Rama vijon me kritikat ndaj BE-së: Frymë e deformuar zgjerimi

18:48, 25/06/2022
A+ Aa A-

Kryeministri Edi Rama ka vijuar kritikat ndaj Bashkimit Europian gjatë një fjale të mbajtur në Austri në Forumin “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE”. Rama e krahasoi sërish Bashkimin Europian me Rusinë e Vladimir Putin ndërkohë që e cilësoi të deformuar frymën e zgjerimit të unionit. Nga ana tjetër kancelari austriak Karl Nehammer vuri në dukje nivelin e lartë të krimit të organizuar në rajonin e Ballkanit. 

 

Bashkimi Europian ka qenë shënjestra e kritikave të Kryeministrit Edi Rama edhe gjatë forumit “Ruajtja e së ardhmes së Europës dhe zgjerimi i BE” i cili u mbajt në Austri. Në praninë e kancelarit austriak Karl Nehammer, Rama e konsideroi të deformuar frymën e zgjerimit dhe e krahasoi sërish Bashkimin Europian me Rusinë e Vladimir Putin.

“Pasi qëndruam atje për 4 ore të tëra, me gjithë udhëheqësit e këtyre vendeve të mrekullueshme dhe i pamë, i dëgjuam dhe ndjemë pafuqinë e tyre përballë një situate surreale ku një vend i NATO-s Bullgaria, merrte peng dy vende të tjera të NATO-s, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në mes te një lufte, një lufte të nxehtë në kufij të Europës që rrekej të qëmtonte pasiguri historike mu përpara syve të 26 vendeve të tjera që nuk mund të bëjnë asgjë. 

Dje, parlamenti bullgar votoi për diçka që shpresoj do të jetë mjaftueshëm për miqtë tanë të Maqedonisë së Veriut, por dua të theksoj se kjo nuk lidhet vetëm me Bullgarinë. Bullgaria është shprehja finale e skajshme e frymës së deformuar të zgjerimit.  

Të gjithë dëgjojmë qe Vladimir Putin është shumë sëmurë, mund të jetë e vërtetë, mund të mos jetë e vërtetë, por nga ana tjetër nuk duket sikur BE është shumë e shëndetshme dhe se hapësira jonë është e mbrojtur mirë nga ajo çka mund të vijë."-tha ai.

Kryeministri Rama ka shprehur vendosmërinë për vijimin e procesit të Ballkanit të Hapur ndërkohë që në mënyrë spekulative tha se ky projekt është pjesë e procesit të Berlinit. 

“Ndoshta, ju keni dëgjuar që ky quhet Procesi i Berlinit dhe ne duam ta zbatojmë dhe për këtë kemi ndërtuar mjetin që e quajmë Ballkani i hapur.  Ballkani i hapur është pikërisht ky mjet për të zbatuar Procesin e Berlinit dhe kjo është ajo çfarë do të bëjmë.”-deklaroi ai.

Gjatë forumit ka folur edhe kancelari austriak Karl Nehamer i cili tha se një ndër arsyet pse e mbështeste integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian ishte nevojë për të vënë nën kontroll krimin e organizuar dhe forma të tjera të krimit që janë prezente në këtë rajon. Kancelari austriak vuri në dukje mbështetjen që Austria i ka dhënë historikisht Shqipërisë që nga shpallja e pavaresisë në vitin 1912. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco