Protesta, PL: Kjo qeveri  duhet larguar pasi po vret jo vetëm shpresën, por dhe vetë shqiptarët

Protesta, PL: Kjo qeveri duhet larguar pasi po vret jo vetëm shpresën, por dhe vetë shqiptarët

12:07, 13/02/2023
A+ Aa A-

Partia e Lirisë i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që të bëhen pjesë e protestës së sotme para Parlamentit, për largimin e kësaj qeverie që, sipas saj, vret jo vetëm shpresën, por vret çdo ditë shqiptarët

Nga foltorja e PL-së, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Silva Caka theksoi se Shqipëria vijon të shuhet me ritme të frikshme, ndërsa arsye mbetet e njëjta, keqqeverisja e vendit nga mazhoranca socialiste

“Shqipëria vijon të shuhet me ritme të frikshme. Shtesa natyrore, që mat diferencën mes lindjeve dhe vdekjeve në vitin 2022, është më e ulëta ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, që nga vitet kur ka filluar matja dhe raportimi i këtyre të dhënave.

Shtesa natyrore po shkon drejt zeros dhe kjo është shifra më e ulët që nga viti 1934.

Pra Shqipëria sot, në vitet e regjimit të Rilindjes, ka rritjen më të ulët edhe se në vitet ’39-’44, kur Shqipëria gjendej në vitet e Luftës së II Botërore.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2022, është shënuar një rënie e lindjeve prej 13.5%, krahasuar me vitin 2021.

Kjo është një goditje shumë e rëndë për Shqipërinë, e cila po vuan pasojat e një shpopullimi masiv dhe gërryes.

Vetëm të dhënat e ardhura nga kërkesat për leje qëndrimi nga vendet e Bashkimit Europian, raportojnë për 756 mijë shqiptarë të larguar, pa përfshirë këtu gjithë të tjerët që largohen ilegalisht e që nuk mund të raportohen nga autoritetet e huaja.

Të gjitha këto të dhëna të frikshme e kanë një shpjegim fatkeqësisht, i cili vjen në disa dimensione: keqqeverisje, korrupsion, kriminalitet, papunësi, paga të ulëta, siguri jete inekzistente e çmime të larta.

Sipas studimeve të raportuara në media, 88% e të punësuarve, e konsiderojnë të vështirë rritjen e një fëmije, si pasojë e pasigurisë për mbajtjen e vendit të punës.

Jeta për një familje të re në Shqipëri është e pamundur, për aq kohë sa duhet të përballen me shumë vështirësi në të njëjtën kohë: pagat skandaloze, pasiguria në punë, çmimet stratosferike të apartamenteve, si për blerje, ashtu edhe për qera, çmimet e rritura të ushqimeve dhe shërbime të paaksesueshme, të cilat pengojnë realisht ndërtimin e një jete të re.

Të gjitha këto, në mënyrë direkte po ndikojnë jo vetëm në largimin masiv e në shtesën natyrore të popullsisë, por shumë shpejt do japin efektet e tyre shkatërruese në ekonomi dhe në skemën e pensioneve.

E me gjithë këto pengesa për popullsinë në tërësi, por veçanërisht për të rinjtë e familjet e reja, nuk mbetet asnjë shpresë tjetër përveç largimit të shkaktares së kësaj gjëndjeje të mjerueshme ku ka përfunduar e po precipiton çdo ditë Shqipëria.

I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve, të bëhen pjesë e protestës së sotme, për largimin e kësaj qeverie që vret jo vetëm shpresën, por vret çdo ditë shqiptarët.”, u shpreh Silva Caka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco