Skandali 'McGonigal'/ Lela: Seria e protestave do jetë e pangjashme - Rama është i frikësuar!

20:10, 02/02/2023
A+ Aa A-

Drejtori i zyrës së shtypit dhe komunikimit në PD, Alfred Lela shprehet se gjyqi ndaj Charles McGonigal në SHBA do të zbulojë të dhëna të reja nga korrupsioni i Edi Ramës. 

Për edicionin e orës 19:00 në Syri Tv, me moderatoren Armela Ferko, Lela tha se kryeministri është pjesë e aktpadisë ndaj McGonigal në SHBA. 

Nëse ish-agjenti i FBI nuk bën pakt me Departamentin e Drejtësisë, tha Lela, atëherë aktpadia do të nxjerrë në pah pamjen e plotë të manipulimeve dhe korrupsionit të kreut të qeverisë. 

"Nëse McGonigal bën një pakt me departamentin e drejtësisë. Me një 'deal' mund të mbyllet dosja me një dënim të shkurtuar, u jep diçka dhe merr diçka në këmbim, duke njohur edhe statusin e tij si zyrtar i lartë. Mund të ndodhë që sistemi të ketë nevojë të ruajë veten nga ekspozimi i tepërt. Nëse kjo nuk ndodh, gjyqi me dëshmitarët që do të thirren, me të rejat që do dalin, ka shumë për të shpalosur dhe mendoj se nëse ndodh kështu, ne do të marrim vesh shumë më shumë se çfarë ka në këtë aktpadi dhe e gjithë pamja e korrupsionit, e manipulimeve do të na shpaloset shumë e qartë", u shpreh Lela. 

Ai shtoi se refuzimi për të ngritur komisionin hetimor për skandalin Rama-McGonigal, tregon frikën dhe panikun e qeverisë dhe të vetë kryeministrit. 

"Refuzimi i ngritjes së këtij komisioni, refuzim brutal, tregon frikën dhe panikun e kreut të qeverisë dhe të vetë zotit RamaMospranimi i një mekanizmi kaq akut të demokracisë, një mjeti të përballjes parlamentare siç është një komision parlamentar, është pjesë e të gjithë teatrit absurd që luhet prej kohës nga një qeveri që nuk e duron opozitën. Në dosje shfaqet qartë lobimi, pagesat për të sulmuar, lobuar, heshtur, për të helmuar dhe asgjësuar opozitën. Të gjitha këto bashkë diku bashkohen dhe tregon se Rama e do vendin pa opozitën sepse do të qeverisë në një livadh ku të dëgjohet vetëm zëri i tij. Zoti Rama është kapur duke korruptuar një agjent të lartë, një drejtor të kundërzbulimit të FBI, një prej agjencive më të mëdha dhe më të respektuara në botë. Kjo është një përballje e një shkalle kombëtare", tha ai. 

Sa i takon protestës së 11 shkurtit, Lela foli për seri protestash duke shtuar se ato do të jenë të pangjashme me ato që janë zhvilluar ndonjëherë. 

"Me siguri protestat e radhës, seria e protestave, do të jenë të pangjshme me ato të tjerat. Një farë pamje të saj besoj e patë në përballjen e sotme parlamentare. Kërkohet jo radikalizëm, por të paktën kërkohet radikalitet, përballje të drejtpërdrejtë por edhe t'u përgjigjet kërkesave të opinionit publik opozitar dhe jo vetëm opozitar, por t'i përgjigjet edhe kohës, këtij skandali që është i paprecedentë në shkallën e vet", theksoi Lela. 

Lela tha gjithashtu se PD po mbledh materiale për të përpiluar një dosje voluminoze me skandalet e qeverisë, përfshirë edhe korruptimin e Charles McGonigal, për t'ia paraqitur institucioneve në SHBA dhe jo vetëm. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco