Kur budallallëku vërshon jashtë çantës!

Kur budallallëku vërshon jashtë çantës!

19:16, 07/01/2023
A+ Aa A-

Nga Lutfi Dervishi

Një foto e një çante Louis Vuitton me flamurin kombëtar e postuar sot nga kryeministri ka marrë në Facebook 21 mijë pëlqime, 1400 komente dhe 900 shpërndarje?! Numri i pëlqimeve në instagram është edhe më i lartë (27 225).

Te pëlqimet krahas anëtarëve të qeverisë, spikasin kryebashkiakë, por edhe Inspektoriati Shtetëror i Mbrojtjes së Territorit, ambasada shqiptare Kanada, ambasada shqiptare Sofie, ambasada shqiptare Riad, Konsullata e Përgjithshme e nderit Finlandë.

Meqë jemi në sezonin e gripit nuk mbesin pas me pëlqime as Qendra Shëndetësore Petrele, Qendra Shëndetësore 5 Tiranë dhe dhjetëra institucione që mesa duket kanë prioritet pëlqimet, komentet dhe shpërndarjen e postimeve të kryeministrit. 

Nuk ia vlen të përmendësh këtu ushtrinë e ndjekësve false dhe patronazhistëve, por në këtë dehje servilizmi të shëmtuar duhen përmendur dy fakte për të zgjuar nga dalldia atë që dëshiron. 

Çantat me flamuj të vendeve të ndryshme të botës përfshirë dhe të Shqipërisë u prodhuan në korrik 2018. Nuk patën fare sukses. Nuk është çantë e re. Në korrik të këtij viti feston 5 vjetorin! 

Louis Vuitton ka ndërruar jetë në 1892, 20 vjet para se flamuri ynë të ngrihej në Vlorë. 

Më 1871 atelienë e tij dhe dyqanin në Paris ia rrafshuan revolucionarët e Komunës së Parisit. 

Më 1992 LV ka hapur dyqan në Kinë dhe me 2003, në Moskë.

Dyqanin më të madh në rajon e ka në Beograd.

Babai i LV ishte…mullixhi, ndërsa vetë LV ka punuar që në moshën 14 vjeç si çirak.

Nga banesa e tij deri në Paris ku gjeti punën e parë iu desh të ecte 400 km në këmbë!
(U largua nga familja se e keqtrajtonte njerka). 

Por të kthehemi te çanta “patriotike” e cila ka çmimin 9900 euro!

Ka njerëz në Shqipëri që e pëlqejnë këtë çantë se ua mban xhepi ta blejnë, mund të ketë edhe institucione që kanë fonde dhe nuk e kanë problem ta porositin.

Pyetja është se çfarë kuptimi ka që kësaj foto i bëjnë like: PS Gramsh, PS Mallakastër, PS Ndroq, PD Zejmen, PS Lushnjë, dhe PS Gjirokastër?!...

Megjithëse jam i bindur që PS Gjirokastër do e tërheqë pëlqimin sapo të marrë vesh çmimin.

Dhe të mendosh që sot është e shtunë, ditë pushimi!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Landi08/01/2023 07:33

sa kohe i ka bo fresk rilindjes ky tipi si do qofte, me mire vone se kurre

Shto koment

Denonco