Një 'KAFE SHQETO' me Gentin dhe Jolën, drejtuesit më të rinj të PD-së

Një 'KAFE SHQETO' me Gentin dhe Jolën, drejtuesit më të rinj të PD-së

12:01, 10/10/2022
A+ Aa A-

Partia Demokratike e rithemeluar po përgatitet për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore duke guxuar me figura të reja drejtuese në degët e saj kudo nëpër Shqipëri, mbështetur në një besim të fortë: ata janë zgjedhur nga vetë demokratët, me votë.

Genti Çela, kryetari i degës së PD-së së Pogradecit rezulton se ka moshën më të re ndër të gjithë homologët e tij.

Në një intervistë sot në SYRI TV, në emisionin “Kafe Shqeto”, Genti së bashku me Jola Hysajn, Sekretaren e Marrëdhënieve me Publikun në PD, shuan së pari kureshtjen e Flavios dhe Olës se pse zgjodhën këtë parti në opozitë dhe jo Partinë Socialiste, e cila është aktualisht në pushtet.

"Mposhteni indiferencën"

 “Pse kemi zgjedhur PD-në?! – e nisi fjalën e tij Genti. -  E vërteta është, figurativisht, që mua më ka zgjedhur Partia Demokratike sepse familjarisht, e gjithë historia e familjes sime lidhet shpirtërisht me këtë parti dhe pastaj, duke përforcuar besimin tek kjo parti dhe vlerat që ajo promovon.

Unë nuk shoh të rinj të Partisë Socialiste që marrin përgjegjësi dhe në fakt nuk shoh të rinj që guxojnë për të garuar aty, se fatkeqësisht është kthyer në një parti pa votë. Aty nuk votohet. Kryetarët e degëve emërohen dhe ky është një fakt i gjithëditur dhe i pamohueshëm edhe nga ata.

Në fakt prej shumë vitesh unë mbaja një detyrë në PD si sekretar organizativ, por duke pasur kundërshtitë e mia herë pas here për mënyrën se si Partia Demokratike drejtohej,  kam ngritur zërin aq sa mund të dëgjohesha për të bërë një lloj opozite lirie brenda partisë. Me fillimin e Foltores, Kuvendin e 11 Dhjetorit, që andej kam marrë përsipër një angazhim edhe më të madh brenda partisë për t’u finalizuar me një garë të fortë, emocionuese dhe të vërtetë për kreun e PD-së në Pogradec. Sigurisht që është detyrë me shumë përgjegjësi dhe fakti që me sa di jam kryetari më i ri i të gjitha degëve të PD-së, më motivon për të dhënë edhe më shumë shembull pozitiv, se të rinjtë duhet të jenë kryefjala e partive.

Përfitoj nga rasti t’u them të gjithë të rinjve, të të gjitha bindjeve të mundshme, nga e djathta dhe e majta, të angazhohen, të ingranohen dhe në partitë politike. Patjetër që PD-ja është e hapur përherë për ta, por edhe për dikë që mund të ndihen në bindje i majtë, thirrja ime është të shkojë në partinë ku ndihet i përfaqësuar për të ndryshuar sado pak partinë për të cilën ndihet përkatësisht i denjë për të cituar kështu edhe një shkrimtar të majtë, siç mund të jetë Antonio Gramshi, që thotë “unë i urrej indiferentët dhe të jetosh do të thotë të jesh partizan”, që mund ta përkthejmë sot “të jesh aktivist”.

Pra, një thirrje edhe për ata bashkëmoshatarë të rinj që nëse janë të majtë ose jo, të djathtë ose jo, të mposhtin indiferencën dhe të angazhohen. Kjo është ajo për të cilën kemi nevojë!"

Jola Hysaj: Ka diferencë ndërmjet nesh dhe grave të PS-së

“E kam zgjedhur PD-në, sepse PD-ja është jo vetëm partia për mua, por se kam një lidhje shumë speciale me të, - tregoi Jola Hysaj gjatë intervistës me Flavion dhe Olën. - Unë jam rritur pranë saj dhe është partia në të cilën besimi në familje, besimi në Zot, në pronë private, në komb dhe në atë që është e drejtë janë parimet themelore dhe mua më bëjnë të jem gjithmonë pranë saj si Sekretare e Marrëdhënieve me Publikun, por edhe si grua. Të qenurit grua e bën më të thjeshtë të jesh pranë PD-së, pikërisht për shkak të këtyre vlerave që ka në thelb pikërisht kjo parti.

Flavio: Përgjithësisht perceptohet sikur PS-ja është një qeveri apo parti plot me gra dhe tek PD-ja, ky konservatorizmi i burrave në një moshë të caktuar... Ka ndryshuar situata apo është perceptim i gabuar?

Jola Hysaj: Ka një diferencë ndërmjet nesh dhe grave të PS-së. Nëse keni parë zhvillimet, ecurinë, gjithësesila nga ne është e pavarur në vendimarrjet e saj, ka idetë dhe parimet e saj dhe secila nga ne përfaqëson vetveten ndërkohë që në PS po shohim gra të cilat përdoren kryesisht dhe kjo është keqardhje për ne që jemi gra të tjera në politikë. Kjo, për faktin e vetëm që një grua e bën më unike në llojin e saj, më emfatike, të qenurit më pranë realitetit dhe jo të qenit arrogante apo të qenurit deri diku si burrat, sepse diferenca jonë dhe e burrave është shumë e madhe, është në mënyrë komunikimi. Ne jemi nëna, bija, jemi motra, bashkëshorte dhe të gjitha këto të sjellin në një formë më të zbutur, të sjellin në një mënyrë më afër njerëzve, sepse gruaja në vetvete është thelbi i ekzistencës së një kombi.”/ar.sh/SYRI.TV

Ndiqeni intervistën e plotë në video:

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco