Berisha në Malësi të Madhe: Në 14 maj votojmë ndryshimin, votojmë rivendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri

13:52, 02/04/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka prezantuar kandidatin e bashkisë së Koplikut, Isa Ramaj.

Berisha është shprehur se kjo malësi quhet Malësi e Madhe, nuk i vjen kjo, nuk quhet e madhe për përmasat gjeografike, e madhe quhet për përmasat shpirtërore të banorëve të saj

Të dashur malësore dhe malësor, banorë të Malësisë së Madhe, një mirënjohje të pakufishme për këtë pritje të zjarrtë, për këtë pritje kaq entuziaste, e cila përbën edhe mesazhin më të fuqishëm që ju përcillni në të 4 anët e Malësisë së Madhe, në të 4 anët e Shqipërisë, mesazhin e përmbysjes së monizmit, mesazhin e fitores tuaj, fitores së opozitës shqiptare.

Zonja dhe zotërinj!

Cilido që vjen këtu, vjen me kënaqësi të madhe dhe largohet gjithashtu me frymëzim të veçantë, sepse ai që lexon për këtë trevë, mahnitet, mrekullohet me trashëgiminë tuaj të jashtëzakonshme. Me rolin, kontributin tuaj thelbësor në historinë tonë kombëtare. Mahnitet dhe admiron, adhuron, shpirtin tuaj fisnik, bujar, trim.

Kjo malësi quhet Malësi e Madhe, nuk i vjen kjo, nuk quhet e madhe për përmasat gjeografike, e madhe quhet për përmasat shpirtërore të banorëve të saj. E madhe quhet për rolin që ata kanë luajtur në historinë kombëtare, për virtytet, që ata shfaqin dhe mbartin në jetën e tyre.

Shumë vite më parë, një udhëtare e shquar, Edith Durham ndalet në një familje në një fshat të kësaj malësie dhe mikpritja e të zotit të shtëpisë, kodi i mikpritjes që ai shfaq para saj, atë e mahnit dhe ajo e përshkruan si një dëshmi e një qytetarie, qytetërimi e cila thotë që koha nuk më lejoi që të merresha dhe ta studioja thellësisht. Pra këta keni qenë ju edhe 130 vite më parë dhe kjo trashëgimi u ka bërë ju njerëz të vyrtitshëm, trima, liridashës. Në çdo kohë të historisë, ju keni qëndruar në anën e drejtë, nga pavarësia.

Rezistenca juaj ndaj regjimit komunist është legjendë e rezistencës së njeriut për liri dhe dinjitet. Pas përmbysjes së diktaturës komuniste, ju keni qenë dhe mbeteni një bastion i pamposhtur i demokracisë dhe vlerave të saj.

Sot unë vijë këtu tek ju, për të paraqitur si kandidat për kryetar të bashkisë së Koplikut, njeriun që përzgjodhët me vullnetin tuaj, votën tuaj, që i dhatë besimit Isa Ramajt. Isa Ramaj është një demokrat i përkushtuar, por Isa Ramaj është gjithashtu edhe një ish-qeveritar vendor i PD-së, i sprovuar, i suksesshëm i respektuar. Isa Ramaj është edhe njëri prej jush, mbart, mishëron tiparet tuaja më të mira. Kam bindjen më të thellë se me Isa Ramaj, bashkia e Koplikut do të shndërrohet në shtëpinë tuaj të parë dhe Isa Ramaj në qytetarin tuaj të parë.

Kam bindjen se Isa Ramaj, së bashku me ju me ndryshimin që firmosni në datën 14 maj, do të arrijë të shënojë një kthesë të madhe, së pari në administrimin dhe përdorimin e të gjitha burimeve të bashkisë, me transparencën më të madhe para jush, me përgjegjësinë më të madhe, me ndershmëri të plotë.

Së dyti në shfrytëzimin e burimeve të pafundme natyrore që ka kjo malësi. Burimeve turistike, burimeve ujore, burimeve të bujqësisë, blegtorisë, pemëtarisë dhe të gjithanshme.

Askush nuk ka sakrifikuar më shumë se ju për liri dhe dinjitet kombëtar. Askush nuk ka qëndruar më fuqishëm se ju ndaj monizmit hoxhist, monizmit stalinist. Ndaj dhe ju sot këtu ju ftoj që të ngrihemi të gjithë në këmbë dhe me votën tonë 14 maj të votojmë ndryshimin të votojmë rivendosjen e pluralizmit politik në Malësinë e Madhe dhe mbarë Shqipërinë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco