SYRI TV/ PD denoncon nepotizmin në bashkinë e Tiranës, publikohet lista me emërimet

12:44, 19/04/2023
A+ Aa A-

Bashkia e Tiranës shpenzon rreth 1 milionë euro në vit nga taksat e qytetarëve përmes punësimeve nepotike.  Partia Demokratike publikoi listën e punonjësve të bashkisë, ku nga 270 nëpunës, 127 rezultojnë emërime nepotike, ku drejtorët e Inspektoratit, të “Tirana Parking: dhe të Policisë bashkiake kanë punësuar njerëz nga rrethi i ngushtë familjar. Zëdhënësja e fushatës së opozitës, Silvi Bardhi, deklaroi se Veliaj po shpërdoron taksat e qytetarëve, ndërsa bëri thirrje për ndryshimin me 14 maj

Nga SYRI TV

Partia Demokratike denoncoi këtë të mërkurë nepotizimin në bashkinë e Tiranës, ku janë punësuar njerëz nga e njëjta familje,  për pagat e të cilëve janë shpenzuar rreth 1 milionë euro në vit nga taksat e qytetarëve.  PD publikoi edhe  listën e punonjësve të bashkisë, ku nga vëzhgimi  i pjesshëm i nëpunësve, tek 270 emra, 127 rezultojnë emërime nepotike.  Siç dallohet në  listë, Drejtori i Inspektoratit ka të punësuar vëllanë, kunatin dhe kunatën.

Drejtorja e “Tirana Parking” ka të punësuar motrën, bashkëshortin dhe kunatin, ndërsa drejtori i Policisë Bashkiake ka të punësuar bashkëshorten dhe nipin. 

Zëdhënësja e fushatës së  opozitës për bashkinë e Tiranës, deklaroi se ky është shpërdorim i padrejtë i taksave të kryeqytetasve nga Erion Veliaj, i cili sipas saj ka lënë borxh mbi 10 milionë euro në 2 mandate që ka drejtuar bashkinë e Tiranës.

Sipas Bardhit, ka ardhur koha për ndryshim dhe me 14 maj, banorët e Tiranës e kanë në duart e tyre ta kthejnë bashkinë në normalitet e në shërbim të qytetit e jo të kryetarit.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco