Afera/ Kryemadhi sfidon Ramën dhe kreun e SPAK: Le të hapim bashkë dyert e inceneratorit të Tiranës

Afera/ Kryemadhi sfidon Ramën dhe kreun e SPAK: Le të hapim bashkë dyert e inceneratorit të Tiranës

13:23, 01/04/2023
A+ Aa A-

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, publikoi sërish të tjera pamje që tregojnë se kontrata e nënshkruar për inceneratorin e Tiranës nuk zbatohet, ndërkohë që vjedhja me fondet publike vazhdon rregullisht.

Kryemadhi sfidoi kreun e qeverisë, Edi Rama, por indirekt edhe drejtuesin e SPAK, që të hapin dyert e inceneratorit të Tiranës për publikun.

“Nuk ka kompani në botë që mund të fitojë arbitrazh për mospërmbushje të kontratës! Këto mashtrime nuk mund t’i shiten sot qytetarëve shqiptarë,” tha Kryemadhi.

DEKLARATA E PLOTE

Pandëshkueshmëria e zyrtarëve të lartë publik është bërë normalitet shumë i rrezikshëm në Shqipëri.

Kjo pandëshkueshmëri, ka bërë të rritet edhe arroganca e qeveritarëve tanë, të cilët blejnë dhe intimidojnë media kombëtare, në mënyrë që qytetarët të qëndrojnë larg nga e vërteta. Kemi parë këto ditë intimidim nga regjimi edhe të faqeve satirike online.

Në 17 janar 2023, i kam treguar me ze dhe figure të gjithë shqiptarëve se si vidhen paratë e tyre përmes inceneratorit të Tiranës, ku mbetjet as nuk trajtohen, as nuk digjen, por vetëm groposen primitivisht, ndërkohë që nga taksat e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, inceneratori merr 29 euro/ton për gjasme shërbimin e trajtimit të mbetjeve.

Droni i të vërtetës filmoi për 180 ditë, dhe në 17 janar, të gjithë shqiptarët panë me sytë e tyre se çfarë ndodh në Tiranë, që me grumbullimin e mbetjeve në një kamion të vetëm, edhe pse qytetarëve u kërkohet t’i diferencojnë ato, por edhe panë faktin më skandaloz, se në Sharrë mbetjet as nuk diferencohen, as nuk trajtohen, lëre më të digjen për të prodhuar energji.

Sot, 75 ditë më vonë, ku pagesat e Erion Veliaj për inceneratorin kanë vazhduar, atje vijon i njëjti skandal i vjedhjes haptazi të parave të shqiptarëve.

Droni i të vërtetës u ngrit sërish ditën e djeshme, dhe ju ftoj të shikoni pamjet ekskluzive për shërbimin e trajtimit të mbetjeve që ndodh realisht ne inceneratorin e Tiranës, për të cilin paguajmë 29 euro/ton.

Në këto 75 ditë, inceneratori i Tiranës ka marrë minimalisht 2 milionë e gjysmë euro, por nëse llogaritet edhe pagesat që ka marrë nga bashkitë e tjera dhe biznesi, kjo shifër mund të rezlutojë 4 apo 5 herë më e madhe.

Ja pra, që diferencimi e trajtimi i mbetjeve nuk ka ndodhur.

Ja pra, që djegia e mbetjeve për të prodhuar energji, nuk ka ndodhur.

Ja pra, që pagesa 29 euro/ton nuk shkon për të marrë nga inceneratori i Tiranës shërbimin e kontratës koncesionare, por ato para u kthehen në mënyra të tjera Erion Veliajt që i bën këto pagesa, dhe qeveritarëve të tjerë.

I kërkoj Ramës, që sa humb kohë dhe para me izraelitët duke paguar për lajme të rreme dhe duke blerë sekonda për të hedhur vrer në TV kombëtare kundra meje, bëhu kurajoz.

Hap dyert e inceneratorit dhe tregoji shqiptarëve për krenaritë e tua. Shkojmë bashkë që sot.

Përse fshihesh dhe nuk bën transparencë?

Të dashur qytetarë,

Zero iluzione nuk duhet të ketë për këdo zyrtar se do të shpëtojnë nga forca e ligjit për inceneratorët.

Pamjet e dronit të 17 janarit 2023, i kanë zyrtarisht edhe organet e drejtësisë shqiptare.

Në 2016, reforma në drejtësi nuk u votua me 140 vota nga e gjithë klasa politike, që për 1 vjedhje që zbulohej, hetimi i saj të zgjatej dhe zyrtarët publikë të qëndronin të pandëshkuar, me mbrojtje nga shteti.

Nuk ka kompani në botë që mund të fitojë arbitrazh për mospërmbushje të kontratës! Këto mashtrime nuk mund t’i shiten sot qytetarëve shqiptarë.

Kjo është një kontratë, e cila nuk ka përmbushur detyrimet, nuk ka kryer investimet, dhe ka korrupsion brenda të faktuar me fatura tatimore.

Ndaj edhe një kërkesë shkon edhe për kreun e SPAK, që ta shikojë me vëmendje dhe në mënyrë të plotë dosjen, nisur nga faktet, jo nga SMS e kryeministrit.

Droni dhe faktet do vijojnë të buçasin fort për inceneratorët. Çdo fakt që më vjen edhe për intimidimin apo blerjen e drejtësisë do të bëhet publik. Ndërsa unë vazhdoj të bëj thirrje për transparencë, që ta hapen dyert e inceneratorit të Tiranës, ju garantoj se në 15 maj, 1 ditë pas ikjes së Erion Veliaj nga karrigia që i lejon të bëjë pagesat për inceneratorin e Tiranës, nuk do të paguhet më për këtë vjedhje të përditshme të shqiptarëve.

Faleminderit

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco