalë, asnjë ballafaqim. Ai vetë nuk pranon të ballafaqohet para qytetarëve, por çdo politikan ka detyrim absolut të dalë para qytetarëve, të ballafaqohet me rivalin, por edhe qytetarët të marrin pjesë në atë ballafaqim dhe ti bëjnë çdo pyetje, ti paraqesin çdo dokument, ti bëjnë radiografinë dhe pastaj të kërkojnë votën. 

Kurse ky, mashtrimin, mashtrimin dhe vetëm mashtrimin. Del burri dy metra nga një shesh, në një shesh tjetër me zorrë në gojë, nuk ka më turp. Dhe e bën këtë me qëllimin djallëzor, që njerëzit të mos merren me vjedhjet e tij, të mos merren me faktin se ai udhëton me avion me dhomë gjumi, shpenzon 22 mln euro vetëm udhëtime me avion taksi. 

Krijon një park makinash 5-600 mijë eurosh, sikur të ishte sheik. Blen vazo për oborrin e kryeministrisë, 4 mln euro sikur të ishte pasuri e tij private. Ndaj dhe përpiqet që të gjithë diskursin, diskutimin qytetarët ta bëjnë për zorrën e trashë, zorrën qorre, për këtë për atë. Një njeri i shplarë në këtë mënyrë, kjo ështëpërgjegjësia e tij. Se ai mendon se siç e kapërceu njëherë me tepsi e me timon, tani do ta kapërcejë me lopatë dhe zorrë qorre. 

U bëj thirrje thirrje ju, të angazhohemi me çdo qytetar, me çdo socialist, me çdo demokrat, me çdo paparti dhe ti tregojmë vendin me votën tonë, një mashtrimi të paimagjinueshëm. Këta e kanë shndërruar mashtrimin në besimin e tyre fetar, këta nuk kanë besim tjetër, paranë dhe mashtrim, mashtrim dhe para.

Isha në Maliq. Një kryetar bashkie 23 vite, tani çfarë ju thoshte; do të vendos trenin elektrik, nga Maliqi tek pylli i fazanëve. 

Ka tallje më të madhe se kjo mor miq, po s’ka, se ai nuk e bën kot, sepse kryetari i bashkisë Tiranës u thotë do të bëj që treni gjer në Kashar të vijë me naftë, nga Kashari gjer në Tiranë të vijë me elektrik. Se kryetari i bashkisë së Tiranës, merr një ditë një lopatë dhe një fidan, merr dhe mediat dhe u thotë se mbolla, fidanin e 1-miliontë, mbolla 1 mln fidane, duke harruar se 1 milionë pemë kërkojnë të paktën nga 600 në 900 hektarë. Por në fakt me 1 mln pemë fsheh vjedhjen që bën për paratë që ka faturuar 1 mln fidane. 

E çfarë fidanesh thoni ju, 5500 euro pishën, me faturë. Të gjitha këto para tuajat, të gjitha janë taksat tuaja, të gjitha u merren qytetarëve. 

Kurrë ndonjëherë shqiptarët nuk kanë votuar më shumë për veten e vet, se kësaj here, për të shpëtuar nga ky sekt që i vjedh ata ditën e natën, i varfëron, i mjeron dhe i detyron të largohen nga Shqipëria. 

Por këto janë zgjedhjet e jetës tonë gjithashtu, edhe për faktin tjetër, rivendosim pluralizmin. Çdo njëri prej nesh duhet të ndalojë dhe të shohë, ku janë pushtetet, të gjitha në një dorë, të gjitha në një dorë. 

Shkoni në gjykata po të doni. 95% të të gjitha vendimeve të gjykatave, janë pro qeverisë. Të gjitha vendimet e gjykatave ndërkombëtare janë kundër qeverisë. Kjo është e vërteta, se ky ka vendosur kontroll të plotë mbi gjykatat, se kontrolli mbi gjykatat do të thotë shkelmim mbi të drejtat e qytetarëve. Të drejtat e qytetarëve i mbrojnë gjykatat kudo në botë, në Shqipëri mbrojnë të drejtat e qeverisë. Mbrojnë hajninë e qeverisë, mbrojnë vjedhjet e qeverisë.

Dosje pas dosje kanë shkuar në atë që unë e quaj, skapi i partisë. Të gjitha mbyllen. Doni të mbyllen dosjet, i çojnë në skap, i cili duhet të ishte institucioni që do të mbronte me çdo çmim interesat tuaja nga këta hajdutë, por jo, mbron vjedhjet e tyre. Krijuan dhe skapin për të mbrojtur vjedhjen. 

Atëherë të përdorim votën dhe të jemi të sigurtë se me 14 maj ne do të fitojmë. 

Siç kemi përmbysur monizmin e parë, do të përmbysim edhe monizmin e dytë. Asgjë nuk do të pengojë qytetarët e Lushnjes dhe të Shqipërisë në 14 maj të votojnë Eduart  Sharkon, të votojnë Aurel Malkon, të votojnë kandidatët e primareve. Të votojnë rivendosjen e pluralizmit në qeverisjen vendore, të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë. 

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! 

Rroftë Lushnja! 

Faleminderit shumë!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco