Kam 4 vjet që i them ‘Stop’ lojërave me Reformën, ambasadorja ka të drejtë se s’po shohim produkt!

Kam 4 vjet që i them ‘Stop’ lojërave me Reformën, ambasadorja ka të drejtë se s’po shohim produkt!

13:50, 22/05/2020
A+ Aa A-

Presidenti Ilir Meta ka dhënë një konferencë shtypi para gazetarëve, pasi ka prezantuar platformën e tij me 14 pika për zgjidhjen e ngërçit për Reformën në Drejtësi dhe Reformën Zgjedhore.

Meta ka theksuar në të gjitha përgjigjet që u ka dhënë gazetarëve se tashmë kanë rënë maskat e aktorëve të politikës që nuk e duan kryerjen e këtyre reformave. Po ashtu, ai ka përjashtuar kategorisht, i pyetur nga gazetarët, se është ai personi që po përpiqej ta vdiste Reformën në Drejtësi, sipas një deklarate pa emra të përveçëm, të ambasadores amerikane Yuri Kim.

“Unë nuk mund të marr përsipër të komentoj këto deklarata e të qëndrime të ambasadores se nuk është kjo detyra ime, - tha Presidenti, -  por të jesh i sigurt se vetëm për Ilir Metën s’mund ta kishte ambasadorja, që ka pasur vlerësimet më të mira jo vetëm formalisht, por edhe në të gjitha aspekte t e tjera.”

Meta po ashtu gjatë intervistës vlerësoi rëndësinë e një reforme demokratike në vendin tonë sepse "diktatura ka trokitur dhe mos e merrni me shaka” u shpreh ai.

Ndër të tjera Meta tha sot:

Pas ngjarjes tepër tronditëse të Teatrit dhe shtetit ligjor në Shqipëri duhet të them se kam bërë çdo përpjekje jo vetëm për të menaxhuar sa më mirë, si shtet, si vend, pavarësisht nga situate e pandemisë – por edhe për të krijuar një klimë sa më pozitive për të mos harruar provimin e qershorit – provimet e BE.

Se gjithnjë e më shumë na lënë detyra për të përmbushur. Duke qenë se ky është objektiv mbarëkombëtar i të gjithëve kam bërë çdo gjë që të krijoj klimën pozitive që të përmbushim sa më shumë nga 15 detyrat. Ndaj që në 8 prill i kam nisur kryeministrit Rama këtë platformë që po e bëj sot publike, që ua kam paraqitur dje të gjithë partnerëve të BE që janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë rrugën evropiane.

Meta tha se platforma ishte hartuar prej tij “…duke theksuar domosdoshmërinë imediate për një sistem gjyqësor, duke vërejtur nivelin e papranueshëm të përfaqësimit në parlamentin shqiptar, duke kujtuar vlerësimin e pavarur dhe rekomandimet e mençuara të Venecias, duke mirëpritur angazhimin e forcave politike në Këshillin Politik. Të gjitha palët duhet të ndërveprojnë përmes një dialogu politik dhe të ndërmarrin veprimet e mëposhtme”.

Pasi lexoi 14 pikat e platformës, Meta theksoi dy herë:

“NUK KAM MARRË ASNJË PERGJIGJE!

Nuk kam marrë asnjë përgjigjje për këtë platformë!

Në fakt ka pasur një reflektim por jashtë propozimit tim për pikën 10. Që në kuadrin e Këshillit Politik të emërohet një kryenegociator për në BE. Reagimi ka qenë pozitiv dhe emri është i një diplomati shumë të spikatur, që po të më vinte për Ministër i Jashtëm në kuadrin e OSBE, do të më vinte shumë mirë. Por ky proces nuk është bërë ashtu siç është menduar, që të pranojmë për interes kombëtar një njeri, një interlukutor…

Kam marrë dhe një përgjigje indirekte, që “do të ishte mirë të bëni një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare” meqënëse Kryeministri ishte “i shokuar” nga mënyra e shkëlqyer se si kishim vepruar për pandeminë....”

Lidhur me integrimin në BE, Meta nënvizoi se “..për t’i dhënë përkrahje këtij procesi jam gati të shkoj dhe si President atje, për përgjigjen e mori e gjithë bota më 17 maj që nuk është thjesht një rënie godine, por shembje e shtetit ligjor.

Kemi një qeveri në paligjshmëri të plotë që nuk do të marrë asnjë përgjegjësi për plotësimin e 15 kushteve.

Unë kam qënë i gatshëm për të pritur sugjerime nga Kryeministri, Kryetari i opozitës, ata që janë të shqetësuar për integrimin, por këtë vullnet nuk e kam gjetur megjithëse e kam kërkuar në mënyrë të vazhdueshme. Ndërkohë që ju më kritikonit mua për kodin penal danez, unë kam punuar që vendi ynë të jepte një besueshmëri për provimin e qershorit apo tetorit se çdo qershor e tetor kemi provime për integrimin evropian dhe nuk duhet që mali i kushteve të shtohet.

Më vjen keq për këtë situatë të re ku ndodhemi port ë gjithë duhet ta dinë që kjo situatë nuk është për përgjegjësi të Presidentit. Jam takuar edhe me drejtuesit e opozitës, i kam kërkuar të mos bien pre e këtij provokimi, të mos largohen nga tryeza reformës zgjedhore, megjithëse e dini atë polici të dhunshme, e kemi provuar, është e vështirë të garatohet zbatimi i Kodit, që është kusht edhe për zgjedhjet e ardhshme.

PYETJE: A jeni ju personi që po negocioni në kurriz të Reformës në Drejtësi, siç e ka pasur një shqetësim ambasadorja Kim?

META - Kur kam parasysh Këshillin Politik – jo thjesht të Reformës Zgjedhore, emri është Këshill Politik, por me atë emër po në nivel më të lartë – kuptohet që gjithë ato çështje nga BE kërkojnë përfshirjen e opozitës reale. Duhet gjetur një mekanizëm të opozitës reale sepse kemi problem me legjitimitetin tonë. Që nga parlamenti, Gjykata Kushtetuese kërkohet vendosja e legjitimit të gjithë këtyre institucioneve.

Unë kam katër vjet që u them stop lojërave me Reformën në Drejtësi dhe ambasadorja ka të drejtë se kanë kaluar katër vjet dhe nuk po shohim një produkt konkret të zbatimit të kësaj reforme.

Shiko renditjen e Shqipërisë, shiko kushtet e Shqipërisë nga BE që në 2016 dhe shikoni sa kush janë tani dhe pse janë këto kushte, kështu që qëndrimi është i drejtë sepse aktorët politikë kanë luajtur me këto çështje.

Presidenti nuk është aktor politik por në krye të detyrës dhe detyrimeve të tij edhe për Reformën në Drejtësi dhe nuk ka surprizuar me qëndrimet e tij as partnerët vendas dhe as ndërkombëtare sepse gjithçka ka qenë e dokumentuar.

Unë kam kërkuar bashkëpunim e të gjithë dhe ju e dini sa lojëra janë bërë. Tani jemi në këtë situatë, ballafaqohen të gjithë aktorët dhe ju e shihni se kush po bën lojëra dhe unë nuk po negocioj asgjë përveç këtyre 14 pikave. Këto i dinë të gjithë ambasadorët e BE, e di dhe ambadorja amerikane që në 8 prill;

Siç kërkova të bëhet hetim për shembjen e Teatrit, do t’i kërkoj BE hetim edhe situatën e reformës në drejtësi: si ishin ligjet e miratuara në mënyrë konsensule dhe si janë.

Meta është ballëlartë dhe i ka bërë paralajmërimet me kohë. Maskat e Reformës kanë rënë dhe përgjegjësinë ta mbajnë ata që i bëjnë prapa krahëve të shqiptarëve dhe i bën vetëm një njeri që është platforma kryesore e thashethemeve.

Kjo është platforma ime. Doni ta bëni pa Metën president? Bëjeni. Ky dhe vetëm ky dokument është dhe nuk ka tjetër dhe Meta i qëndron vetëm Kushtetutës në Shqipëri dhe nuk ka tjetër.

PYETJE – Askush nga ne nuk e mohon rolin tuaj kur ishit kryetar i parlamentit dhe dhe i hipur “lokomotivës” së BE dhe SHBA për ta çuar përpara reformën në drejtësi, ndërkohë ja ku jemi pas disa vitesh dhe deklarata e djeshme e ambasadores Yuri Kim ku aludon për marrëveshje prapa krahëve me qëllimin për ta vrarë reformën në drejtësi është jashtëzakonisht e rëndë. Zoti President, a keni të dhëna se cilët janë aktorët a keni informacion se cilët janë aktorët që po bëjnë marrëveshje për të vdekur reformën në drejtësi, siç thotë ambasadorja amerikane.

META - Unë nuk mund të marr përsipër të komentoj këto deklarata dhe qëndrime  të ambasadores se nuk është kjo detyra ime, por të jesh i sigurtë se vetëm për Ilir Metën s’mund ta kishte ambasadorja, që ka pasur vlerësimet më të mira jo vetëm formalisht, por edhe në të gjitha aspektet e tjera.  

Gjatë kësja kohe unë e kam takuar shumë herë ambasadoren më shumë se dhe asnjëherë nuk ju kam lajmëruar juve.

Në plotësim të detyrave të mia jam përpjekur të jem sa më korrekt dhe të mos përziej imazhin. Unë nuk merrem me këto lojëra. Po ju them që kjo është platforma dhe veç për mua s’mund të ishte kjo gjë dhe ia kam dorëzuar ambasadores. Sigurisht që janë njohur edhe partenërë të tjerë. E vetmja përgjigje që kam marrë ka qënë e zotit Rama që tha “sikur të kishim bërë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë se ka funksionuar shumë mirë gjatë pandemisë.”

Zotëria nuk angazhohet se ka pushtuar shumë territore, në fushën e drejtësisë, në fushën e mediave. Ne po i kërkojmë të vendoset drejtësia ai nuk dëshiron të tërhiqet dhe kërkon të pushtojë të gjithë territorin e Shqipërisë dhe partnerët janë të shqetësuar dhe nuk e di çfarë do të bëjnë aktorët për të vendosur besimin aq sa mund të vendoset. Ilir Meta nuk bën lojëra, maskat kanë rënë. Evropa ka ca rregulla. Do të na duhet të presim.

PYETJE nga Syri TV: Zoti President, Kryeministri Rama në një intervistë televizive një ditë më parë tha se do të krijohet një lëvizje qytetare, e cila do të kthehet më pas në një parti nga Ilir Meta. Ju keni bërë thirrje për bashkim në një fron për të rivendosjen e demokracisë. A do të ketë një tjetër manifestim nga Presidenti Meta dhe a po mendoni ju vërtet të krijoni një parti? I keni ndarë rrugët me LSI-në, njëherë e mirë?

META: Më vjen keq që e bëni ju këtë pyetje, Ambrozia. Ju e dini shumë mirë se Presidenti Meta është këtu si President i Shqipërisë… - (dikush teshtin) fjalë e vërtetë, - deri në 24 korrik 2022 dhe nuk ka nevojë as të mbështesë ndonjë parti, as të krijojë ndonjë parti dhe asgjë tjetër.

Fronti për demokracinë nuk përjashton asnjë. Fronti për demokracinë fillon me përfundimin e Reformës Zgjedhore, sa më shpejt, me zgjedhje të lira dhe të ndershme për çdo shqiptar dhe të gjithë janë të mirëpritur. Por që ka nevojë për një reformë për demokracinë, patjetër, sepse diktatura ka trokitur dhe mos e merrni me shaka dhe të gjithë duhet të zgjohen dhe të mbrojnë të drejtat e tyre.

PYETJE: Pse nuk u përgatit platforma një vit më parë?

META: Unë do vdes që t’i harron kaq shpejt (qesh). Unë do vdes që t’i harron...

Para një viti ne ishim në prag të një vëllavrasjeje. Një miting një palë, antimiting pala tjetër atje në Berat a në Vlorë. Çfarë bëra ënë?! U thashë hajde të bëjmë zgjedhje lokale si gjithë të tjerët, gjithpërfshirëse dhe u thashë se pa ato shkelen Kriteret e Kopenhagenit dhe do të shtohen kushtet. Sepse në Evropë jo vetëm që gjërat i dinë shumë më mirë, po dolën nja dy burra shumë seriozë dhe na thanë bëni zgjidhje gjithpërfshirëse.

I mbështeta dhe unë se i di Kriteret e Kopehangenit prej kohësh dhe ju them të gjithëve “ hajde të bëjmë zgjedhje vendore si njerëz që të mos na ndajnë nga Maqedonia e Veriut.

Bëra çmos për t’i ulur palët. Nuk e mban mend që e kam pritur këtu zotërinë dhe ai lahej në pishinë tek “Sheratoni”?! I kam thirrur dhe kushte u shtuan.

PYETJE: Sërish do të pyesja për një parti të re...

META: Këtu jemi ne, edhe dy vjet. Po bëra parti unë, do të kesh të drejtë të vish këtu dhe të më thuash që jam gënjeshtar. Nuk do të bëj parti, por do mbështes çdo lëvizje qytetare kundër dhunës, që dënon dhunën, çizmen e atij banditi mbi kokën e studentit të Akademisë së Arteve.

Nëse polakët, Varshavën e shkatërruar nga nazistët e ribënë sërish, ne kemi detyrim që ta ribëjmë ashtu siç ishte atë Teatër. Ne e kemi detyrim që kur Ilir Meta firmosi marrjen në mbrojtje të atij Teatri, se një popull pa histori nuk është slogan dhe kjo është edhe shkombëtarizim, heqje e kujtesës.

Si përfundim, çdo të premte do të jemi këtu këtu...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco