PLUG/ Dokumentet - Institucionet anashkaluan provat e dënimit dhe dëbimit në Greqi të Irena Gjokës

21:34, 01/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Emisioni 'Plug' u transmetua në Syri TV më 1 Prill 2026

Mirëmbrëma po Fillon Plug!

Besoj ishte e qartë që në këtë emision, do të flasim për një prej gjyqtareve më të përfolura në vitet e fundit, Irena Gjokën, apo Irena Shpata, apo Irena Maneku.

Pak rëndësi ka se cili është mbiemri i radhës, por ajo që mund tua them me bindje të plotë, është se siç emri i Aranit Çelës simbolizon figurën e xhelatit të diktaturës së Enver Hoxhës, ashtu edhe Irena me 3 mbiemra në analet e historisë do të jetë simboli i një sistemi drejtësisë të kapur që u ndërtua për t'i shërbyer regjimit të radhës. Të një sistemi drejtësie, që Edi Rama nëpërmjet Irenave me plot mbiemra e të shkuar të errët do t'i përdorte për të përndjekur, për të burgosur e dënuar kundërshtarët e tij politikë, fiks siç bëri Enver Hoxha me Aranit Çelën. Por nëse Aranit Çela ishte një xhelat-shërbëtor pa një arsimim, Irenës me 3 mbiemra, duhet t' i shtojmë edhe disa precedentë, që do ta shndërronin në personazhin ideal për tu përdorur nga çdo regjim.

Teksa Irena Gjoka, ishte gjyqtarja që u shndërrua në gjyqtaren persekutore të liderëve të opozitës shqiptare e çdo politikani që sfidonte kryeministrin Edi Rama, mediat e vendit fqinj, Greqi dhanë sinjalin e parë, që do të ngrinin pikëpyetje të forta për integritetin e çekiçit që po jepte drejtësi në emër të Edi Ramës, e jo në emër të Republikës. 

TA NEA 
Historia e Irena Shpatës, e cila që nga viti 2011 përdor mbiemrin e bashkëshortit të saj aktual Gjoka, dhe që sipas të dhënave ka ‘llogari të hapura me Greqinë’. Sipas dëshmive në të kaluarën Irena Shpata ishte ndaluar në Greqi për përdorimin e dokumenteve false me të cilat tentonte të tregonte se ishte me origjinë greke. Për këtë arsye, asaj iu ndalua hyrja në vendet e Shengenit për 12 vjet dhe të dhënat e saj së bashku me gjurmët e gishtërinjve u regjistruan në bazën përkatëse të të dhënave.

Kështu shkruante media greke “Ta Nea” në një artikull ku akuzonte gjyqtaren Irena Gjoka se i detyrohet kryeministrit Rama për pozicionin e punës që mban.

Pikërisht ky artikull do t'i jepte një tjetër rrjedhë historisë dhe dotë nxirrte në dritë arsyet se përse gjyqtarja Irena Gjoka, nuk vendoste në emër të Republikës por në emër të Edi Ramës, duke u shndërruar në notere “afërmendsh” të çdo kërkesë për arrestimin e burgosjes së liderëve të opozitës.

Ishin pikërisht kjo e shkuar e errët, që Irena Gjokën e bënin të papërshtatshme për të qenë gjyqtare, e ekzistenca e saj në radhët e drejtësisë ishte pikërisht në dorë të Edi Ramës.

Fill pas denoncimit të dënimit nga mediat greke, në prill të vitit 2024, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i është drejtuar me një kërkesë për verifikimin e të dhënave të bëra publike për dënimin e Irena Gjokës në shtetin Grek në vitin 2002.

Më pas në dhjetor të vitit 2024, Adriana Kalaja në cilësinë e Kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit pranë Parstisë Demokratike i është drejtuar me një kërkesë për informacion pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Në këtë kërkesë Kalaja kërkon informacion në lidhje me veprimet e kryera nga Prokuroria e Përgjithshme për verifikimin e rastit në fjalë.

Prokuroria e Përgjithshme informon se i ka kërkuar në mënyrë të përsëritur Ministrisë së Drejtësisë që të nisë kërkesat pranë instancave greke. Ministria e Drejtësisë, me shkresën Nr. 2119/3 Prot., datë 06.11.2024, ka dërguar për dijeni në Prokurorinë e Përgjithshme, kërkesën e përsëritur me të cilën i është drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Greqisë. Gjithashtu, sipas kësaj shkrese të Prokurorisë së Përgjithshme, sqarohet se ka kaluar afati 3 mujor i procedurave të verifikimit, me vendimin e datës 31.07.2024 dhe 08.11.2024 dhe është zgjatur afati i procesit të verifikimit për subjektin Irena Gjoka, deri në datë 08.02.2025. Në datën 30.12.2024, Adriana Kalaja I drejtohet me një kërkesë për informacion Ministrisë së Drejtësisë.

Duke qënë se nuk merret nje përgjigje shterruese për kërkesën e dhjetorit në datën 17.01.2025, Kalaja ridërgon një kërkesë të dytë pranë Ministrisë së Drejtësisë:

Në mënyrën më të paprecedentë, Ministria e Drejtësisë ndërmori veprime për të zvarritur sa më shumë dhe për të fshehur këtë çështje, me qëllimin e vetëm shpëtimin e Irena Gjokës, e cila ndërkohë vijonte të përdorej për të mbajtur të arrestuar liderin e opozitës shqiptare, Sali Berisha.

Por teksa Ministria e Drejtësisë, shkelte ligjin duke mos ndërmarrë hapat e nevojshëm për zbardhjen e kësaj çështje, avokatja Adriana Kalaja vijonte me kërkesat e saj duke imponuar institucionet për t'i shkuar deri në fund. Pas ping-pongut me mosdhënie informacioni nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, më datë 23 janar 2025, Prokuroria e Përgjithshm vë në dijeni Adriana Kalanë se kanë ardhur përgjigjet nga autoritetet greke me përmbajtje:

PROKURORIA E PËRGJITHSHME

1-Kopje shkrese nga Prokuroria e Shkallës së Parë Athinë, Departamenti i kallëzimeve penale–A Ndjekjes Penale, e datës 15.11.2024, drejtuar   Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Departamenti i Hetimit të Veçantë, I Ndihmës Juridike Ndërkombëtare, në gjuhën greke dhe shqip (një fletë).

2-Kopje e Dëshmisë së penalitetit për Përdorim Gjyqësor, lëshuar më datë 08.11.2024 nga Ministria e Drejtësisë Departamenti i Dëshmisë së Penalitetit, në gjuhën greke dhe shqip (një fletë).

3-Gjithashtu ju informojmë se në përgjigjen e ardhur nga autoritetet gjyqësore të Republikës së Greqisë, është administruar shkresa “sekret” e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Atiki, e datës 13.11.2024, drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë Athinë, Departamenti i Hetimit të Veçantë, I Ndihmës Juridike Ndërkombëtare, sipas të cilës, nuk rezulton asnjë e dhënë për personin me të dhëna (emri) IRENA (mbiemri) GJOKA ose SHPATA ose MANEKU, e bija e HEKURAN dhe e DALLËNDYSHE, e lindur më 15.02.1970, Shqipëri.

Për shkak të mungesës së informacionit në këtë përgjigje, në datë 25.01.2025, Kalaja ridërgon një kërkesë të 3-të, pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe u kërkon:

1-Kërkohet informacion i plotë e i detajuar, shoqëruar me dokumentet respektive, lidhur me  hetimin që Ju keni zhvilluar ndaj subjektit Irena Hekuran Gjoka me detyrë “Gjyqtar” pranë Gjykatës së Posaçme (Shkalla e Parë) Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me një vendimin e dëbimit dhënë ndaj saj në vitin 2002, nga Shteti Grek, si  dhe ato që lidhen me ankimin ndaj këtij vendimi.

2-Kërkohet informacion i plotë e i detajuar, shoqëruar me dokumentat respektive, lidhur me  hetimin që Ju keni zhvilluar ndaj subjektit Irena Hekuran Gjoka me detyrë “Gjyqtar” pranë Gjykatës së Posaçme (Shkalla e Parë) Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, lidhur me shkeljen e vendimit të ndalimit të hyrjes në vendet Shengen për një afat 10 (dhjetë) vjeçar, siç është ajo që lidhet me rastin e lindjes së djalit në vitin 2004 në Milano të Italisë.

Ndodhur në kushtet kur vijohej të mos merrej përgjigje dhe kur qartësisht dukej se Ministria e Drejtësisë kishte devijuar drejtimin për marrjen e informacionit, në kërkesën e datës 25.01.2025, u kërkua të viheshin në dispozicion:

Kopje të kërkesave Tuaja të përsëritura drejtuar Ministrisë së Drejtësisë bashkë me pyetjet përkatëse dhe dokumentacionin bashkëlidhur, për subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku lidhur me dëbimin e saj nga territori grek në vitin 2002 dhë dënimin e ndalimit të saj për hyrjen në vendet Shengen për 10 vite.

Kopje të kthim përgjigjeve të kërkesave Tuaja të përsëritura nga  Ministria e Drejtësisë bashkë me dokumentacionin bashkëlidhur, për subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku lidhur me dëbimin e saj nga territori grek në vitin 2002 dhë dënimin e ndalimit të saj për hyrjen në vendet Shengen për 10 vite.

Kopje të kërkesave të përsëritura të  Ministrisë së Drejtësisë bashkë me pyetjet përkatëse dhe dokumentacionin bashkëlidhur, për subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku, drejtuar autoriteteve ligjzbatuese të Republikës Greke, lidhur me dëbimin e saj nga territori grek në vitin 2002 dhë dënimin e ndalimit të saj për hyrjen në vendet Shengen për 10 vite.

Kopje të dokumentacionit të plotë, ku nga Ju është kërkuar informacion i detajuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile apo çdo institucioni tjetër, lidhur me  subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku.

Kopje të kërkesave Tuaja drejtuar Ministrisë së Drejtësisë bashkë me pyetjet përkatëse dhe dokumentacionin bashkëlidhur, për subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku, për faktin sesi ka udhëtuar në Shtetin Italian dhe me mënyrën sesi ka lindur në vitin 2004 djalin në Milano, ndërkohë që ndërkohë që i ishte ndaluar  hyrja në vendet Shengen për 10 vite.

Kopje të kërkesave Tuaja drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile bashkë me dokumentacionin përkatës, për subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku, lidhur me çertifikatën e lindjes së djalit dhe atë familjare, ndërkohë që i ishte ndaluar  hyrja në vendet Shengen për 10 vite.

Kopje të kërkesave Tuaja drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë bashkë me dokumentacionin përkatës të sistemit TIMS, për subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku, lidhur me hyrjen në Shtetin Italian, ndërkohë që i ishte ndaluar  hyrja në vendet Shengen për 10 vite.

Kopje të plotë të dokumentacionit, ku nga Ju është marë vendimi për shtyrjen e afatit të hetimit lidhur me subjektin Irena Hekuran Gjoka – Shpata – Maneku.

Prokuroria e Përgjithshme në përgjigje të kërkesës së zonjës Kalaja, i kërkon kësaj të fundit të paraqitej pranë këtij institucioni në datën 31.01.2025 për tu njohur fizikisht me aktet.

Në datën 19.02.2025, Prokuroria e Përgjithshme me shkresën 183/45 prot, i kërkon Adriana Kalasë të dhëna që lidhen me datën dhe numrin e vendimit të Gjykatës Administrative Greke, ashtu si dhe në shkresën me Nr. 183/48 extra Prot datë 24.04.2025, të dhëna të cilat janë përcjellë që në kërkesën e parë datë 16.12.2024.

Shihet qartë mungesa e seriozitetit të trajtimit të kësaj çështje nga institucionet të cilat nuk kanë lexuar aspak informacionet e nisura nga Adriana Kalaja por në shkurt dhe në prill të vitit 2025 kërkojnë të dhëna të cilat Kalaja ua kishte vënë në dispozicion që në dhjetor të vitit 2024, duke konfirmuar kështu që në 5 muaj zvarritje nuk kishin lexuar as aktet që ua kishte çuar të gatshme znj. Kalaja. 

Në datën 5 Maj 2025, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bën publik vendimin e gjykatës greke për shtetasen Irena Gjoka, vendim të cilin me vulë apostile për vetëm 10 ditë e kishte marë Eurodeputeti Fredi Beleri.

Pra Fredi Belerit i ishin dashur vetëm 10 ditë të merrte në rrugë zyrtare e ligjore vendimin e Irena Gjokës, vendim të cilin prej më shumë se 1 vit nuk merrej dot as nga Ministria e Drejtësisë dhe as nga Prokuroria e Përgjithshme.

Ndërsa institucionet si Ministria e Drejtësisë apo Prokuroria e Përgjithshme ishin vënë në rresht për të zvarritur këtë dosje, media vijonte të ishte avangardë me publikimin e provave shtesë që zhysnin edhe më shumë gjyqtaren Irena Gjoka, që veç z. Berisha e Beleri i binte çekiçit edhe për burgosjen e Ilir Metës dhe gjithashtu vijonte gjykimin e kreut të Partisë Republikane Fatmir Mediu, për çështje që ishte hetuar dhe gjykuar edhe shumë vite më parë. 

Në datën 6.05.2025 “Lapsi.al”, publikon prokurën që konfirmon se Irena Gjoka Shpata Maenku jo vetëm që ka qenë e dënuar dhe dëbuar, por që ajo ka patur dijeni të të gjithë situatës, ndryshe nga sa pretendon sot e ndryshe nga sa deklaron në formularin e dekriminalizimit.

Në këtë artikull, Lapsi. Al publikoi prokurën me nr. 576, datë 31.03.2003, ku e Irena Gjoka – Shpata – Maneku, sëbashku me bashkëshortin aktual Stefanaq Gjoka, autorizojnë një avokat grek t'i përfaqësojë pranë autoriteteve greke, lidhur me ndalimin e hyrjes në shtetin grek në vitin 2002 dhe 2003 (pra dy raste).

Bazuar në këtë prokure, lidhur me këto shkelje të gjyqtares me 3 (tre) mbiemra, nga autoritetet greke janë lëshuar çertifikatatat e ndalimit nr. 3 datë 19.11.2002 dhe nr. 120 datë 27.02.2003 që i përkasin shtetasit Stefanaq Gjoka si dhe nr. 14 datë 24.12.2002 dhe nr. 07 datë 13.02.2003, që i përkasin shtetases Irena Maneku.

Pra tashmë me publikimin e vendimit të gjykatës greke dhe prokurës që mban firmen e Irena Gjokës, bëhet e qartë si drita e diellit se Irena Gjoka është e dëbuar dy herë nga shteti grek pasi ka paraqitur dokumentacion të falsifikuar, konfirmohet se ka një vendim gjykate por mbi të gjitha kemi dhe një tjetër fakt penal, që për SPAK duhet të ishte një front i ri hetimor pa patur nevojën e kallëzimeve apo marrjen e informacioneve nga Greqia.

Sipas këtyre shkresave, e dokumenteve të tjera zyrtare, në mars të vitit 2003, Irena Gjoka quan bashkëshort shtetasin Stefanaq Gjoka, por ky fakt nuk është deklaruar asnjëherë në deklaratat periodike të depozituara në ILDKPI, çka automatikisht e ekspozon gjyqtaren në fshehje të të ardhurave, si dhe e ekspozon përballë deklarimeve të rreme.  Ndodhur në këto kushte Adriana Kalaja, ndërmerr disa veprime të tjera.

Në datën 19.05.2025 avokatja Kalaja depoziton pranë SPAK, kallëzimi penal për rastin në fjalë, bashkangjitur edhe me provat.

Kalaja kallëzon jo vetëm Irena Gjokën për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit dhe formulareve të dorëzuar gjatë procesit të vetingut, por kallëzon edhe bashkëshortin Stefanaq Gjoka për vepra të cilat do t'i analizojmë më poshtë.

Pjesë e të kallëzuarve është edhe Ministri i Drejtësisë në detyrë në atë kohë, shtetasi Ulsi Manja pasi ka devijuar qëllimisht kërkesat pranë Autoriteteve Ligjzbatuese Greke për të mos sjellë vendimin për Irena Gjokën.

Në këtë kallëzim përveç analizës së veprimeve të ndjekura nga Ministria e Drejtësisë për të fshehur të vërtetën, Kalaja parashtron se për Irena Gjokën kishte 2 vendime:
Vendimi i parë penalizues është administrativ dhe është ndërmarrë nga autoritetet kufitare greke të prefekturës së Janinës që e kanë dëbuar dhe shpallur non grata në zonën Shengen për 10 vite.

Vendimi i dytë është i gjykatës administrative të Janinës, që rrëzoi kërkesën e Irena Gjokës për shfuqizimin e masës së dëbimit.

Pra nga vendimi shihet qartë se Irena Gjoka jo vetëm që kishte dijeni për 2 masat e dëbimit por kishte ndërmarrë veprime ligjore.

Ajo fillimisht lëshon prokurë për avokatin grek dhe më pas ankimon dy vendimet e debimit të marra në kufi.

Irena Gjoka padit në gjykatën administrative të Athinës më 27 tetor 2004 vendimin e autoriteteve kufitare greke që e shpalli non grata për 10 vite në të gjithë zonën Shengen.

Përmes një vendimi të ndërmjetëm, gjykata administrative e Athinës ja kalon çështjen për kompetencë territoriale gjykatës administrative të Janinës, duke qenë se vendimi ishte marrë nga autoritetet e kësaj prefekture.

Pasi e mori në shqyrtim kërkesën e Irena Manekut, edhe gjykata e Janinës la në fuqi vendimin e dëbimit të saj me 10 vite.

Pra është FAKT që ajo kishte dijeni për masat e dëbimit dhe kishte ndërmarrë veprime ligjore.

Ndryshe nga sa vërtetonte ky vendim, përveç atij administrative të dënimit, Irena Gjoka – Shpata – Maneku, nxitoi të përgënjeshtronte lajmin me një reagim për portalin 'Birn Albania', ku deklaronte se nuk kishte asnjë vendim në shtetin grek ndaj saj, ashtu si dhe ekspulse.

Dhe për këtë, Irena Gjoka – Shpata – Maneku, u mjaftua me një dëshmi penaliteti, dokument i cili nuk vërteton se e kallëzuara nuk ka dënim në shtetin grek, arsyet e të cilave do i parashtroj më poshtë.

Siç dihet nga të gjithë në momentin e parashkrimit të veprave apo një periudhe të caktuara kohore pas kryerjes së denimit Dëshmia Penale del e pastër dhe e padënuar.

Adriana Kalaja në kallëzimin e saj sqaron Prokurorin e SPAK, se jo vetëm Irena Gjoka ka kryer vepër penale duke mos deklaruar këto dënime por e ka kryer këtë vepër disa herë dhe në kohë të ndryshme, duke rënduar pozitën e saj penale.

Por kallëzimi penal ndaj shtetases Irena Gjoka nuk lidhet vetëm me mos deklarimin e dy dëbimeve dhe dënimit penal në Greqi.

Një tjetër fakt shumë i rëndësishëm është edhe cilësimi në Prokurën lëshuar avokatit grek se shtetasi Stefanaq Gjoka ishte bashkëshorti i saj.

Rikujtojmë se kjo prokurë mban datën 31.03.2003, 40 ditë pas debimit të dytë të bërë ndaj Irena Gjokës të datës 13.02.2003.

Një tjetër fakt i rëndësishëm kronologjik është se fëmija i shtetasve Irena dhe Stefanaq Gjoka ka lindur në Itali në vitin 2005.

Pra nga sa shihet më sipër nga prokura dhe certifikata e lindjes së fëmijës Irena Gjoka kishte marrëdhënie “bashkëshortore” me Stefanaq Gjokën dhe kishte detyrim ligjor të deklaronte pasurinë e këtij shtetasi pranë ILDKPI.

Edhe pse detyrim ligjor, Irena Gjoka nuk e deklaron pranë ILDKPI bashkëshortin as në vitin 2003, as në 2004, as në vitin 2005, por vetëm në vitin 2006 pasi ka kryer celebrimin me letra.

Deklarata e parë me emrin e Stefanaq Gjokës është depozituar në shkurt të vitit 2007, duke përbërë kështu edhe një tjetër shkelje ligjore për të cilën Irena Gjoka në një sitetem të drejtë do të ishte e papërshtatshme për të qëndruar në detyrë. 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco