Spanja: Miku i Olsi Ramës kërkohet për 2 akuza/ SPAK e pranon zyrtarisht

Spanja: Miku i Olsi Ramës kërkohet për 2 akuza/ SPAK e pranon zyrtarisht

09:55, 16/12/2022
A+ Aa A-

Nga Lindita Çela

Projekti për Raportimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar-OCCRP

Spanja ka lëshuar një urdhër arresti për një ish-zyrtar të lartë qeveritar në Shqipëri, i ekspozuar nga OCCRP si pronar i një call-center që dyshohet se mashtronte viktima në mbarë botën duke i drejtuar ata drejt investimeve të rreme.

Amant Josifi, ish-këshilltar i Ministrisë së Mbrojtjes shqiptare me lidhje të ngushta biznesi me vëllanë e kryeministrit Edi Rama, akuzohet për mashtrim dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale, sipas një burimi hetimor pranë policisë në Spanjë.

Nuk dihet vendndodhja e Josifit.

Josifi, i cili ka mohuar në të kaluarën se qendra e tij kishte ndonjë lidhje me mashtrimin, u largua nga puna e tij në qeveri menjëherë pasi u publikua shkrimi nga OCCRP. Nëna e tij, Pranvera Strakosha, ka një pozicion të spikatur në Shqipëri si kryesuese e një organi që mbikëqyr shërbimin civil shqiptar. Asnjëri prej tyre nuk mund të arrihej për koment.

Në një seri të koordinuar bastisjesh në të gjithë Europën më 8 dhe 9 nëntor, policia nga shumë vende- duke përfshirë Gjermaninë dhe Spanjën, ku jetonin shumë viktima- arrestuan të paktën katër persona dhe mbyllën 15 qendra telefonike në Shqipëri, Bullgari, Gjeorgji, Maqedoninë e Veriut dhe Ukrainë. Dy nga partnerët e biznesit të Josifit në Shqipëri, Bernardo Saraçaj dhe Erindi Pysqyli, u arrestuan dhe do ekstradohen në Spanjë.

Më 10 nëntor, policia shqiptare dhe prokurorët e krimit të organizuar mbajtën një konferencë për shtyp duke shpallur suksesin e operacionit, por nuk përmendën Josifin.

Autoritetet gjithashtu refuzuan t’i përgjigjen pyetjeve të shumta nga OCCRP, duke thënë se ishte e pamundur të jepeshin detaje për njerëzit e kërkuar në lidhje me call-centerat, sepse ishte një ‘sekret hetimor’.

Vetëm pasi një reporter bëri tri kërkesa në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe dy në polici, prokurorët lëshuan një deklaratë ko konfirmonin se Spanja kishte lëshuar një urdhër për Josifin. Ata theksuan se urdhri nuk ishte lëshuar nga Shqipëria, por shtuan: “Përderisa një shtetas shqiptar kërkohet nga autoritetet e huaja, ai person kërkohet patjetër në Shqipëri”.

Policia nuk iu përgjigj pyetjeve të OCCRP se çfarë po bëhet për gjurmimin e Josifit.

Sali Berisha, lideri kryesor i opozitës në Shqipëri, bëri thirrje për hetim nëse qendrat e telefonatave të Josifit ishin të mbrojtura nga kryeministri dhe vëllai i tij, Olsi, i cili më parë ishte bashkëpronar i një firme telemarketingu me Josifin.

Rrjeti i mashtrimeve me ‘call-centera’ është një ‘grabitje monstruoze e qytetarëve evropianë në Gjermani, në Spanjë’, tha Berisha gjatë një konference për shtyp më 18 nëntor.

Pak ditë më vonë, kryeministri Edi Rama mohoi çdo lidhje me Josifin, edhe pse nuk e përmendi me emër- dhe këmbënguli se qeveria nuk po e mbronte nga ndjekja penale.

“Sa i përket personit për të cilin po flasim, nëse shteti do ta kishte mbrojtur, ai nuk do të kërkohej sot,” u tha ai gazetarëve.

“Sa i përket emrit të vëllait tim, i cili është përmendur në lidhje me këtë rast, kjo është pjesë e një valleje të madhe shpatash në gropën septike të politikës sonë,” shtoi ai.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco