Vetëm me këtë takim me kryeministrin Edi Rama dhe Belinda Ballukun, kompania turke INTEKAR ASL, për periudhën 2021–2023, realizoi fitime në vlerën 27 milionë euro, ndërkohë që pagesat kanë vijuar deri sot, në vitin 2025. Por ajo çfarë patë deri më tani është maja e ajsbergut, pasi në vijim do t’ju tregojmë me detaje operacionin e vjedhjes së 190 milionë eurove në tunelin e Llogarasë. Gjithçka duket e qartë se në çdo hap, korrupsioni dhe abuzimi janë evidentë.
Në këtë deklaratë të javës së kaluar, teksa Belinda Balluku publikonte pamje nga vizitat e saj jashtë vendit, si karshillëk ndaj fletëthirrjeve të SPAK-ut, u duk se kryeministri Edi Rama e kishte lëshuar edhe bashkëpunëtoren e tij më të afërt përballë drejtësisë.
Ndërsa vetë zëvendëskryeministrja, pasi refuzoi fletëthirrjen e parë, të premten, më 31 tetor, në orën 15:10 minuta, Belinda Balluku u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për t’u njohur me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, ndërsa pyetjes së gazetarëve nëse do të dorëhiqej, nuk iu dha përgjigje.
Përballë prokurorëve, për t’u njohur me akuzën, Balluku qëndroi rreth 40 minuta, ndërsa pas daljes dha një deklaratë të shkurtër për gazetarët, duke u shprehur se i ishte përgjigjur kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për një hetim që kishte nisur, pa dhënë detaje.
Kuriozitetin e gazetarëve dhe të gjithë shqiptarëve e sqaroi vetë SPAK, vetëm pak minuta më vonë. Me anë të një njoftimi për shtyp, SPAK tregoi se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku ishte marrë nën hetim për shkeljen e barazisë në tendera.
© SYRI.net