Kur do të bëhen ‘Lefterë’ nga SPAK, Rama dhe Veliaj

Kur do të bëhen ‘Lefterë’ nga SPAK, Rama dhe Veliaj

14:14, 16/03/2023
A+ Aa A-

Nga Basir Çollaku/

Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla, bëhet Lefteri i dytë në qeli, bashkë me nënkryetaren dhe njëmbëdhjetë zyrtarë të tjerë, për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh, në një abuzim të dyshuar për afro 3 milionë euro. Prokuroria e Posaçme, në një presion të madh publik për rezultate konkrete, ka sjellë një arrestim të dytë kryebashkiaku. Këtë herë në Bulqizë. Ngjashëm për tendera, pas atij të Lushnjës Fatos Tushe po për kanale e ujësjellësa.

Natyrisht vjedhja e parasë publike nga zyrtarët, duhet ndëshkuar, kushdoqoftë ai apo ajo. E për këtë Prokuroria duhet përgëzuar.Çështja sipas njoftimit zyrtar kishte afro gjashtë muaj në hetim, për të konkluduar se ka ndodhur konsumi i veprës penale nga të dyshuarit, duke sjellë veprimin e marrrjes së masës së arrestit me burg, për funksionarët e bashkisë. Më tej do të jetë përballja në gjykatë për të mësuar fajësinë e të akuzuarve. Ngjarjet penale janë të shumta.

Në raportimin e tij vjetor në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, drejtuesi i saj, zoti Altin Dumani, ndër të tjera pohoi se janë regjistruar disa procedime penale. Konkretisht për katër ish-deputetë, një ish-zëvëndës ministër, tre prokurorë dhe katër ish-kryebashkiakë. Gjithashtu tha se ka 12 referime për pastrim parash, nga juridiksioni i huaj, partnerët tanë, për një vepër penale me rritje të ndjeshme.

Brenda dhe jashtë unazës

Sjellja e SPAK, për ngjarje ku hetohen zyrtarë, pushtetarë, funksionarë, në institucione jashtë unazës së vogël të Tiranës, me ato brenda saj, ndryshon me një befasi të pazakontë. Prokurorë, ish kryebashkiakë, oficerë policie, grupe kriminale, sidomos pas referimeve nga vende të BE, Britania apo USA, kanë një dendësi dhe prani më të madhe hetimore. Në kujtesën publike janë ngjarje me rëndësi të konsideryueshme, ku pritet qëndrimi, reagimi, veprimi, i Prokurorisë së Posaçme njëlloj me Lefterët...

Inceneratorët. Dosja ka një akuzë zyrtarisht për shpërdorim të së paku gjysëm miliardë euro para publike. Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti socialsit Alqi Bllako, e disa drejtorë janë në qeli. Deputeti ish-ministër, ish-zëvëndëskryeministër, Arben Ahmetaj, është në hetim. Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi, kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako firmëtare për miliona euro të ardhura nga bashkia e drejtuar prej saj drejt Tiranës, janë marrë në pyetje, por janë lënë në harresë të shkujdesur nga prokuroria.

Paprekshëmria është ndaj kryeministrit Edin Rama dhe kryebashkiakut në detyrë Erjon Veliaj. Për Veliajn ka shkresë zyrtare të publikuar ku ai nënshkruan në emër të një Këshilli Bashkiak të pambledhur, për dakortësinë e kryerjes së veprimeve. Njëherësh po nga kjo bashki, drejtuar prej tij, vijojnë të paguhen 80 mijë dollarë në ditë kompanive në hetim, drejtuar nga të pandehur, duke kapërcyer çdo lloj tenderi të atyre të arrestuarve të deritanishëm. Arben Ahmetaj ka deklarim mediatik, në të cilin thotë se nuk ka qenë ai fuqiplotë për të mbledhur qeverinë e bërë 17 vendime brenda një dite, për inceneratorët. Duke lënë të kuptohet se ai është Edi Rama. Njëherësh kërkoi të dinte për mos-hetimin e Veliajt të përfshirë në këtë dosje të madhe. Kryebashkiaku i Tiranës ka disa dosje në SPAK, por asnjë nga prokurorët nuk ka mbërritur dot në zyrat e tij të kërkojë qoftë edhe një shkresë të vetme. Ka ende kohë… Beqja e Gjiknuri, janë dy ish-ministra të cilët kanë hyrë e dalë nga SPAK jo pak herë për të dëshmuar. Olgerta Manasterliu ministre e Shëndetësisë ka jo pak tendera të kohës së pandemisë, të hetuar në formë komike nga SPAK, duke sugjeruar mos e përsërisin më herë tjetër.

Tenderi 28 milionë eurosh për uniformat e policies, në Ministrinë e Brendshme, u qesharakëzua me hetim e denim drejtorësh të nivelit të dytë apo të tretë, duke lënë jashtë përgjegjësisë ish-ministrat Fatmir Xhafa, Sandër Lleshi, Sekretarin e Përgjithshëm Plarent Ndreca. Taulant Balla është gjendur nën shumë akuza dhe sërish Prokuroria ka qenë anemike në përpjekjen për të shkuar thellësisht në zbardhje të së vërtetës. Olta Xhaçka është një tjetër ministre në Ministrinë e Mbrojtjes janë hetuar disa tendera, e sot janë të tjera dosje si ajo e bazave detare në Sarandë dhe Shëngjin, me rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare në tokë dhe në det. Edi Rama prej muajsh është në hetim nga drejtësia amerikane përfshirë në një aferë korruptimi të ish-drejtorit të kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal ku nuk mungon në këtë ekip, oligarku rus i sanksionuar, ish-agjenti i KGB, Oleg Deripaska, përfitues miliona dollarëve në Shqipëri.

Edhe për këtë, SPAK, ka tagër të regjistrojë një procedim penal, për të hetuar episode të ngjarjeve të ndodhur në Shqipëri, nga kryeministri dhe të tjerë të përfshirë. Janë një numër i madh dosjesh, çështjesh, për të cilat Prokuroria e Posaçme, nuk ka qenë në gjendje, ndonëse ka kaluar shumëfish i kohës, të “lefterizojë” konkluzionet me marrje të pandehur të të dyshuarve për vepra penale, tagër i saj hetimor. Për veprime në raste jo të pakta jashtë unazës, efekti do të mbetet gjithnjë, jashtë unazës së pushtetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco