Emisioni Investigativ ‘PLUG’ – 29 tetor 2025 në Syri TV
Pjesa e parë
Mirëmbrëma Miq, po fillon Plug. Sonte do t`ju njohim me çuçkën e Kolonjës. Erion Isai, aktori që u bë kryetar bashkie, që duket në periferi të vendit, por nga shkalla e abuzimeve nuk është i tillë. Që prej vitit 2019 kur shkeli në Bashkinë Kolonjë, Erion Isai ka shpërdorur rreth 10 milionë euro fonde publike, vetëm për ndërtim ujësjellësash. Gjithashtu, drejtorët e tij kanë ndërtuar skema të ngjashme si ajo “5D” në Bashkinë e Tiranës, ku firmosin tendera për kompanitë e tyre apo të miqve të tyre, madje punimet që prokurohen nuk kryhen kurrë.
Jo vetëm tendera, por drejtori kryesor, i përfshirë në çdo tender dhe aferë të bashkisë Kolonjë, Armand Tafili, përfiton fonde nga IPARD për të ndërtuar agroturizëm, ndërsa objekti është ndërtuar pa leje dhe për këtë përgjegjës direkt sipas KLSH, është Erion Isai.
Në muajin shtator të këtij viti, SPAK mori nën hetim kryebashkiakun e Ersekës Erion Isai. Ndaj Isait dhe disa vartësve të tij, është ngritur deri më tani vetëm një akuzë, “shkelja e barazisë në tendera”. Veç Erion Isait, nën hetim me të njëjtën akuzë janë marrë dhe disa vartës së tij: shtetasit Muharem Tartari, Engjell Dine, Ermal Zylfo, Armand Tafil (për të cilin Plug ka folur te fondet IPARD), Erjon Cenko dhe Shpëtim Liço.
Ngritja e akuzave nga SPAK për kryetarin e bashkisë Kolonjë dhe vartësve të tij, është bërë pas hetimeve të nisura nga një kallëzim penal i regjistruar që në vitin 2020 në lidhje me projektin e rrugës Korçë-Ersekë, ku projekti u hartua dhe më pas zbatimi u mbikqyr nga kompania e Entela Çanos, që gjithashtu është marrë nën hetim nga SPAK. Kallëzimi është bërë nga inxhinieri Romeo Nazarko, njeriu që gjithashtu denoncoi te OLAF abuzimet me fondet IPARD. Emisioni Plug do t`ju tregoj sonte abuzimet me projektin e kësaj rruge, por edhe skemën korruptive që Erion Isai ka ngritur në bashkinë Ersekë me drejtorët e tij.
Pesë vjet nga regjistrimi i kallëzimit penal, SPAK sqaron në dosjen hetimore, se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, objekt i hetimit të këtij procedimi penal rezulton të jenë procedurat e prokurimit si më poshtë:
1.Procedura e prokurimit për projektin me objekt: Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2 (Pjesa e parë),
2. Procedura e prokurimit me objekt “Supervizim punimesh për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2 (pjesa e parë)",
3.Procedura e prokurimit me objekt “Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”,
4.Procedura e prokurimit me objekt "Loti Nr.2 Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit",
Dyshimet e ngritura nga SPAK janë se Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai dhe bashkëpunëtorët e tij, në vetëm katër procedura prokurimi, dyshohet se kanë abuzuar me një vlerë prej 20 milionë eurosh.
Plug do të tregojë sonte, sesi miqësia e Erion Isait dhe Entela Çanos do të shndërrohet një histori vjedhjesh, korrupsioni dhe shpërdorimi i parave publike. Ndërtimi i ujësjellësit të ri të Ersekës dhe të disa fshatrave nga burimet e Kozelit, është pikënisja e një afere që i ka kushtuar miliona euro dëm shtetit shqiptar.
Më 25 shtator 2020, Armand Tafili, njeriu që vetëm pak javë më parë u shfaq në investigimin e emisionit Plug si një nga përfituesit e fondeve IPARD, i dërgon një kërkesë Agjencisë së Prokurimit Publik ku kërkon zhvillimin me disa lote të për ndërtim ujësjellësi.
Dy ditë më pas, APP aprovon kërkesën e Armand Tafilit, që sipas hetimit të SPAK, mbante detyrën e Drejtorit të Prokurimeve në Bshkinë Kolonjë. Më 6 tetor, vetëm dhjetë ditë më pas, Erion Isai ngre një komision të posaçëm për prokurimin publik të disa procedurave. Komisioni përbëhet nga Muharem Tartari, Kryetar i Komisionit, Engjëll Dine dhe Ermal Zylfo anëtar komisioni.
Plug verifikoi pozicionet e tre anëtarëve të komisionit. Muharem Tartari, të cilit Entela Çano dhe vartësi i tij në këtë komision, Engjëll Dine i falsfikuan firmën për projektin e rrugës Korçë-Ersekë, rezulton se është Urbanist në Bashkinë e Kolonjës, dhe madje rezulton se është punonjësi më i paguar në këtë institucion. Sipas të dhënave, Tartari, në vitin 2020, rezulton se merrte një pagë bruto prej 1.4 milionë lekësh, gati dy herë më të lartë se dhe vetë Erion Isai, që merrte një pagë bruto prej rreth 850 mijë lekësh.
Vartësi i Muharem Tartarit në këtë komision, që aktualisht është dhe personi me akuzën më të rëndë të ngritur nga SPAK deri tani, Ëngjëll Dine, rezulton se në vitin 2020, ishte punëtor ngarkim shkarkimi me një pagë prej 39 mijë lekësh. Ermal Zylfo është gjithashtu një nëpunës zyre, me pagë 540 mijë lekë.
Mbetet e pashpjegueshme, pse Erion Isai në një komision tenderash me vlerë disa milionë euro, veç kryetarit me profesion inxhinier, vendosi edhe dy punëtorë të thjeshtë të bashkisë. Në të njëjtën ditë, që u ngrit për hartimin e specifikieve teknike dhe përllogaritjes së fondit limit, komisioni , i drejtohet personit përgjegjës për prokurimin, Armand Tafil, duke vënë në dijeni dhe kryetarin e Bashkisë, Erion Isai, për dërgimin e termave të referencës dhe përllogaritjen e fondit limit.
Në procesverbalin e mbajtur nga komisioni i përllogaritjes së fondit limit për "Mbikqyrje Punimesh Ndërtim i ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshaterave Faza e Dytë nga burimet e Kozelif”, bëjnë me dije se, vlera max është 3,852,518.02 lekë pa tvsh dhe vlera min 3,148,418.68 lekë pa tvsh.
Me një urgjencë dhe shpejtësi si ajo e zërit, Armand Tafili, po në datën 6 tetor, me anë të relacionit mbi procedurën e prokurimit i drejtohet Kryetarit të Bashkisë, Erion Isai dhe Drejtoreshës së Financës, Sofika Rexhepi, për 4 (katër) procedura prokurimi për mbikëqyrje punimesh, ku me nr 2 identifikohet objekti: Mbikqyrje Punimesh Ndërtim i ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshaterave Faza e Dytë nga burimet e Kozelit.
Dhe pas këtij momenti, po brenda ditës, pra në datën 6 tetor, Erion Isai dhe Drejtoresha e Financës, Sofika RExhepi, i drejtohen përsëri me një tjetër shkresë Armand Tafilit, duke miratuar fillimin e procedurës së prokurimit, ku konkretisht me nr 2 identifikohet procedura e prokurimit me objekt: Mbikqyrje Punimesh Ndërtim i ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshaterave Faza e Dytë nga burimet e Kozelit, me fond limit 3,852,518.07 lekë pa tvsh.
Dhe po në të njëjtën ditë, Erion Isai, urdhëron tenderimin e supervizimit të ujësjellësit të Kozelit, duke ngritur edhe komisionin të prokurimit i cili përbëhet nga Armand Tafili kryetar, Erjon Cenko anëtar, që nga verifikimi i Plug rezulton se ishte ekologjist në bashki dhe Shpëtim Liço anëtar, që në atë kohë ishte me detyrë inspektor taksash.
Në të njëjtën ditë, Erion Isai ngre edhe një tjetër komision, atë të verifikimit të ofertave i përbërë nga Ejona Mydini, nënkrytare e bashkisë, Erjon Hymeri me detyrë përgjegjës zyre dhe Gentjana Duka nëpunëse e zyrës së financës.
Ajo e martë e 6 tetorit 2020, duket se ka qenë një nga ditët më intensive në bashkinë Ersekë. Grupi i ngritur nga Erion Isai për të zhvilluar katër tendera, po në të njëjtën ditë, plotëson dosjet me kriteret teknike për të katër procedurat, dhe në të njëjtën ditë njoftohet edhe hapja e garës për katër tendera me objekt prokurimi supervizim punimesh.
Erion Isai dhe dy grupet e prokurimit të ngritur prej tij, u japin operatorëve ekonomik vetëm 12 ditë kohë për të dorëzuar ofertat, ndonëse për procedura prokurimi të tilla kërkohet më shumë kohë. Por kufizimi i kohës shpjegohet me faktin, se tenderat ishin të paracaktuar, madje vetë letrat, siç do t`ju tregojmë në vijim ishin hartuar Entela Çano. Në total për të katër këto procedura Prokurimi, Bashkia e Kolonjës tenderoi një fond prej rreth 60 mijë eurosh. Dhe siç rezulton më pas, dy nga tenderat u fituan pikërisht nga kompania e Entela Çanos.
Konkretisht, kompania e Entela Çanos fitoi tenderin e lotit të dytë me objekt: Mbikqyrje Punimesh Ndërtim i ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshaterave Faza e Dytë nga burimet e Kozelit, me vlerë rreth 38 mijë euro pa TVSh dhe tenderin me objekt. Mbikqyrje Punimesh Rikonstruksioni i rrjetit ujitës të rezervuarit të Gjonçit, Bashkia Kolonjë me vlerë rreth 14 mijë euro pa tvsh. Pra në total, Entela Çano vetëm për të mbikqyrur puniemt e dy ujësjellësave, dokumnetacionin e të cilëve e kishte hartuar vet, përfitoi 52 mijë euro.
Por arritja deri në këtë pikë, kishte kaluar më parë në seri procedurash ekstraligjore, apo thënë ndryshe, tenderat i kishte kopsitur Entela Çano e A&E Engineering, Erion Isai dhe Arand Tafili. SPAK ka zbërthyer telefonin e Entela Çanos, për një tjetër hetim dhe rastësisht gjeti edhe të dhëna të aferës me Erion Isain. Më 1 korrik 2020, Erion Isiai dhe Entela Çano shkëmbejnë mesazhe në whats up.
Nga mesazhet, zbardhet fakti se Erion Isai i kërkon Entela Çanos të përgatis dokumentacionin e tenderit për ndërtimin e ujësjellësit të 14 fshatrave, që më pas do të tenderohej nga Bashkia Ersekë.
ERION ISAI - “Miremengjes, Shifi pak keto: Po 110 max ose 90 i jep zgjidhje thuj enteles Vetem rjeti jashtem deri depo fi 250 ne 20 bar eshte 18 755 ml X 6793 leke = 127 402 715 pa tvsh kurse pesari fi 200 me gjatesi 1 880 X 4747 leke = 8 924 360 leke".
ENTELA ÇANO -- "Mirmengjes..ok.. mi dërgo Ok..te njejten gje po bejme edhe ne..reduktim parametrash".
ERION ISAI -- “Sa me shpejt s Pls".
ENTELA ÇANO -- “Ok..pa merak".
ERION ISAI --"Me duhet deri te premtenMe duhet lista me emrat e fshatrave dhe vlerat per cdo fshat vëlla Nje zjarr te luteeeeem
ENTELA ÇANO --"Pa merak..do bëj të pamunduren qe te premten ti dorezojme".
ERION ISAI --“Je yll
ERION ISAI --“Kemi gati ndonje prevrntiv Te ndonje fshati?"
ENTELA ÇANO --"Neser paradite mendoj se mund të kemi diçka..po sforcohemi shume per te arritur vleren..230 me tvsh..jam e sakte ? Ma konfirmo te lutem".
ERION ISAI --"330 Eshte maх".
ENTELA ÇANO "Shyqyr..".
ERION ISAI --"Pls Zjarrrrr Se neser duhet me i printu Vulos ktu te ue Une Te premte mengjes herët Duhen dorezu".
ENTELA ÇANO -- “Do bëj më të mirën e mundshme.. mendoj që do të jem korekte..por jam sforcuar shumë për të kapur vlerën..".
ERION ISAI ---"Ishte teeeepeeeeer e larte As behej fjale".
ENTELA ÇANO -- "Me 5 aspra tha do verë të mirë miku: shprehje gjermane..".
Tre ditë pas bisedës së parë, Erion Isai zhvillon një tjetër bisedë me Entela Çanon, ndërsa kjo e fundit i dërgon një dokument me titull ““Preventiv 13 FSHATRAT E KOLONJES 386.pdf". gjithashtu shtetasja Entela Çano i dërgon shtetasit Erion Isai mesazhin “Njeri variant..eshte edhe nje tjeter qe do te te dergoj".
