VIDEO/ Kreu i FRPD Shkodër, Bushati: Janë mbledhur 1400 firma, Kuvendi Kombëtar s'mund të pengohet

VIDEO/ Kreu i FRPD Shkodër, Bushati: Janë mbledhur 1400 firma, Kuvendi Kombëtar s'mund të pengohet

17:08, 02/10/2021
A+ Aa A-

Kreu i Forumit Rinor të PD në Shkodër, Arvit Bushati shprehet se Kuvendi Kombëtar i PD do të mblidhet. 

I ftuar në studion e Syri Tv me gazetaren Eneida Ndoci, Bushati u shpreh se deri tani janë mbledhur 1400 firma nga mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha për thirrjen e Kuvendit Kombëtar në mbledhje të jashtëzakonshme. 

Ai tha se mnbledhja e këtij forumi nuk mund të pengohet nga kryetari i PD, Lulzim Basha, nëse 1/4 e anëtarëve (1500 firma) japin firmat për një lëvizje të tillë. 

"Mesa kam parë deri tani, njerëzit në masë po firmosin. Me sa jam informuar, janë 1400 veta të cilët kanë firmosur. Pra është pranë ¼ e anëtarëve të PD, 1500 firma për thirrjen e Kuvendit. PD meriton t’i ushtrohet të gjitha veprimeve demokratike. Nëse realisht mblidhen ato firma, drejt asaj rruge do të vazhdohet. Procesi është i pakundërshtueshëm", u shpreh Bushati.

Kreu i të rinjve demokratë të Shkodrës tha gjithashtu se foltorja e ish-kryeministrit Sali Berisha do ta kthejë PD në identitet, duke e bërë më të fortë përballë mazhorancës dhe kryeministrit Edi Rama. 

Ish-kryeministrit Sali Berisha zhvilloi një ditë më parë foltoren e pestë në kuadër të lëvizjes për ndryshimin e Partisë Demokratike. Shkodranët i rezervuan një pritje entuziaste liderit historik të PD. 

Pjesë nga intervista

Ka patur tentativa për të braktisur z.Berisha nga ana e deputetëve në këtë foltore nga Shkodra, duke qenë se nuk kemi parë asnjë figurë ditën e djeshme?
Nuk e komentoj në këtë lloj forme. Është zgjedhje e lirë e deputetëve të PD. Unë e shikoj shumë pozitive faktin që 70-80% e Kryesisë së degës së PD në Shkodër ishin prezentë, ishin dy nënkryetarët e degës, kryetarët e LDG-së, Forumi Rinor iu bë pjesë e takimit. Një trupë jashtëzakonisht e madhe zgjedhore ishte pjesë e takimit të Berishës.

E përçan disi PD-në kjo foltorje, apo edhe vetë deputetëve?
Unë nuk e kam besuar, as nuk e mendoj që kjo nismë përçan PD-në. Mendoj se është hapi i parë që demokratët të ketë ndërveprim të mendimeve të tyre, të ideve, për të shkuar te hapi i fundit që është një vendim i përbashkët. Nuk shërben kjo gjë për përçarje, sigurisht që ka ndikim te mjaft deputetë të cilët ndjehen të pavendosur, por kjo iu shërben demokratëve për të patur një marsh tjetër në të bërit opozitë në qëndrimet e tyre.

Si e shihni vendimin e Bashës për përjashtimin nga PD të liderit historik dhe themeluesit, Sali Berisha? Ju ka zhgënjyer ky vendim?
Z.Basha atë vendim e ka bërë publik dhe avokat më të mirë se ai për atë vendim nuk mund të ketë. Në vlerësimin tim, mund të kishte një zgjedhje tjetër, mund të përballej me një formë tjetër. Realisht nuk më pëlqen forma, por vendimi është i kryetarit të PD. Forma duhet të ishte në një mënyrë më gjithëpërfshirëse në mënyrë që demokratët të mos ishin tani përballë këtyre vendimeve dhe emocioneve.

Si e keni parë pritjen e rezervuar ditën e djeshme për z.Berisha?
Ishte pritje që nuk e kishim përjetuar nisur nga emocionet gjatë takimit. Kjo i atribuohet stofit të lidershipit që z.Berisha, dhe emocioneve që transmeton te njerëzit. PD e Shkodrën është një kolonë e fortë e PDSH-së. Demokratët e Shkodrës janë ndër më qëndrestarët nga demokratët e Shqipërisë.

Çfarë prisni nga ‘Foltorja’?
‘Foltorja’ është ai sheshi ku demokratët mund të ankohen. Dhe nesër nqs krijohet një organizëm tjetër ku demokratët mund të takohen dhe të diskutojnë, është hap i mirë për demokracinë e brendshme. PD ka disa nevoja, duhet kthimi në identitet, duhet të jemi më të vëmendshëm me meritokracinë dhe me përfundimin e kësaj situate ne realisht duhet të jemi më të fortë dhe më të bashkuar kundrejt Edi Ramës.

Ditën e djeshme vetë z.Berisha ka ftuar delegatët e Shkodrës për të firmosur thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, mendoni se do të arrihet kjo gjë?
Mesa kam parë deri tani njerëzit në masë po firmosin. Me sa jam informuar, janë 1400 veta të cilët kanë firmosur. Pra është pranë ¼ e anëtarëve të PD, 1500 firma për thirrjen e Kuvendit.

Si është pritur vendimi i Bashës te rinia shkodrane? Ka qenë një vendim i papritur apo mund të pritej nga rinia e Shkodrës?
Ka pasur dyshime, që nga data 20 maj kur Berisha u shpall non grata, por demokratët shkodranë nuk e kanë pritur këtë vendim. Është e drejtë e z.Berisha rruga që po ndjek për identitetin e tij. PD duhet të kishte qëndruar më e fortë përkundrejt këtyre veprimeve.

Mendoni se PD aktualisht gjendet në krizë?
Besoj një teori që sa më shumë të ketë ide për të kundërshtuar njëra-tjetrën, përfundimi do të jetë realisht produktiv për ne. Gjykoj që në fund do të shkojmë drejt një procesi final dhe do të përfundojë me pozita dominuese në politikën shqiptare. Unë iu bashkova foltores pasio mendoj se realisht në PD ka ardhur koha që të shtrohen disa diskutime përtej zotit Berisha apo zotit Basha. Unë rrugëtimin tim politik e kam bërë përkrah zotit Basha, por ndoshta qëndrimet dhe bindjet e demokratëve kanë qenë ndryshe, por tashmë është koha për një diskutim mes nesh se cilat do të jenë ato mënyra apo politika që do të ndjekim. Demokratët duan që ne të kemi një rezultat tjetër. 2025 është e largët për të ardhur në pushtet dhe ne duhet të gjejmë mënyra, duhen shtruar në diskutim, sepse demokratët nuk mund të presin kaq gjatë që PD të jetë në qeveri. Ndaj duhet të ndërveprojmë me njëri-tjetrin, a zgjedhim foltoren, apo një diskutim tjetër, kjo është zgjedhje personale e gjithsecilit.

Z.Basha ka thënë se s’do të ketë kurrë një Kuvend Kombëtar, si e komentoni?
PD meriton t’i ushtrohet të gjitha veprimeve demokratike. Nëse realisht mblidhen ato firma, drejt asaj rruge do të vazhdohet. Procesi është i pakundërshtueshëm.

Mendoni se duhet të largohet Basha nga PD?
Ne duhet t’i ezaurojmë të gjitha etapat. Të marrim për bazë vullnetin e të gjithë demokratëve. A duhet të japë dorëheqjen? Këtë duhet ta vendosin demokratët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco