Hoteli hapi ‘oreksin’, Plug zbardh skemën: Ceno Klosi leje për park fotovoltaik nga Edi Rama

21:48, 19/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Diku tek 32 milionë euro përllogaritej fatura e përfitimeve Klosi–Kovaçi falë detyrave nga Rilindja e tyre me Edi Ramën dhe Belinda Ballukun. Por në emisionin e sotëm, do ju tregojmë se Ceno Klosi nuk u ka marrë qytetarëve të Fierit vetëm votën, por ai duket se do të shkojë në Fier si deputet, por edhe si përfitues i miliona eurove nga një park fotovoltaik. Për të fshehur gjurmët dhe lidhjet, Ceno Klosi ka përdorur emra dhe individë të tjerë, por gjurmët e këtyre lëvizjeve të çojnë sërish tek ai dhe familjarët.

Prej vitesh, zona e Plazhit të Semanit në Fier është kthyer në një fushë parqesh fotovoltaike. Banorët e zonës flasin për emra politikanësh të lartë dhe biznesmenësh të fuqishëm si pronarë të tyre, ndërkohë që në dokumente janë kompani pa ndonjë historik biznesi në Shqipëri. Ndërsa në Fier tregohen me emra e me gisht se kush i ka këto parqe fotovoltaike, emisioni Plug do të zbulojë sot një tjetër rast që lidhet pikërisht me personazhin e këtij investigimi, Ceno Klosin, që siç thonë në Fier, tashmë ka edhe parcelën e vet me panele diellore falë “zemërgjerësisë” së Edi Ramës dhe Belinda Ballukut.

Pronësia dhe marrja e lejes për ndërtimin e parkut fotovoltaik në emër të personave të afërm të Ceno Klosit ka kaluar në një zinxhir makinacionesh dhe shit–blerjesh aksionesh të kompanive të ndryshme, brenda një rrethi njerëzish që kanë një përbashkues: deputetin më të ri të qytetit të Fierit.

Leja në fjalë është miratuar në mbledhjen e datës 4 prill 2024, ku me firmë të Edi Ramës është miratuar:

“Leje Ndërtimi për objektin ‘Ndërtimin e impiantit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet të instaluar 2 MW dhe veprave ndihmëse, me vendndodhje në Topojë, Bashkia Fier, me subjekt zhvillues shoqërinë ORHER shpk.’”

Sipas studimit të dorëzuar dhe dokumentacionit bashkëlidhur vendimit të KKT të majit 2023, ky projekt do të ndërtohet mbi një sipërfaqe 26.359 m². E gjithë sipërfaqja e tokës ku do të ndërtohet ngre pikëpyetje të mëdha, pasi rezulton shtet, dhe në lojë është futur edhe kryebashkiaku Armando Subashi, që ka miratuar dhënien me qira të 3 parcelave.

Por çfarë përfaqëson kompania ORHER dhe cila është lidhja e saj me Ceno Klosin, zv.ministrin përgjegjës për sektorin e energjetikës dhe krahun e djathtë të Belinda Ballukut?

Kompania ORHER shpk u themelua në nëntor të vitit 2020, me aksioner shtetasit Mirel Mjekra 50% dhe Sara Korreshi 50%. Mirel Mjekra është nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi dhe rezulton i punësuar pranë Bashkisë së Tiranës. Ndërkohë Sara Korreshi nuk rezulton të jetë ndonjë personazh i suksesshëm në biznes, por ka qenë e punësuar pranë OJF “Co-Plan” e më pas punon pranë biznesit familjar të regjistruar si person fizik në emër të babait të saj, Besnik Korreshi.

Në mars të vitit 2022, Sara Korreshi largohet si aksionere, duke i dhuruar aksionet shtetasit Mirel Mjekra. Ky i fundit, në fund të po atij viti, të gjitha aksionet ia dhuron kompanisë SEAN shpk.

Pas këtyre transaksioneve me akte dhurimi, nisin të dalin elementet e para që tregojnë lidhjet me deputetin Ceno Klosi. Në janar të vitit 2023, vetëm disa ditë pasi aksionet kalojnë në emër të kompanisë SEAN, administratore e ORHER emërohet shtetasja Maria Mino, një nga personat kyç të bizneseve familjare të Ceno Klosit. Në vitin 2021, Mino rezulton të ketë punuar si menaxhere lokali pranë kompanisë T.O.V 2019 shpk — kompani që kemi investiguar më herët dhe që rezulton në pronësi të Genti Klosit, vëllait të Ceno Klosit.

Nga analiza mbi kompaninë SEAN, lidhjet me Ceno Klosin bëhen edhe më të forta. Në skenë dalin emra të lidhur drejtpërdrejt me Klosin dhe familjarët e tij. Sipas QKB, kompania SEAN u themelua në qershor 2021 nga shtetasi Taulant Hoxha, me familjarë të punësuar në Ujësjellës–Kanalizime Durrës, një prej institucioneve nën komandën e dyshes Klosi–Kovaçi. Administrator i kompanisë së sapothemeluar u emërua Oliver Ushina, edhe ky me lidhje me kushërinjtë Klosi–Kovaçi. Oliver Ushina është aksioner i kompanisë “Ushina shpk”, kompani e cila së bashku me Petrit Kovaçin dhe T.O.V 2019 kanë themeluar “Adriatik Union”, që ka marrë leje ndërtimi me firmë të Edi Ramës për hotelin në bregdetin e Durrësit.

Kompania e sapothemeluar arrin sukses të pazakontë që në vitin e parë: faturim 4.5 milionë lekë të reja, nga të cilat 2.8 milionë deklarohen fitim — që nuk tërhiqet si divident, por përdoret për rritje kapitali.

Në tetor 2022, pak ditë para se të blinte aksionet e ORHER, Taulant Hoxha shet aksionet tek Aulona Gaxhenji për vetëm 100 mijë lekë, edhe pse kishte fitime mbi 30 mijë euro të akumuluara. Vetëm kjo shitje mjafton për të ngritur dyshime, pasi nuk ka logjikë të shitet kapital i tillë për aq pak.

Pas kësaj, administratore emërohet sërish Maria Mino, menaxherja e lokalit të vëllait të Cenos. Ndryshohet edhe adresa e kompanisë: nga Durrësi në Tiranë, në rrugën e Kosovarëve. Faturimet dhe fitimet dyfishohen.

Për vitin 2022, kompania faturon 94 milionë lekë me 55 milionë fitim. Edhe këtu, fitimi nuk tërhiqet si divident, por përdoret për rritje kapitali. Ajo që bie në sy është se, megjithëse pronarja në letër është Aulona Gaxhenji, firma e saj nuk gjendet askund: të gjitha vendimmarrjet i firmos Maria Mino.

Në shkurt 2024, pak para marrjes së lejes për parkun fotovoltaik, Aulona Gaxhenji largohet me një transaksion 15 milionë lekë, duke ia shitur aksionet kompanisë “Finvest shpk”.

Finvest shpk themelohet në prill 2023 me aksioner Julian Dhimën. Në këtë moment dalin personazhe të tjerë të lidhur me Ceno Klosin dhe Fierin. Para marrjes së lejes, Dhima largohet si administrator — rezulton emigrant në Itali. Në vend të tij, në shkurt 2024, emërohet administratore Ernola Zenunllari, me eksperiencë pune si shitëse në një biznes të vogël në Pogradec.

Lidhjet me Ceno Klosin forcohen nga bashkëshortja e Dhimës, Ermelinda Balla–Dhima, e cila publikisht shfaq përkrahje për Ceno Klosin dhe fushatën e tij në Fier.

Nga bilancet e kompanive, del qartë se, megjithëse çdo vit deklarojnë fitime të mëdha, përfituesit në letër marrin shumë pak, ndërsa fitimet reale zhvendosen.

Sipas bilanceve të SEAN:

• në dy vitet e para, 50 milionë lekë fitim neto, pa u shpërndarë;

• në 2023, faturim 120 milionë dhe fitim 43 milionë.

Megjithëse pronarja ishte Aulona Gaxhenji, prekjen e parë të dividentit e bën Julian Dhima, me 16 milionë lekë — më shumë se çmimi i blerjes së kompanisë.

Nëse Gaxhenji kishte mbi 900 mijë euro fitim të pashpërndarë, ajo jo vetëm nuk e tërhoqi, por shiti kompaninë për vetëm 16 milionë lekë — një skemë tipike e përdorur në biznese “prestanomesh”.

Skema e huadhënieve shton dyshimet:

• SEAN ka marrë borxh 155 mijë euro nga Gaxhenji dhe 100 mijë euro nga ORHER;

• ka dhënë 30 milionë lekë borxh kompanisë Albanian Organic Food, ku është aksionere 50%;

• kjo kompani i jep 53 mijë euro borxh subjektit Teuta Rista, e cila ka përfituar mbi 200 mijë euro subvencione nga AZHBR.

Zonja Rista është bashkëshortja e Anesti Ristës, aksioner i TEA CO, kompani që nga mars 2025 ka pezulluar aktivitetin si e hetuar për evazion fiskal bashkë me Bankers Petroleum.

Ndërsa gjurmët e transaksioneve janë aty, një gjë është e qartë: skema nisi të lëvizte pasi Edi Rama, më 29 maj 2023, firmosi lejen e zhvillimit për parkun fotovoltaik — dhe u finalizua pak ditë pasi u miratua edhe leja e ndërtimit. Emri përbashkues i gjithë skemës është Ceno Klosi.

U duk si një shfaqje teatri me disa marioneta që hynin e dilnin nga skena. Por të nderuar prokurorë të SPAK, ndërsa marionetat mund të kenë dalë nga skena, gjurmët janë evidente dhe regjisori tashmë është ngjitur në një skenë edhe më të madhe!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Më të lexuarat
Denonco