SYRI TV/ Durrësi i mbushur me plehra, Sako jep 300 mijë euro për Zoton

11:06, 10/10/2022
A+ Aa A-

Në 4 tetor, Bashkia e Durrësit bëri një pagesë të dyshimtë prej 300 mijë eurosh në llogarinë e Klodian Zotos, për depozitimin e mbetjeve në landfill. Por situata në terren tregon se qyteti vijon të jetë i mbushur me plehra, dhe për këtë arsye nuk është e qarte se çfarë mbetjesh u depozituan javën e kaluar, për të justifikuar pagesën e kryer nga Emirjana Sako

SYRI TV

Bashkia e Durrësit po tregon gjithnjë e më tepër se prioriteti i saj janë pagesat për depozitimin e mbetjeve në landfillin privat të Klodian Zotos në Tiranë se sa pastrimi i plehrave të qytetit. Një ditë më parë, Syri Televizion përcolli shqetësimin e banorëve të ish-Kënetës, të cilët shtyjnë ditët nën erën toksike të mbeturinave që gjenden të përhapura thuajse në të gjithë zonën. Banorët u shprehën se situata me plehrat është emergjente, ndërkohë që drejtuesit lokalë kujtohen për hallet e tyre vetëm në fushatë elektorale.

Por, ndërkohë që banorët trajtohen si personazhe të dorës së dytë, Bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako tregohet shumë e përpiktë me pagesat për kompaninë koncesionare “Integrated Energy BV”, e cila menaxhon vend-depozitimin e mbeturinave në Sharrë të Tiranës.

Mesjavën e kaluar, Bashkia e Durrësit transferoi në llogarinë e kompanisë së krijuar nga biznesmeni në kërkim, Klodian Zoto, mbi 300 milionë lekë të vjetra, ose rreth 300 mijë euro, për depozitim mbeturinash. Është e paqartë se çfarë mbeturinash janë dorëzuar në landfillin privat, kur situata në terren tregon se plehrat janë përhapur gjerësisht në brigjet e lumit apo në zona të tjera të Durrësit.

Bashkia e qytetit nënshkroi vitin e kaluar një kontratë aspak favorizuese me kompaninë “Integrated Energy BV” për depozitimin e mbetjeve pranë landfillit të Sharrës. Sipas kësaj kontrate, Durrësit detyrohet të dërgojë plehrat në landfillin e Tiranës për një periudhë 10-vjeçare, me një kosto prej rreth 50 milionë euro. Deri më tani, Bashkia e qytetit bregdetar ka arkëtuar mbi 2 milionë euro për llogarinë e kompanisë së themeluar nga i arratisuri Klodian Zoto, ndërkohë që qyteti ende vuan probleme të theksuara me plehrat.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco