Një e vërtetë përballë një trillimi

Një e vërtetë përballë një trillimi

12:34, 11/10/2022
A+ Aa A-

Nga Sonila Meço/

Rruga drejt zbulimit të trillimit e mashtrimit kërkon ndjezjen e dritëzës së vërtetës mbi to.

Në një shkrim me titull dhe keqinformim (për arsye të pakuptueshme për mua) në trungun e tij, Z. Bardhyl Reso teksa i referohet një editoriali shkruar nga unë pas një pjesmarrjeje në programin Opinion të gazetarit Blendi Fevziu ka trilluar mbi titullin dhe përmbajtjen e tij, duke dërrmuar edhe parantezën e shkrimit të tij ku thotë:

“…dua që të nënvizoj se sa i rëndësishëm është roli i bisedës dhe prezantimi i fakteve, paraqitja e problemeve dhe analiza e tyre për shikuesit dhe dëgjuesit që dëshërojnë të mësojnë të vërtetat pa dorashka”.

Fakti, pra fakti, i vetmi mjet e qëllim njëherësh që na mundëson shkoqitjen e kashtës nga gruri, të sitjes së lajmit nga propaganda, të mbërritjes tek e vërteta a manipulimi.

Dhe “fakti” i Z. Reso, i pa verifikuar (në burim) është ky:

“Mora shkas për këtë shkrim, nga ç’ka lexova së fundmi nga gazetarja dhe opinionistja Sonila Meço. Më bëri përshtypje tituli, “Edi Rama, lëshoi bajgare se kështu është kur s’ke gazetarë të vërtetë përballë”, ku analizonte atë ç’ka u tha në emisionin “OPINION” të Blendi Fevziut. Qëlloi që unë e kisha ndjekur atë emision dhe, në mos gabohem, një nga gazetarët e ftuar ishte dhe zonja në fjalë, ndaj nuk kuptoj se cilët prej tyre nuk ishin gazetarët e vërtetë. Gjithë të tjerët, përveç saj?”

Që këtu shkrimi bie, por bie me zhurmë. Dhe kris gjithë përfundimet e tij, që arrijnë në fyerje e denigrim, lëndë e denjë për të akuzuar vetë Z. Reso me fjalët e tij.

Le të gjurmojmë faktet e trillimet me seriozitet, integritet, elegancë dhe mirësjellje (siç ia ka ënda Z. Reso sipas parantezës së tij në shkrim):

Trillim

Z. Reso thërret për ndihmë në analizë një shkrim timin, që sipas tij titullohet:

“Edi Rama, lëshoi bajgare se kështu është kur s’ke gazetarë të vërtetë përballë”.

Fakt

Artikulli im titullohet:

“Hajgaret e Ramës, të mira për kotje dreke, po tragjike për shqiptarët!”. Titull i vendosur nga Syri.net, pasi shkrimi është marrë nga postimi im në facebook, pa asnjë titull.

Trillim

Zoti Reso thotë:

“Një gazetare dinjitoze mund të kishte përdorur një fjalë më të përshtatshme dhe më të kuptueshme për të gjithë shqiptarët që të kuptonim më qartë se ç’po fliste.”

Fakt

Unë nuk kam përdorur në titull, shkrim e as ndonjëherë në jetë fjalën “bajgare”, duke mos ia ditur as kuptimin. Kam përdorur fjalën “hajgare” në shkrim, që sipas fjalorit është fjalë krahinore, ndeshet shpesh në ligjërimin bisedor në Kosovë, do të thotë “mahi”, “shaka”.

Në shkrim referenca gjendet këtu:

“Në këtë peizazh [gjeopolitik], të mëtosh arkitekturën dhe ndikimin në realizimin e projektit të Komunitetit Politik Europian sepse mbajte një fjalim e bashkëshkrove një editorial me homologun hollandez është një barcoletë për spektaklin e mbrëmjes në Shqipëri. Që mes mijra kusureve të krizës së çmimeve, aferave të korrupsionit, në vendin e vetëm europian të listës gri të pastrimit të parave, pa sisteme sigurie, pa ushtri (megjithëse në NATO, por si i vetmi vend i saj i zhveshur nga një ushtri dinjitoze), me borxh të shkalafitur për takatin e vet, me nxirje në raportet ndërkombëtare mbi ndikimin e krimit të organizuar e korrupsionit, përfshi ato të DASH, me kontribut të ulët edhe në ekonominë e rajonit (jo më të Europës), pra mes këtyre e shumë kusureve të pretendosh se po i japin bakshish kryeministrit shqiptar për të qenë faktor në nismë është qesharake…

Kur bota po varet nga atomi e hidrogjeni si kurrë më parë në teknologjinë e së ardhmes, të mendosh se do bësh përshtypje me hajgare e meme në forumet ndërkombëtare, duke gërryer fuqinë ekonomike e konkuruese të vendit është e lezetshme veç për kotje dreke, por tragjike për fatin e shqiptarëve.”

Trillim

Z. Reso shkruan: “Andaj, me të drejtë, më lind pyetja se cili është meraku juaj zonja Meço. Cfarë prisnit ju nga gazetarët e ftuar në “OPINION”? Të kritikonin e të shanin Edi Ramën për bajgaret që ju pretendoni apo pse u ftua në Samit ku, siç e pamë të gjithë, ishte shumë i afërt dhe i përzemërt deri dhe konfidencial me drejtuesit e rëndësishëm të BE-së? Kjo vetëm nderon pjesëmarrjen e Shqipërisë me një rol të rëndësishëm në Samit?”

Fakt

Në asnjë rresht të shkrimit tim nuk kam pretendime mbi gazetarët në panel. Sepse e drejta për të patur e shprehur mendim pa denigruar e shpifur, si njerëz të medias nuk nënkupton pretendim. Është liri dhe si e tillë respektohet. E drejta për t’u informuar nga institucionet e titullarët e tyre pretendon përgjigje, e drejta për të kërkuar llogari tek ligjvënësit, vendim-marrësit pretendon realizim. E drejta për të qenë “watchdog” (qen roje) i qeverisjes për llogaridhënie është e dhënë me sistemin demokratik.

Trillim

Z. Reso, vijon me ngut, duke pretenduar ai nga unë (gjë që ma kritikonte kur mendonte se unë po pretendoja nga gazetarët në panel):

“Jo vetëm kaq, por si analiste e thekur e situatës gjeopolitike të Europës e të gjithë botës, e zhvlerësoni dhe e cilësoni të panevojshëm Samitin për krijimin e Komisionit Politik Europian me një logore qesharake ku përzjen atom e hidrogjen, gjumin e pasdites, fatin e trishtuar të shqiptarëve dhe bajgare.”

Fakt

Në asnjë rresht të shkrimit tim nuk zhvlerësohet samiti, aq më pak të konsiderohet i panevojshëm. Ja çfarë shkruaj unë:

“E vërteta është se ky projekt është ide e Presidentit francez Macron, prezantuar për herë të parë në 9 maj, si një urgjencë e adresimit të nevojës së anëtarësimit të shpejtë të Ukrainës e Moldavisë në BE pas konfliktit me Rusinë, kur të dy vendet dukshëm nuk plotësonin kriteret rigoroze të Bashkimit Europian. Por lufta në oborrin e Europës kërkonte përgjigje të shpejtë. Statusi i kandidatit u mor, por asnjë përshpejtim tjetër nuk mund t’i paraprinte një procesi të qartë përmbushjesh kriteresh politike, ekonomike me votën unanime të 27 vendeve anëtare (veto mbetet kriter bazë, kujtoni Bullgarinë se si e djersiti mirë Maqedoninë e Veriut dhe liderët europianë që donin çeljen e negociatave me çdo kusht për shkak të ndikimit të mundshëm rus në Ballkan).

Ndaj Macron sugjeroi një organizim, ku bashkëpunimi, traktatet dhe marrëveshjet të mos kushtëzoheshin vetëm për 27 vendet e BE-së dhe burokracisë së një organizmi të ngathët e me teka, por Europa të sillej e bashkuar, pa kushte anëtarësimi a vetosh përballë agresionit të Rusisë, Kinës a ndonjë faktori destabilizues ndërkombëtar.

Pra edhe vende europiane të paradhomës së shteteve me status kandidati, aspirante, ose jo drejt BE-së të mund të ndiheshin pjesë e vendim-marrjeve strategjike si energjia, siguria, etj. Por pa konkuruar BE-në, NATO-n, apo organizma funksionalë me institucione e axhendë të konsoliduar.

Psh Macron synonte të forconte “muskujt” europianë në pavarësinë energjetike, ndërsa kontinenti varej gati përgjysmë nga gazi rus, apo kur Rusia dhe Arabia Saudite vendosin në OPEC të ulin prodhimin për të rritur çmimet. Mungesën e muajve të parë po e kompenson deri diku SHBA, por lufta do të zgjasë (askush nuk ve dot bast se sa) dhe Europa duhet të gjejë mënyrat si të krijojë pavarësi. Franca me gjeneratën e re të centraleve bërthamorë, Gjermania me shtimin e përdorimit të qymyrit, por mbeten ende vende me fusha të dendura në gaz, si Azerbajxhani që pjesmarrës në Komunitetin Politik Europian do përbënte lehtësi në këto marrëveshje furnizimesh. Pavarësisht rekordeve të tij demokratike, apo konfliktit me Armeninë (edhe ajo pjesmarrëse në samit).

Për të vijuar më pas me sigurinë, kur Putini kërcënon edhe me sulm bërthamor, duke lënë të zbuluar Europën, që ndodhet aty ku ka qenë historikisht, mes SHBA-së dhe Rusisë e Kinës, në një presion të fortë të kërcënimeve të superfuqive rivale duke paguar çmimin për një “produkt” që nuk e ka kërkuar vetë.

Ndaj Macron thirri këtë projekt për 44 vendet e Europës, duke izoluar më tej Rusinë e Bjellorusinë, dy të paftuarat e mëdha.”

Rreshtova vetëm trillimet përballë fakteve, në një kontroll të kujdesshëm faktesh që gjithkush mund ta kryejë, përveç përtacëve, të indoktrinuarve, militantëve të paepur, të paguarve për të trilluar me çdo kusht.

Në fund mandej, Z. Reso të cilin nuk e kam njohur e takuar kurrë, aq më pak t’i detyrohem për ndonjë votë kërkuar, apo dëm moral a financiar shkaktuar me a pa dashje kalon nga trillimi në fyerje e denigrim:

“Ajo ç’ka munda të kuptoj nga kjo marri inatçore, se vetëm ashtu mund ta konsideroj shkrimin tuaj, ju keni dashur thjesht të villni vrer, kuptova ndjenja atikombëtare që minojnë interesat e Shqipërisë sepse mendoj se jeni thjesht një gazetare e blerë dhe e shitur sipas shumës së ofruar apo interesit personal”.

Këtu mandej ka shumë lëndë, përfshi ligjore për cënimin e integritetit tim, por po mjaftohem duke ju kujtuar Z. Reso se nuk jam unë as kryeministre, as zyrtare e as investitore strategjike e vendit më të varfër në Europë, i vetmi në listën gri të MoneyVal për pastrimin e parave në kontinent, i kapur nga korrupsioni masiv sipas DASH (Departamentit të Shtetit ku deklaroni se jetoni prej dedakash), sipas të cilit “Shqipëria konsiderohet si një element kyç i rrugës ballkanike të trafikut të drogës në Evropën Perëndimore dhe në Mbretërinë e Bashkuar”, i vendit përmendur për lidhjet e mafias me pushtetin nga prokurorë të anti-mafias italiane, me rritjen galopante të çmimeve të ndërtimit me “koston e rrënimit dhe humbjes së historisë dhe ndoshta edhe duke funksionuar si një operacion pastrimi parash për krimin e organizuar”, sipas Bloomberg….etj, etj.

Gazetari nuk mund të bëjë marrëdhëniet publike të qeverisë. Nëse nuk pëlqehet çfarë kritikojmë me fakte ndaj pushtetit kjo mund të na ndajë në bindje, por të sulmosh gazetarët duke mbrojtur pushtetin e vendit nga ku iket masivisht, në një dekadë rreth 500,000 shqiptarë, me numër azilantësh që konkurojnë vendet në luftë, duke e shpopulluar e shkretuar nga truri, rinia e profesionistët kjo na ndan sa distanca që kemi sot të dy, unë në Tiranë duke rritur fëmijën e ndihmuar prindërit me pensione qesharake e ju në SHBA duke pleqëruar i qetë.

Ndaj ju pyes edhe unë ju: si t’ju kuptoj Z. Bardhyl Reso?

Shkrimi im dhe i Z. Reso në linqet respektive:

https://www.syri.net/op-ed/538270/hajgaret-e-rames-te-mira-per-kotje-dreke-po-tragjike-per-shqiptaret/?fbclid=IwAR0r_AOEVNYTLJGGE8atnB0QsGl_R_L-fhnO1GzSa4xA9rMlmExf1SxpW4I

https://www.gazetatema.net/blogu-tema/si-ta-kuptoj-sonila-mecon-i359215?fbclid=IwAR1TlEphYSD-F0SrECoT8MYI79Chcv3XHZ59paGqvSnGEV9A_bGm7ssti2U

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shqiptari11/10/2022 13:08

E nderuara Sonila! Mos u merr me bajgat e lopëve dhe të viçave që çon lali Eri tek katundarët hallexhinj në Baldushk me urdhër të Duçes së Madh, dhe as mos u merr dhe mos humb kohë e mos u sikletos nga ata minj halesh dhe pseudo-gazetarë bajgarë anonimë që hanë dhe ushqehen tek pampersat dhe uturakët e Duçes Edvin Kristaq Rama!!! Nuk kanë faj të shkretët sepse janë mësuar që të ushqehen me të pëgërat e Edvinit, shefit të tyre, apo Duçes së tyre!!!

Shto koment

Denonco