Rekord investimesh në mars, buxheti kthehet në makineri elektorale

Rekord investimesh në mars, buxheti kthehet në makineri elektorale

15:36, 20/04/2023
A+ Aa A-

Buxheti i shtetit është përfshirë nga ethet elektorale, teksa qeveria ka zgjidhur qesen duke injektuar miliarda lekë në treg. Të dhënat paraprake nga Ministria e Financave tregojnë se vetëm në mars qeveria ekzekutoi 100 milionë euro investime publike, çka përbën një rekord historik për këtë muaj, që nga koha kur thesari raporton treguesit fiskal.

Statistikat tregojnë se pjesa dërrmuese e investimeve rekord në mars ka ardhur nga financimi i brendshëm, ndërkohë që investimet me fonde të huaja kanë një ecuri normale në raport me vitet e shkuara.  Për rrjedhojë deri në fund të tremujorin investimet me fonde të brendshme këtë vit ishin 9.5 miliardë lekë ose 3.6 herë më të larta se tremujori i parë vjet.

Zakonisht ecuria e shpenzimeve publike, aq më tepër investimeve, është anemike në muajt e parë të vitit, për shkak se shumica e programeve buxhetore duan kohë të çelen pas mbylljes së vitit.

Sipas tabelave fiskale, në dy muajt e parë të këtij viti investimet publike ishin vetëm 1.7 miliardë lekë gjithsej ose rreth 15 milionë euro. Por në mars, qeveria ka filluar të pompojë lekë agresivisht në treg duke ekzekutuar 100 milionë euro të tjera fatura të bizneseve të kontraktuara për investime publike.

Por shpenzimet kapitale të buxhetit qëndror nuk janë zëri i vetëm, përmes të cilit qeveria po përpiqet të stimulojë ekonominë përpara zgjedhjeve për të përfituar politikisht. Transferta e pakushtëzuar për pushtetin vendor po ashtu u rrit me 10 për qind këtë tremujor krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar, ndërkohë që rritje kanë shënuar edhe transfertat sociale për kategoritë në nevojë si ndihma ekonomike dhe kompesimet e tjera.

Përdorimi agresiv i buxhetit për të stimuluar ekonominë përpara zgjedhjeve ose cikli politik i biznesit siç njihet ndryshe, është një fenomen i njohur dhe i hershëm në ekonominë shqiptare. Por vitet e fundit, fenomeni i ndikimit të votës është zgjeruar përtej financave publike, me përdorimin masiv të parave që vijnë nga burime informale si korrupsioni apo aktivitetet e tjera të paligjshme./oligarkia.al/

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco