Kryebashkiaku i Divjakës Josif Gorrea ishte në fokus të investigimit të emisionit Plug në Syri Televizion. Pak javë më parë, Gorrea u bë viral gjatë me deklaratat e tij për 12 milion domate, gjatë një takimi që Kryeministri Edi Rama zhvilloi me fermerët e Divjakës e ku këta të fundit nxorën në pah dështimin e qeverisë me bujqësinë.
Gjatë investigimit të Plug, rezulton se Josif Gorrea ka pasur disa hetime dhe dënime, ndërsa dyshohet se ka falsifikuar edhe formularin e deklarimit nga dekriminalizimi. Gjithashtu, Gorrea rezulton se ka pasur apo vijon të ketë aksione në pesë kompani, me një prej të cilave ka përfituar edhe 88 mijë euro grante nga IPARD. Nëpërmjet këtyre kompanive, Gorrea kontrollon tregun bujqësor në Divjakë.
Teksa fermerët në vend po përballen me krizë që nis me mungesën e subvencioneve, bllokimin e fondeve ipard apo mungesën e tregut të shitjes së prodhimeve, kryebashkiaku i Divjakës Josif Gorrea, bashkisë më të madhe bujqësore në vend, u ka bërë karshillëk bujqëve shqiptar. Pak kohë më parë, teksa Edi Rama zhvilloi një takim me fermerët në Divjakë, Josif Gorrea habiti jo pak kur deklaroi se 12 milionë turistë që vijnë në Shqipëri, do të konsumojnë 12 milionë domate apo kastraveca.
Këto deklarata Gorrea i bëri në prani të fermerëve të Divjakës, ku një prej tyre nuk e duroi dot këtë tallje duke u përplasur edhe me kryeministrin Edi Rama për dështimin e qeverisë në mbështetje të bujqësisë.
Nisur nga deklaratat e Josif Gorresë, emisioni Plug investigoi mbi të shkuarën e kryebashkiakut aktual të Divjakës, i cili në jo pak raste, ka gjetur rastin duke sulmuar fermerët, ndonëse pretendon se është vet një fermer. Gjatë invsetigimit Plug zbuloi se Josif Gorrea ka disa dënime penale, ndërsa akti më skandaloz është ai i një gjobe të vendosur nga ILDKPI, për shkak të mos deklarimit të pasurisë. Jo vetëm kaq, por Plug zbardhi se Josif Gorrea, mban dy shtetësi, atë shqiptare dhe suedeze. Për këtë të fundit, Josif Gorrea bën dy deklarime të ndryshme, ku në CV e tij shkruan se ka jetuar në Suedi në vitet 1994-1998, por në formularin e dekriminalizimit, deklaron se ka jetuar në Suedi në vitet 2004-2008.
Josif Gorrea erdhi në krye të bashkisë së Divjakës nga bota e biznesit. Ai deklaron se ka nisur të merret me biznes në fushën e prodhimit të fidaneve, tregtimit të pesticideve apo dhe grumbullimit të prodhimeve bujqësore që në vitet 1993. Sipas të dhënave nga QKB, Josif Gorrea ka qenë apo vijon të jetë aksioner në të paktën 5 kompani. Plug zbuloi se në vitin 2018, Gorrea ka themeluar kompaninë Lisar Seedlings. Kjo shoqëri ka një aset prej 3.6 hektarësh serë, ku prodhohen miliona fidane perimesh, që më pas u shiten fermerëve të Divjakës dhe jo vetëm. Sipas të dhënave, kompania deklaron mbi 2 milionë euro të ardhura çdo vit, dhe fitime që shkojnë në dhjetëra mijëra euro.
Madje nëpërmjet kësaj kompanie, Josif Gorrea përfitoi edhe 88 mijë euro pagesa nga fondet e IPARDIT për të ndërtuar serën, ku prodhon fidanet e perimeve që më pas ua shet fermerëve të Divjakës. Sipas të dhënave të QKB, në vitin 2023 kur kandidoi për kryetar të bashkisë Divjakë, Josif Gorrea e shiti kompaninë Lisar Seedlings, te shtetasi Miklovan Todi, për vlerën e 2 mijë eurove. Pra një kompani me xhiro vjetor disa milionë euro dhe fitime disa dhjetëra mijëra euro, Josif Gorrea e shiti për vetëm 2 mijë euro. këto transaksione kanë ngritur dyshime, se kryetari i bashkisë Divjakë vijon të ketë interesa direkte te kjo kompani, ndërsa Miklovan Todi është përdorur si “prestanome” i tij. Madje, nga të dhënat e siguruara nga Plug, Josif Gorrea edhe gjatë kohës që drejton bashkinë e Divjakës, vijon të shfaqet si pronar i kompanisë Lisar Seedlings.
Gorrea është aksioner edhe në kompanitë Mirsidali, AlbProduct, Bruka Seedling dhe Bruka AB. Edhe këto kompani ofrojnë shërbime në fushën e prodhimit të fidaneve, import eksportit të prodhimeve bujqësore, pikave të grumbullimit, shitjes së pesticideve apo imputeve bujqësore për fermerët. Nëpërmjet këtyre kompanive, Josif Gorrea duket se ka krijuar një monopol në zonën e Divjakës duke kontrolluar të gjithë tregun e prodhimit bujqësor. Në një prej kompanive, AlbProduct, Josif Gorrea përsëri ka përdorur shtetasin Miklovan Todi për të kryer shitje fiktive të aksioneve në vitin 2023, kur u zgjodh kryetar i bashkisë së Divjakës, ndërsa kompanitë kanë probleme me bilancet dhe deklarimin e situatave në qendrën kombëtare të biznesit.
© SYRI.net