Po fillon Plug! Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku u paraqit të premten në SPAK, ku u njoh me akuzën e “pabarazisë në tendera”. Janë 190 milionë euro të dyshuara si të abuzuara në projektin e Tunelit të Llogarasë, ku, sipas asaj që njoftoi SPAK, Belinda Balluku anuloi tenderin e parë për të çelur një tjetër tender 4 muaj më pas, duke i shtuar faturës edhe 50 milionë euro të tjera, të dyshuara si fatura e korrupsionit.
Emisioni Plug, në puntatën e sotme, do t’ju zbërthejë me detaje të gjitha shkeljet e kësaj afere, duke nisur nga projektimi, tenderi e deri te dorëzimi i punimeve.
Deri në intervistën e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për gazetarin Çim Peka, propaganda qeveritare kishte arritur ta kamuflonte një prej aferave më të mëdha korruptive si histori suksesi. Zërat e pakët që denonconin këtë aferë, mbyteshin me sulme deri në personale, për të shmangur vëmendjen nga vjedhja direkte e 50 milionë eurove, në një projekt që i kushtoi taksapaguesve shqiptarë 190 milionë euro në total. E për më tepër, për një vepër infrastrukturore që kishte pikëpyetje të mëdha edhe për funksionalitetin e saj.
Historia e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë do të qarkullonte në publik në fund të vitit 2020, edhe pse “gatimi” i këtij projekti kishte nisur shumë kohë më parë.
Në datën 14.12.2020, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli tenderin me objekt “Ndërtimin e Tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë–Sarandë), me vlerë fondi limit 19.180.880.463 lekë, ose 190 milionë euro, me afat 37 muaj nga lidhja e kontratës.
Data e fundit e dorëzimit të ofertave dhe data e mbajtjes së tenderit ishte parashikuar në datën 12.02.2021. Në këtë procedurë u paraqitën 6 oferta, ku oferta më e ulët ishte ajo e shoqërisë “Gjoka Konstruksion” sh.a., me vlerë 14 miliardë lekë ose rreth 140 milionë euro. Edhe pse kompania “Gjoka” apo edhe kompani të tjera në garë plotësonin të gjitha kushtet dhe kishin bërë oferta konkrete për këtë projekt, befas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, vendosi anullimin e tenderit me arsyetimin se asnjëra prej ofertave nuk ishte e përshtatshme.
Syri TV kreu një investigim të mëtejshëm në lidhje me këtë denoncim, duke konfirmuar takimin në Ankara, ku u finalizua edhe kjo aferë. Siç e shihni edhe nga fotot, në takimin e zhvilluar në kryeqytetin turk me përfaqësuesit e kompanisë merrnin pjesë Kryeministri Rama, Ministrja përgjegjëse për infrastrukturën Belinda Balluku dhe vetë ish-zv.kryeministri Ahmetaj.
Nga verifikimi i profilit zyrtar në rrjetin social “Facebook” të shtetases Belinda Balluku, me detyrë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rezulton se në datën 03.06.2021 (21 ditë para rishpalljes së tenderit) ka publikuar një postim me përmbajtje si vijon:
“Ditë plot produktivitet gjatë vizitës në Turqi. Takime me kompanitë e ekselencës në fushën e teknologjisë dhe infrastrukturës për të implementuar pjesë të rëndësishme të programit zhvillimor.”
Nga fotot shoqëruese të takimit shihet se kanë marrë pjesë edhe Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Në pamjet që vetë zv.kryeministrja Belinda Balluku ka publikuar nga inspektimet në Tunelin e Llogarasë, provohet edhe fakti se, në të vërtetë, punimet janë kryer nga kompania “Gjoka”, ndërsa kompania turke nuk rezulton kërkund, as në projekt, por as edhe në zbatim.
Pra, siç provohet deri këtu nga denoncimet, shkresat, por edhe provat në terren, kompania turke nuk sjell asnjë mjet apo punonjës në Shqipëri, dhe për ndërtimin e tunelit merr si nënkontraktore kompaninë “Gjoka”, e cila më herët kishte ofruar 50 milionë euro më pak për ndërtimin e të njëjtës vepër.
Pra, në të gjithë këtë operacion, miqtë turq të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut marrin 50 milionë euro pas takimit në Ankara, ndërsa punimet kryhen nga kompania “Gjoka”, e cila, nëse nuk do ishte skualifikuar në tenderin e parë, do t’u kishte kursyer taksapaguesve shqiptarë 50 milionë euro.
© SYRI.net