(Rezulton se këtë material shtetases Entela Çano ia ka dërguar shtetasja Erjona Bujupi, në orën 13:09. Ky material titullohet "Preventiv Zbatimi Objekti: Ndërtimi i Rrjetit të shpërndarës të furnizimit me ujë në 13 fshatrat e Kolonjës”, ku përbëhet nga një tabelë që quhet "Përmbledhëse sipas nënobjekteve” ku ndodhen të shënuar shtatë zëra nënobjektesh me vlerat respektive në krahë të tyre dhe vlera totale e këtij preventivi është shënuar 386,602,100.7, si dhe në fund vërehet shënimi “Punoi: M.A.K Studio Ing. Tomorr Spahiu".
Pasi Entela Çano kopsit projektin, që ia kishte marrë Tomor Spahiut, Erion Isai nuk humbet kohë dhe e dorëzon në Agjencinë Kombëtare të Ujërave dhe Mbetjeve të Ngurta, që në atë kohë drejtohej nga Alqi Bllako. Erion Isai dhe Entela Çano zhvillojnë disa biseda deri në datën 15 shtator, kur kryebashkiaku i Eresekës, i jep Entela Çanos numrin e vartësit të tij, Armand Tafili, me qëllim që së bashku të pregatisin tenderin e paracaktuar të supervizimit të ujësjellësit, që do të fitohej nga Entela Çano.
ERION ISAI -- "Armand Tafili, Do te te marre Per superviz.".
ENTELA ÇANO -- "Faleminderit shume".
Ky është detaji shumë i rëndësishëm, që tregon se Erion Isai nuk i harron nderet ndaj miqëve. Ai i jep Entela Çanos numrin e Armand Tafilit, me qëllim që ky i fundit si drejtues i Prokurimeve, të shpërblente mikeshën e kryebashkiakut.
Në datën 17 shtator 2020, Entela Çano i dërgon Armand Tafilit një mesazh në telefon bashkëngjitur edhe dokumentin me titull: ar“1-KËRKESË_PËR_PROPOZIM_SHËRBIME_UJESJELLES KOZEL.docx". Në një tjetër mesazh, Entela Çano i shkruan Tafilit, duke e sqaruar se punonjësit e bashkisë: 09.2020, në orën 12:25, shtetasja Entela Çano i dërgon shtetasit Armand Tafili mesazhin “Kane vetem daten per te ndryshuar Dhe personin qe e ka hartuar", si dhe ka dërguar dokumentin e titulluar “2-DETAJIMI 1 MBIKQYRJES UJESJELLES KOZELI.docx". Pasi ka marrë mesazhet e mësipërme, shtetasi Armand Tafili ka dërguar mesazhin:
ARMAND TAFILI: “Dakort Entela.Shumë faleminderit. Mbetemi në kontakt.".
ENTELA ÇANO -- “Ok. Faleminderit”
Në datën 24 shtator 2020, Entela Çano dhe Armand Tafili shkëmbejnë të tjera mesazhe, ku drejtori i Erion Isait i tregon vlerën e fondit që pronarja e kompanisë A&E Engineering, pritet të përfitojë pasi të zhvillohet tenderi.
ENTELA ÇANO -- “Armand pershendetje..si je ? Po te dergoj llogaritjet..por te lutem kjo vlere duhet mbajtur sekret..askush nuk duhet ta dije te lutem", gjithashtu, i dërgon edhe një material, përmbajtja e të cilit nuk mund të evidentohet.
ARMAND TAFILI --“Mire si je ti Patjeter".
ENTELA ÇANO -- "Ky eshte procesverbali.. Faleminderit ty..por te lutem askujť".
ARMAND TAFILI -- "Ri e qete".
Rezulton se vlera maksimale e mbikëqyrjes 3,852,518.07 lekë pa tvsh, është vlera e fondit limit të procedurës së prokurimit me objekt me objekt "Loti Nr.2 Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshtarave Faza e dytë nga burimet e Kozelit", e publikuar nga Bashkia Kolonjë në datën 07.10.2020.
Vlera minimale është informacion shumë i rëndësishëm në këto procedura prokurimi, pasi nëse plotësohen kapacitetet (vlera e punëve të ngjashme, profili dhe numri i inxhinierëve, licencat e shoqërisë dhe të stafit, certifikimet) për të realizuar shërbimin, fitues shpallet operatori ekonomik që jep ofertën më të afërt me vlerën minimale që ka llogaritur autoriteti kontraktor.
Kjo, pasi nëse japin një vlerë më të ulët se vlera minimale e llogaritur nga autoriteti kontraktor, operatori ekonomik skualifikohet,pra, garën e fiton operatori ekonomik me ofertën më të ulët se konkurentët e tjerë por të barabartë ose më të lartë sesa vlera minimale. Rëndësia e informacionit mbi llogaritjen e vlerës minimale shprehet gjatë komunikimeve edhe nga vetë shtetasja Entela Çano, e cila i kërkon shtetasit Armand Tafili që këtë vlerë ta mbajë sekret.
Një tjetër moment i rëndësishëm, janë mesazhet e datës 5 tetor 2020, pra një ditë përpara se Erion Isai dhe gjithë stafi i tij, të firmosnin një mori letrash, procesverbalesh dhe të shpallnin brenda ditës, tenderin për mbikqyrjen e punimeve të ujësjellësit të ri të Ersekës nga burimet e Kozelit.
Në datën 5 tetor, Entela Çano interesohet drejtpërdrejtë tek Armand Tafili, për të marrë informacion se çfarë po bëhej me këtë tender.
ENTELA ÇANO -- “Armand përshëndetje ..si je ?".
ARMAND TAFILI --"Mire si je ti".
ENTELA ÇANO --“Çfarë po bëhet me MBKQ e Kozelit ?".
Por pas kësaj bisede Armand Tafili telefonon shtetasen Entela Çano dhe së bashku zhvillojnë një bisedë telefonike, ku mesaduket drejtori i Erion Isait ka zgjedhur ta informojë me fjalë arkitekten Entela Çano për tenderin. Një ditë më pas, në datën e famshme 6 tetor 2020, Armand Tafili zhvillon një tjetër bisedë me Entela Çanon ku i kërkon konfirmim nëse dokumentat e tenderit për ujësjellësin e Ersekës janë në rregull.
Në datën 7 tetor 2020, Armand Tafili informon Entela Çanon të shoh Agjencinë e Prokurimit Publik, pasi tenderi më në fund ishte shpallur.
ARMAND TAFILI -- "Si kalove E pe besoj".
ENTELA ÇANO -- “Mirë faleminderit..po e pashe..rrofsh..dorën e mbarë.."
ARMAND TAFILI --“Mbarë.".
Një ditë pasi tenderi u shpall në publik, Armand Tafili i kërkon Entela Çanos t`i dërgojë tre nipte kompanish, përfshi të sajën, për t`u bërë ftesë në lidhje me këtë procedurë prokurimi. Entela Çano nuk humbet kohë, por i kërkon punonjëses së saj, Erjona Bujupi, që t`i dërgojë niptet dhe më pas ato ia kalon Armand TAfilit Kompanitë që u bëhet ftesë për këtë tender, janë “A&E Engineering shpk e Entela Çanos, M.A.K Studio e Tomor Spahiut, me të cilin Çano do të fitojë një nga tenderat e tjerë të shpallur në 6 tetor 2020, dhe SON Engineering & Construction, kjo ef undit kompani e Erind Bejlerit, mik i Erion Veliajt dhe Endri Fugës.
Në përfundim fituese shpallet pikërisht A&E Engineering e Entela Çanos për vlerën e 37 mijë eurove. Nga të dhënat e dosjes hetimore, rezulton se Erion Isai dhe vartësit e tij: Muharem Tartari, Engjell Dine, Ermal Zylfo, dhe në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, kanë shkelur barazinë në tendera, duke shkelur ligjin e Prokurimit Publik në disa nene.
SPAK
Nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake të procedimit penal nr.280 të vitit 2020, rezulton se shtetasi Erion Isai, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë, 31 i duke vepruar nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor,Bashkia Kolonjë, për procedurën e prokurimit të sipërcituar, në bashkëpunim me personat përgjegjës të tjerë të autoritetit kontraktor, shtetasit Muharem Tartari, Engjell Dine, Ermal Zylfo, Armand Tafil, Erjon Cenko, Shpëtim Liço, ka konsumuar elementët e veprës penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", në bashkëpunim.
Por, situata bëhet edhe më e rëndë, pasi SPAK konstaton gjithashtu se Entela Çano kishte akses të plotë në Bashkinë e Kolonjës, duke hartuar vetë kriteret me të cilat fitonte tenderat që i firmoste Erion Isai.
SPAK
"Anëtarët e komisionit në përllogaritjen e fondit limit janë bazuar pa kryer një studim real të tregut, duke u mbështetur në oferta fiktive të përgatitura nga vetë shoqëria fituese e kësaj procedure prokurimi, "A&E Engineering" sh.p.k. Po ashtu, specifikimet teknike janë hartuar në të vërtetë nga administratorja e hoqërisë “A&E Engineering" sh.p.k., e pandehura Entela Çano'
Këtu pjesa e dytë e PLUG/ 'Humori' Erion Isait me taksat, 7 milionë euro shpërdorime për ndërtim ujësjellësash
© SYRI.net