Berisha: Rama është po aq xhelat sot ndaj lirive të shqiptarëve, aq sa ishte i ati i tij që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela

Berisha: Rama është po aq xhelat sot ndaj lirive të shqiptarëve, aq sa ishte i ati i tij që firmosi varjen në litar të poetit Havzi Nela

12:40, 02/04/2023
A+ Aa A-

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë ceremonisë përkujtimore të katër martirëve të demokracisë të vrarë nga regjimi në Shkodër në 2 prill 1991, ku u vranë Arben Broci, Nazmi Kryeziu, Besnik Ceka dhe Bujar Bishanaku, akuzoi Edi Ramën, se sot sillet ndaj shqiptarëve, njësoj si babai i tij në vitin 1988, kur firmosi për varjen e poetit, Havzi Nela.

Fjala e plotë kryetarit të PD-së, Sali Berisha:  

Të dashur familjarë, të afërm të martirëve të 2 prillit. Të dashur të persekutuar politikë, të pranishëm në këtë tubim. Drejtues të shoqatave antikomuniste. Të nderuar zotërinj deputetë. I dashur z. Kryetar i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahija.

Zonja e zotërinj!

Së pari, unë dua të shpreh nderimin tim më të thellë për familjarët e të rënëve që janë sot midis nesh në këtë 32 vjetor të martirizimit të bijve të tyre. Sot në zemrat tona, në mendjen tonë, bijtë tuaj dhe të Shkodrës, në zemrat e mbarë qytetarëve të Shkodrës dhe njerzve liridashës kudo, ata janë dhe mbeten më të gjallë se kurrë.

Ne përulemi sot me nderimin më të madh para sakrificës së tyre. Para sakrificës së Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës. Të rinj të cilët, 32 vite më parë mbushën këtë shesh për të protestuar paqësisht për votën e lirë. Për të protestuar kundër një diktature, e cila në një akt barbar zgjodhi kremtojë votën e rrëmbyer, zgjedhjet e rrëmbyera, me një masakër që Shkodra nuk e kishte parë në histori. Në breshëritë e falangave terroriste, të partisë terroriste, ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit. Por edhe u plagosën 87 qytetarë të tjerë.

Image

Tanket, autoblindat e ushtrisë u derdhën në qytetin bastion të anti-komunizmit. U derdhën mbi Shkodër, e cila qendroi si epiqendra kryesore e anti-komunizmit në Europë.

Miqtë e mi!

Sakrifica sublime e Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut, Besnik Cekës jehoi në mbarë botën e lirë. Ajo shënoi gjithashtu një vetëvrasje të vërtetë për diktaturën komuniste në grahmat e fundit. Bota pa se kjo diktaturë nuk pajtohej me votën e lirë. Se për këtë diktaturë, opozitarët, ata mendonin dhe votonin ndryshe, ishin armiq për t’u vrarë.

Sakrifica e martirëve të 2 prillit u shndërrua në një kushtrim për mbarë shqiptarët. Ata në fakt, u bënë dritë. Shpirti i tyre u bë dritë për shqiptarët në rrugën e përmbysjes në votën e lirë në 22 mars të diktaturës komuniste.

Ne sot i nderojmë martirët e votës së lirë pas 32 vitesh, por mjerisht, i nderojmë në kushtet e një monizmi të plotë. I nderojmë në kushte të njëjta me ato që ekzistonin ditën që ata ranë për t’u bërë të pavdekshëm.

Sot, të gjitha pushtetet janë në duart e një njeriu. Të gjitha liritë, të drejtat e qytetarëve të Shkodrës dhe të Shqipërisë, janë në duart e një njeriu, i cili kotrollon çdo pushtet. I cili vendos për çdo proces. I cili dhunon me makinerinë e tij të narkoshtetit çdo minutë, ço orë, çdo ditë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, përfshi dhe votën e lirë.

Edi Rama është po aq xhelat sot ndaj lirive të shqiptarëve, sa ishte i ati i tij që firmosi më 10 gusht të vitit 1988 varjen në litar të poetit kundërshtar, Havzi Nela.

Ai sot nuk vendos trikëmbësh, por sot ai me makinerinë e tij shtetërore, me vjedhjen monstruoze që iu bën shqiptarëve, me pasigurinë e plotë që ka krijuar me lidhjet e tij me krimin, i përze ata nga vendi i tyre sa asnjë pushtues tjetër në historinë tonë kombëtare.

Image

Ky monizëm sot bazohet në shkelmimin, rrëmbimin, vjedhjen e votës për të cilën ranë për t’u bërë të pavdekshëm martirët e 2 prillit. Bazohet në përçudnimin e një propagande që shëmbëllen njësoj me atë të kohërave të zeza të diktaturës. Bazohet në varfërimin, në shndërrimin e pasurive  publike në një mallkim për qytetarët shqiptarë, dhe jo bekim për ta, siç duhet të jenë.

Ne nderojmë martirët e 2 prillit në prag të zgjedhjeve të 14 majit. Njësoj si zgjedhjet e 22 marsit, zgjedhjet e 14 majit janë zgjedhjet e jetës sonë. Janë zgjedhje në të cilat përballen monizmi i egër i bazuar në krimin, vjedhjen dhe drogën, me idealet e lirisë së shqiptarëve, me vullnetin e tyre të hekurt për të rivendosur pluralizmin, për të rikthyer në Shqipëri demokracinë.

Shkodra mbeti gjithnjë besnike e idealeve të veta të lirisë. Mbeti bastion i pamposhtur i demokracisë dhe vlerave të saj.

Kam bindjen më të madhe se 14 maj do të jetë përsëri triumfi i idealeve të lirisë të qytetarëve shkodranë. Kam bindjen dhe ftoj shqiptarët kudo që janë të frymëzohen nga sakrifica sublime e martirëve të 2 prillit, nga qëndresa e qytetarëve të Shkodrës, nga besnikëria e tyre e palëkundur në asnjë rrethanë. Ndaj vlerave dhe idealeve të lirisë të qytetarëve.

Edhe njëherë nderim përjetë martirëve të 2 prillit. Respekt të pakufishëm familjarëve të tyre.

Rroftë Shkodra! Rroftë Shqipëria!

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco