Lajmi i fundit

LIVE/ Erion Veliaj paraqitet në SPAK

BIRN: E paprecedentë, PS ‘pezullon’ ligjin për të shmangur hetimin parlamentar për çështjen 'McGonigal'

BIRN: E paprecedentë, PS ‘pezullon’ ligjin për të shmangur hetimin parlamentar për çështjen 'McGonigal'

17:34, 16/02/2023
A+ Aa A-

Në një akt të paprecedentë, mazhoranca socialiste deklaroi të enjten se ligji për komisionet hetimore nuk mund të zbatohet deri në përfundimin e procesit të ndryshimit të tij, duke shmangur një komision hetimor për çështjen ‘McGonigal’ - ku një ish-zyrtar i lartë i FBI-së akuzohet për përfitime, udhëtime dhe takime të padeklaruara në Shqipëri, përfshi edhe ato me kryeministrin Edi Rama.

Nga Blerina Gjoka-BIRN

Socialistët refuzuan të merrnin në shqyrtim në Kuvend kërkesën e opozitës për ngritjen komisionit që ngrinte pikëpyetje mbi ligjshmërinë e takimeve të kryeministrit me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal.

Drejtuesja e seancës plenare, Ermonela Felaj lajmëroi se nuk do të kishte një vendim për ngritjen e këtij komisioni duke e kushtëzuar këtë me një proces për ndryshimin e ligjit që ka ndërmarrë Kuvendi.

‘Konferenca e Kryetarëve vendosi shtyrjen e vendimit për kërkesën deri në miratimin e ndryshimeve në ligjin për komisionet hetimore’- tha ajo.

Por, deputetët e opozitës kundërshtuan duke e cilësuar një përpjekje antikushtetuese.

‘Këtë ligj mund ta pezullojë vetëm Gjykata Kushtetuese’- argumentoi Oerd Bylykbashi duke e cilësuar të papranueshme që sipas tij pezullohet një ligj me vendim të një organi të Kuvendit.

‘Sot duhet që ky parlament të hetojë në të drejtën e vet. Ka madje edhe marrëveshje për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese’- tha ai.

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili e kishte paralajmëruar këtë qëndrim të mazhorancës që kur u dorëzua kërkesa e opozitës, e mbrojti vendimin si një detyrim ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, po pa sqaruar se cilit vendim i referohej.

‘Vendimet e Gjykatës Kushtetuese zbatohen automatikisht’, tha ai duke shtuar se ‘ndaj është ngritur një komision i posaçëm për ndryshime në ligjin ku të transfuzohen këto vendime’.

I pyetur nga BIRN se mbi ç’bazë ligjore një ligj duhet të pushojë së ekzistuari kur për të është hapur një proces ndryshimi, Balla nuk u përgjigj.

Edhe Felaj nuk solli argumente për të njëjtën pyetje, ndërsa referoi procesverbalin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve për të parë arsyet ‘ligjore’ të përdorura nga përfaqësuesit socialistë.

Por, Kuvendi nuk e vuri në dispozicion procesverbalin e mbledhjes së datës 7 shkurt , i cili duhet të ishte publik, me arsyetimin se kalon disa procedura administrative para publikimit.

Ndërkohë Felaj dhe Balla pretenduan se kërkesa e opozitës ishte e falsifikuar dhe se sekretariati i Kuvendit për procedurat po hetonte mbi këtë pretendim.

‘Ajo kërkesë dyshohet të jetë e falsifikuar, gjë e cila është konstatuar pas përfundimit të mbledhjes së konferencës, çka po trajtohet nga sekretariati për procedurat, etikën dhe votimin’- tha Felaj.

Vendimi i PS-së u komentua nga ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila e cilësoi rastin një ‘skandal të paprecedentë’.

‘Në tre dekada nuk ka ndodhur kurrë që kur opozita kërkon komision hetimor, ata të mos e japin. Por gjëja më e pabesueshme është që zonja thotë se Byroja ka pezulluar një ligj për komisionin hetimor’- tha Topalli duke folur gjatë një proteste të opozitës para godinës së Kuvendit të enjten.

Kërkesa e firmosur nga 42 deputetë të opozitës ka si objekt verifikimin e ‘nxitjes, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, ryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së, Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të opozitës shqiptare’.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco