Lajmi i fundit

LIVE/ Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare

Profesioni i mësuesit në udhëkryq historik !! Një apel për Ministren e Arsimit

Profesioni i mësuesit në udhëkryq historik !! Një apel për Ministren e Arsimit

17:40, 19/02/2023
A+ Aa A-

Nga Qemal Çejku/

Një tjetër arnim i ligjit për Arsimin Parauniversitar, në shkelje të plotë të tij, u bë sërish nga Ministria e Arsimit. Përmes një udhëzimi , praktikë e tejpërdorur nga qeverisja për të zbatuar ligjet sipas Maliqit, do të trondisë rëndë strategjinë për profesionin e mësuesisë. Zonja ministre... Padija mbi Ligjin për  Arsimin Parauniversitar nuk justifikon shkeljen e tij. 

Ky nuk quhet udhëzim zonjë, por shkelje e radhës jo vetëm e ligjit, por dhe e ligjit të profesioneve të rregulluara.
Ku jemi dhe çfarë po ndodh  me nismën tuaj të mëparshme  për vizionin  në degët me rendësi strategjike për mësuesi, bujqësi, etj? Pse  nuk erdhi asnjë student sivjet dhe a do të ketë prurje për sezonin e ri akademik?! 

Nisma juaj do të sfumojë përfundimisht profesionin e mësuesit, pasi asgjë nuk prodhohet  nga asgjëja. Një vakuum i tërë infratrukture dhe mendësie e cila, nëse nuk ngrihet mbi bazën e studimeve të thelluara profesionale, me analizë krahasimore dhe të përafruar me BE, do të mbetet kakofoni e radhës së një zhurme politike.

Nëse nismat për universitet dhe për reformat në sistemin arsimor do të vijnë nga politika e militanteve,  propaganda dhe servilizmi partiak i  facebook-ut, cilësia e Arsimit Parauniversitar do të vijojë në rënie të lirë. 
Nuk do të kemi ecje përpara, por do të kemi varësi të plotë në universitete, në sistemin  arsimor në tërësi dhe përfundimi është: injorancë e shtuar me diplomë dhe çertifikim i brezave të paaftë për tregun e punës. 

Pas këtij udhëzimi është e sigurtë që sistemi arsimor do të mbushet me ata që sot nuk gjejnë vetën në tregun punës, me ata që ju keni përzgjedhur...militantë, patronazhistë e aktivistë.  Këto nisma, e nderuar zonjë, janë të përshtatshme për shtabin e partisë në Elbasan, ku mund të të japin oksigjen politik, por aspak vizion për arsimin publik dhe rëndësinë e tij strategjike për të ardhmen e Shqipërisë. 

Sipas ligjit APU të vitit 2012 (që në fakt ju e keni masakruar me ndërhyrjet) ështe e përcaktuar se si formohet një mësues; kemi 3+ 2+ praktikë profesionale pedagogjike mësimdhënie + provim shteti. Çfarë ndodhi tani që në të njëjtën shkollë do të kemi mësues me licencë, sipas ligjit aktual, dhe mësues pa provim shteti dhe me kurse partie që pritet t'i urdhëroni universitetet dhe ato t'i certifikojnë si mësues?! 

Ka qenë  në Universitetin e Korçës një mastër profesional në pedagogji dhe didkatikë me  ECTS,  për mësuesit e shkollave profesionale (besoj se një i tillë do i vinte për shtat nismës suaj) , por është mbyllur me një status tjetër facebooku.

Është e vertetë ajo që thua që sistemi ka nevojë për mësues të TIK, filozofi etj, etj, por nuk është kjo zgjidhje, as e duhura profesionale dhe as politike. E para shkel barazinë në sitemin arsimor ndërmjet mësuesve dhe e dyta do të fusësh  në sistem profesionistë nga fusha të ndryshme, por jo mësues. 
A ka një studim real sesa mësues kanë mbetur peng i pseudoportalit tuaj, për shkak të mesatares së tyre, apo të garave të pandershme dhe jo transparente, në sistem? U trumbetua me të madhe se po bëhet studim për nevojat që kanë mësuesit për trajnime. Ku gjendet dhe si është realizuar studimi? Ku janë rezultatet dhe  trajnimet? Apo alokohen diku fonde që shkojnë për propagandë dhe  të ardhura në xhepat e shefave që t'i përdorin për vota, në prag të fushatës elektorale? 

Asnjë nismë nuk ka vlerë, zonja ministre, nëse nuk rrisni buxhetin për arsimin, e shoqëruar kjo rritje me një strategji reale të hartuar nga profesionistë në universitetet tona të edukimit, ekspertë të fushës, mësues me përvojë, etj. Nëse ju doni studentë të mirë në fakultete të mësuesisë, rishikoni tërë politikat e:
- provimit të maturës;
- ndërgjegjësimit të të rinjve dhe inkuarjimit të tyre për të ndjekur studimet e mësuesisë si një nga profesionet më të nderuara në shoqëri;
-rritjen e  pagave dhe kualifkimit të tyre me trajnime e plot nisma të tjera profesionale.  
 Çdo udhëzim zonja ministrie,  në shkelje të ligjit dhe vizionit të profesionit, është dhe mbetet show  politik i radhës, i paaftësisë së zyrtarëve militantë dhe në dëm të pandreqshëm të rolit  sublim të mësuesit në mbrojten e vlerave të  diturisë dhe të ardhmes.së shoqërisë tonë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco