Lajmi i fundit

LIVE/ Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS

Rrëzohet dekorimi i Gafurr Mazrekut, ja arsyet

Rrëzohet dekorimi i Gafurr Mazrekut, ja arsyet

13:37, 19/06/2018
A+ Aa A-

Shpallja “Qytetar Nderi" pas vdekjes për ish-deputetin Gafurr Mazreku në Has është rrëzuar nga Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana.

Në një deklaratë publike, prefekti Kuçana sqaroi se vendosi të mos e konfirmojë këtë vendim të këshilltarëve të bashkisë së Hasit pasi ai bie ndesh me Ligjin për Dekoratat në Republikën e Shqipërisë. Në ligj thuhet se e përfitojnë persona që nuk janë dënuar ndonjëherë për shkeje të rënda të ligjit dhe nuk janë nën hetim, por, theksoi prefekti, "personi në fjalë, z.Gafurr Mazreku, ka qënë i dënuar nga gjykata shqiptare."

DEKLARATA E PLOTE E PREFEKTIT ZENEL KUÇANA

Në institucionin e Prefektit të Qarkut Kukës, më datë 19.6.2018 është regjistruar vendimi i Këshillit Bashkiak Has me nr.32 datë 8.6.2018 për shpalljen “Qytetar Nderi” pas vdekjes të z. Gafurr Mazreku me motivacionin: “Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”.

Duke kursyer të gjitha komentet politike, shoqërore dhe sociale, pasi u shqyrtua me kujdes ky vendim nga ana juridike sipas Ligjit 107/ 2016 “Për Prefektin e Qarkut”, neni 16, pika 2, vendosa:

Të mos konfirmoj këtë vendim pasi bie ndesh me ligjin 112 të viti 2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe tituj vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë”, neni 17, pika 6, në të cilën thuhet, citoj:

“Rregullat e hollësishme për funksionimin e Komisionit Këshillimor përcaktohen me vendim të KM. Në rastet e Komisionit Këshillimor për dhëniet e dekoratave, titujve të nderit, rregullat miratohen  nga Presidenti i Republikës.

Neni 18,pika2, gërma dh, citoj: “Vërtetimi se personi i propozuar nuk është dënuar ndonjëhërë për shkelje të rënda të ligjit dhe nuk është në hetim.”

Personi në fjalë, z. Gafurr Mazreku, ka qënë i dënuar nga gjykata shqiptare.

Prefekti i qarkut Kukës, në zbatim të ligjit 107, neni 15, u kërkon këshillave bashkiakë të jenë të kujdesshëm  në zbatimin e akteve juridike të tilla duke zbatuar me korrektësi kërkesat e ligjit”, përfundon deklarata.

Ish-deputeti socialist Mazreku mbahet mend për aktin më të rëndë në Kuvendin e Shqipërisë, kur qëlloi me armë dhe plagosi deputetin e PD, Azem Hajdari në vitin 1997. 

Gati 20 vjet më pas, çuditërisht, një grup këshilltarësh të bashkisë së Hasit u kujtua për kontributet e ish-deputeti dhe përgatiti një projektvendim për shpalljen "Qytetar nderi pas vdekjes të figurës së shquar për popullin e Hasit, z. Gafurr Mazreku me motivacionin: "Personalitet intelektual, për kontributin e pashoq në pushtetin vendor".

Ky projektvendim ngjalli zemërim dhe ndaj tij reaguan krerët e politikës shqiptare.

Denoncimi u bë nga Partia Demokratike; zërin e ngriti deputeti Flamur Noka më 14 qershor 2018, i cili akuzoi se propozimi vinte direkt nga kryeministri Edi Rama. "Dy dekada pas atentatit brenda në Parlament kundër Azem Hajdarit, atentatori, deputeti i Partisë Socialiste në atë kohë, Gafurr Mazreku propozohet nga Edi Rama per t’i dhënë titullin “Qytetar Nderi”, - deklaroi Noka nga selia e PD 5 ditë më parë.

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco