Lajmi i fundit

VIDEO/ Veliajn e presin me protesta në SPAK: O hajdut, o hajdut!

Teliti: Qeveria përdori bordin për të mbushur arkën e shtetit. Paratë do përdoren në zgjedhje!

20:57, 18/01/2023
A+ Aa A-

Eksperti i ekonomisë, Dorian Teliti deklaron se Bordi i Transparencës u përdor nga qeveria për të mbushur arkën e shtetit. 

Në 'Këndi i Pano Sokos', në Syri Tv, Teliti tha se paratë që iu morën shqiptarëve përmes rritjes abuzive të çmimit të karburanteve, do të përdoren në zgjedhjet e 14 majit. 

"Ka dalë edhe një i fituar nga bordi. Duke e mbajtur çmimin e lartë, një pjesë e taksimit është në bazë të vlerës, që është TVSH. Dhe qeveria, sipas asaj që flitet nëpër korridoret e Ministrisë së Financave, ajo që po bën bordi është, ndihmon edhe arkën e shtetit për t'u mbushur më tepër. Jemi para zgjedhjeve. 14 maji po troket, paratë duhen, duhen paguar firmat, bizneset, miqtë, shokët. Pra, është një instrument i cili ka ligjëruar grabitjen, ka ligjëruar vrasjen e konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe ka ligjëruar rritjen e të ardhurave në arkën e shtetit për t'i çuar jo në shërbim të qytetarëve për shkolla, mjedise më të mira, për spitale, për shërbime publike, por për t'i çuar te ato firmat, bizneset, sipërmarrjet që janë miq dhe shokë të oborrit qeveritar që do të ndihmojnë 61 kandidatët e mazhorancës në zgjedhje duke i financuar në mënyrë të paligjshme. Ky është realiteti i trishtë", u shpreh Teliti. 

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD tha gjithashtu se bordi duhej të ishte shkrirë. Ai solli në vëmendje se për ditë me radhë nafta në bursë ishte në rënie, por bordi nuk u mblodh asnjëherë. Ndërsa një ditë më parë, sapo nafta lëvizi me trend rritës në bursë, e përktheu me rritje direkte prej rreth 10 lekë të reja çmimin e karburanteve në vend. 

"Bordin e kemi patur prej 11 muajsh, mori para nga xhepat e qytetarëve më tepër se sa duhej të merrte, por edhe pasojat që do të lërë më pas, kur të anulohet. Lajmi i mirë duhet të ishte anulimi i bordit. Nuk ndodhi kjo. Dje u përballëm me faktin që bordi jo vetëm që nuk ishte në gjumë, por qenka i vëmendshëm në momentin që grafiku vjen në rritje. Tre javë që grafiku vinte në zbritje, bordi nuk ishte i zgjuar, nuk ishte i vëmendshëm për këtë lëvizje. Ndërkohë që në një moment sa rritet pak, menjëherë bordi e rrit me 100 lekë të vjetra për litër karburantin. Kush shkon t'i hedhë makinës 50 litra, do të paguajë 5 mijë lekë më tepër. Plot njerëz që punojnë marrin 5 mijë lekë rrogë ditore", theksoi ai.    

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco