Rama sfidon Kushtetuesen, çon fadromat tek 'Prestige' ditën e shqyrtimit të padisë kundër konfiskimit të pronave

Rama sfidon Kushtetuesen, çon fadromat tek 'Prestige' ditën e shqyrtimit të padisë kundër konfiskimit të pronave

09:09, 12/04/2023
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama sfidoi së fundmi Gjykatën Kushtetuese, duke urdhëruar fadromat të prishin derën hyrëse të “Prestige Resort” në Golem dhe duke zaptuar një pronë private pa vendim gjykate.

Pas orarit zyrtar të punës efektivët e policisë dhe punonjësit e IKMT duke mos dhënë asnjë paralajmërim janë gjendur para “Prestige Resort” me një fadromë dhe kanë hedhur në tokë derën e resortit. Urdhri i Kryeministrit është ekzekutuar pikërisht dje, ditën kur në GJK po shqyrtohej një kërkesë e PDsë për shfuqizimin e aktit të qeverisë për konfiskimin e pronave me VKM, njofton Panorama.

OPERACIONI “BREGDETI YNË”

Në qershor të vitit 2021, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, IKMT, nisi operacionin e koduar “Bregdeti ynë”. Operacioni i reklamuar nga Kryeministri Edi Rama kishte si qëllim të deklaruar prishjen e objekteve pa leje ndërtimi të ndërtuara gjatë vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave përgjatë plazheve në të gjithë vendin. Si pjesë të operacionit Ministria e Brendshme njoftoi edhe prishjen e ngrehinës së një pike karburanti në rrugën kombëtare Fier-Lushnje. “Operacioni për shembjen e ndërtimeve pa leje nisi në qershor të këtij viti dhe rifilloi në shtator përgjatë gjithë vijës bregdetare”, thuhet në deklaratën e shpërndarë nga Ministria e Brendshme në “Facebook” gjatë asaj kohe.

Image

“Aktualisht, veç zonave bregdetare po shemben objekte pa leje edhe përgjatë akseve kombëtare”, shtoi Ministria. Por, pronarët e ngrehinës së shembur nuk ishin dakord me vendimin për shembjen e objektit, i përbërë nga një strehë metalike dhe një kioskë e të njëjtit konstruksion. Ata u ankuan në Gjykatën Administrative në Tiranë duke argumentuar se godina në fakt ishte me leje ndërtimi dhe kishin qenë duke kryer vetëm riparime, për të cilat po ashtu kishin zbatuar procedurat. Gjykata u dha të drejtë dhe me vendimin e datës 26 prill 2022, gjeti se në nxitim për të prishur objektin, IKMT-ja nuk kishte mbajtur asnjë akt që të provonte paligjshmërinë e godinës që po prishte. Inspektorati pretendoi në gjykatë se vendimmarrja e tyre nuk kishte “asnjë handikap ligjor” për të qenë e pavlefshme. Kjo nuk ishte hera e vetme që vendimet e IKMT-së janë rrëzuar në Gjykatë.

PRISHJA E “PRESTIGE RESORT”

Në dhjetor të vitit që shkoi, IKMT-ja hodhi në erë një hotel 7-katësh në bregdetin e Kavajës në pronësi të biznesmenit Irfan Hysenbelliu me pretendimin se ai ishte ndërtuar pa leje. Hysenbelliu e akuzoi Kryeministrin Rama se po hakmerrej për shkak të qëndrimeve kritike të mediave të tij ndaj qeverisë. Kryeministri këmbënguli se IKMT-ja po zbatonte vetëm ligjin dhe se do i jepte fund ndërtimeve pa leje. Përfaqësues të kompanisë u ankuan se vendimi i prishjes dhe ndërhyrja e IKMT-së u bë pa u dhënë atyre kohë për t’u mbrojtur dhe pa pritur vendimet e Gjykatës ku ishin depozituar padia dhe kërkesa për masë sigurimi.

“Erdhën në mëngjes pa asnjë paralajmërim, vendosën shirit sigurie në të gjithë territorin e resortit dhe polica nxori punonjësit e turistët me forcë jashtë”, tha Folitjona Puravelli, drejtoreshë Juridike e kompanisë “Erjoni” sh.p.k., shoqëri që kishte në pronësi “Prestige Resort”.

Rasti i shembjes së resortit nuk është shqyrtuar akoma në themel nga gjykata. Megjithatë, në vendimet e gjykatave administrative, ankimi për veprime pa paralajmërim dhe pa njoftim brenda afateve, ishin dy ndër arsyet kryesore pse gjyqtarët vendosin kundër IKMT-së. Zbatimi i ligjit dhe procedurave nuk duket sikur është pjesë e rutinës së punës IKMT-së edhe në fusha të tjera të kompetencës së Inspektoratit. Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, i cili drejtohet nga Dallëndyshe Bici, është raportuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit si institucion që kryen shembje të paligjshme.

Në raportin e vet të vitit 2018 për klimën e investimeve, Departamenti Amerikan i Shtetit vërejti: “Ka pasur raportime të besueshme se qeveria ka shembur disa shtëpi pa proces të rregullt ligjor si pjesë e një fushate më të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Qytetarët kanë dorëzuar ankesa se INUK ka injoruar kërkesat e qytetarëve për të shembur disa ndërtime pa leje, ndërsa kanë zgjedhur të shembin ndërtesa të tjera, për të cilat qytetarët nuk janë ankuar”. Rasti i fundit nuk bën përjashtim. Duke punuar në mënyrë të pazakontë në fundjavë për të vendosur tritolin, IKMT-ja duket se i mohoi Hysenbelliut mundësinë që t’i drejtohej gjykatave për të kërkuar masë mbrojtjeje paraprake.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco