Kryeministri nuk është të bëjë analistin e tregut energjetik, por të na shpjegojë masat e qeverisë

Kryeministri nuk është të bëjë analistin e tregut energjetik, por të na shpjegojë masat e qeverisë

20:51, 03/10/2021
A+ Aa A-

Nga Eno Bozdo/

Një reagim pas konferencës së Kryeministrit për krizën energjetike.

Kryeministri Rama nuk mund të bëjë analistin e tregut, por duhet na tregojë, me shifra dhe fakte, si do të mbështesë ekonominë dhe shtresat në nevojë, si dhe sa do të jetë paketa financiare për këtë mbështetje!

Është e vërtetë që një seri faktorësh që kane lidhje me rimëkëmbjen e ekonomisë botërore pas pandemisë, rezervat e ulta të gazit natyror, ndryshimet klimaterike, kërkesa në rritje për energji vecanërisht nga vendet e Azisë Juglindore si dhe axhenda e gjelbër e BE, të gjitha sëbashku kanë sjellë një rritje të paprecedentë të çmimit të gazit natyror, e për pasojë të çmimit të energjisë në të gjitha tregjet energjetike në botë.

Kjo situatë do të reflektojë detyrimisht edhe në çmimin e energjisë elektrike të importuar në Shqipëri, e për pasojë edhe në shtrenjtimin e energjisë për konsumatorët familjarë.

Kjo krizë e kap Shqipërinë dhe sektorin e saj energjetik në ditën më të keqe: Kompanitë e saj shtetërore të sektorit energjetik janë në situatë katastrofike finaciare, ato vuajnë nga nepotizmi dhe megakorrupsioni politik. Gjatë këtyre 9 viteve, nuk është aktualizuar asnjë investim i rëndësishëm në burime të reja të energjisë ndërsa investitorët janë goditur rëndë nga qeveria për shkak të korrupsionit qeveritar. Tregu energjisë është thellësisht monopolistik si pasojë e reformave të munguara, ndërsa qeveria ka shtyrë në kalendat greke cdo reformë që bën të mundur uljen e cmimit të furnizimit me energji të konsumatorëve familjarë.

Ndërkaq, Brukseli po përgatit një paketë të veçante qindra miliardë euro që do të përdoret për të zbutur këtë krizë të pritshme të paprecedentë. Më tej, qeveria spanjolle deklaroi përpara disa ditëve se do t`i ulë cmimet e energjisë për familjarët në nivelin e vitit 2018. Qeveria franceze ka vënë që tani në dispozicion 100 miliardë Euro për afro 6 milion familje në nevojë. Qeveria italiane ka shpenzuar që tani 12 miliardë euro duke ndërhyrë në tregjet energjetike për të mbajtur në kontroll çmimin e energjisë. Qeveria angleze gjithashtu po përgatit një ndërhyrje në ndihmë te kompanive të saj të energjisë duke i mbështetur me hua të siguruara nga shteti.

Mbi të gjitha, ajo që pritej sot nga Kryeministri nuk është të bëjë analistin e tregut të energjisë, por të na shpjegojë se çfarë masash do të marrë qeveria shqiptare, dhe mbi të gjitha nëse do të këtë një paketë financiare mbështetëse për ekonominë dhe shtresat në nevojë. Sa do të jetë kjo paketë, si dhe kur do të aplikohet. Qeveria nuk mund ta hedhë përsëri barrën tërësisht tek shqiptarët, siç ajo veproi me ekonominë në rastin e pandemisë Covid 19, duke e lënë këtë të fundit në mëshirë të fatit. Qeveria duhet të veprojë tani pa humbur asnjë moment, sepse pas tërmetit dhe pandemisë, kjo krizë e pritshme do ta rrënojë përfundimisht ekonominë shqiptare. Dhe këtë të fundit nuk e shpëton më as edhe tullumbacja 18% e rritjes së ekonomisë!

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco