PLUG/ Shembja e Elbasan - Qafë Thanë, 215 milionë euro që izoluan juglindjen e vendit

21:39, 04/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Emisioni 'Plug' transmetuar në Syri TV më 4 Mars 2026

Pjesa e parë

Të shtunën e 21 shkurtit 2026, Autoriteti Rrugor Shqiptar ndaloi qarkullimin e automjeteve në aksin kombëtar Librazhd-Prrenjas, për shkak se trupi i rrugës pësoi dëmtime në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, në afërsi të fshatit Dragostunjë.

Një ditë më pas, ARRSH njoftoi qytetarët se në këtë aks do të bllokohej përfundimisht lëvizja e mjeteve, ndërsa si zgjidhje alternative ofroi rrugën Maliq-Gramsh, e ndërtuar dhe ajo së fundi. Bllokimi i rrugës solli në mënyrë të menjëhershme, kolaps në juglindjen e vendit.

ARRSH tentoi gjithashtu të krijonte një bypass mes aksit të vjetër dhe atij të ri që ishte në ndërtim, por as kjo zgjidhje provizore nuk rezultoi efektive, pasi shtimi i peshës në zonën e rrëshqitshme, bëri që rruga të dëmtohej dhe më shumë.

Dhe në këto kushte ARRSH ngriti  duart nga qielli, ndërsa përballë një situate të tillë, Kryeministri i vendit reagoi për herë të parë pak ditë pas bllokimit të rrugës.

Nga dritarja e helikopterit të ushtrisë, të cilin po e përdorte për të shkuar në Korçë së bashku me disa sipërmarrës të huaj, Edi Rama zgjodhi të fajësojë natyrën për shembjen e rrugës, ndërsa në vend të fliste për zgjidhje të situatës, tregoi që shembje të tilla ndodhin edhe nëpër botë duke rrezikuar madje edhe qytete.

Por përballë këtij reagimi, banorët e Librazhdit, dhe gjithë juglindjes, shprehën zemërim. Ata i cilësuan tallëse deklaratat e kryeministrit, ndërsa i kërkuan Edi Ramës të mbajë përgjegjësi.

Bllokimi i rrugës prej gati dy javësh, ka sjellë pasoja të rënda për ekonominë, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe bizneset në Librazhd dhe jo vetëm.

Për ironi, rruga Egnatia e ndërtuar 2 mijë vjet më parë, ka shërbyer si alternativë deri më tani, ku çdo ditë dhjetëra drejtues mjetesh marrin përsipër rrezikun të kalojnë mbi shpatet e thepisura të fshatrave të Librazhdit, ku mes këtyre qytetarëve ka edhe të sëmurë që duhet të marrin shërbime mjekësore në spitalet e Elbasanit apo Tiranës.

Në Korçë, qytet i cili ka si burim kryesor të ekonomisë, sektorin e Turizmit, izolimi i rrugës ka rezultuar katastrofë, ku rezervimet në hotele janë anuluar, ndërsa baret dhe restorantet janë boshatisur gjatë fundjavave.

E teksa dëmi në ekonomi dhe pasojat sociale për shkak të bllokimit të rrugës, do t`u kushtojnë shqiptarëve miliona euro, autoritete janë ende të paqarta për zgjidhjen që do t`i japin dhe afatet e gjetjes së  kësaj zgjidhje alternative.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Tags

Denonco