Mirëmbrëma! Fillojmë Plug! Sot do t’ju tregojmë se si si skema ‘5B’, e drejtorëve të Belinda Ballukut nuk kanë zhvatur vetëm miliona euro nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë, por defakto ata kanë privatizuar edhe institucionet shtetërore. Do të udhëtojmë sërish në qytetin e Durrësit, bashkia e dytë më e rëndësishme në vend, por edhe për nga niveli i abuzimeve korruptive. Në fokus do të jenë dy ndër drejtorët më të besuar të Belinda Ballukut, Ceno Klosi dhe Spartak Kovaçi, që veç lidhjeve të gjakut dhe besimit te shefja e tyre, i lidh gjithashtu edhe angazhimi në aferat miliona euro. Po le t’ja nisim pa humbur kohë.
Skema dhe kompanitë që janë pjesë e investigimit të sotëm, përllogritet të kenë marrë të paktën 32 milionë euro tendera, prona publike, leje ndërtimi madje edhe me firmë të kryeministrit Edi Rama.
Drejtorët kushërinjë, Ceno Klosi dhe Spartak KOvaçi nuk janë vetëm vegla në betejen elektorale të zv. Kryeministres Belinda Balluku. Ata gjithashtu kanë shfaqur cilësi manaxheriale të suksesshme në thithjen e fondeve publike, edhe pse me një sukses po aq të admirueshëm në menaxhimin e institucioneve që kanë drejtuar.
Emri i Ceno Klosit nisi të lakohej në publik, me nisjen e karrierës pas fitores së rilindjes socialiste në vitin 2013. Për 7 vite ai ka mbajtur detyrën e Drejtorit Financiar në OSHEE, e me pas për disa muaj ka drejtuar AKUM pas largimit të Alqi Bllakos. Në vitin 2021, Belinda Balluku do t’i besonte një prej drejtorive më të rëndësishme, atë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2024, kohë kur Balluku do ta emëronte si zëvendës të saj në Ministrinë e Infrastruktrës dhe Energjisë.
Që prej marrjes së detyrës së parë në qeverisjen socialiste, Ceno Klosi nisi edhe punësimet nepotike, duke rregulluar të gjithë të afërmit e tij në zyrat shtetërore. Ndërsa ishte drejtor në OSHEE, Klosi u kujdes të punësone si Specialiste tregu kunatën e tij, shtetasen Eriselda Shehaj, bashkëshortja e vëllait, Genti Klosit. Por jo vetëm kaq, ai do të sigurohej që dhe motra e kunatës të mos mbetej rrugëve. Matilda Merdanaj do të punësohej gjithashtu pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Adela Koçaj, gjithashtu kunata e Cenos, do të punësohej si drejtore pranë Agjencia Ekonomike Mbështetëse, një institucion i krijuar në vitin 2018 nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ndërsa punësimi i radhës do të ishte tezja, Donika Klima, e cila rezulton e punësuar pranë FSHU.
Në këndvështrimin e parë, gjithkush mund të merrte përsipër justifikimin e emërimeve nepotike, me argumentin se familjarët e drejtorëve nuk janë të përjashtuar nga punësimi në shtet. Por jo, nuk është vetëm kaq, familjarët e punësuar fal influencës së Ceno Klosit, me rritjen e tij në karrierë edhe ata do të shndërrohen në biznesmenë të suksesshëm, duke plotësur kështu panoramën e privatizimit defakto të disa prej drejtorive më të rëndësishme nga ku më pas do të merrnin miliona euro. Nga rrogëtar, familjarët e Klosit, gjatë pushtetit të rilindjes do të lulëzonin si biznesmenë.
Në vitin 2022 Adela Koçaj, kunata, dhe Edita Klosi, motra, themelojnë kompaninë FIPROP me objekt kryerjen e studimeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Si administratore të kompanisë vendosin Eriselda Shehaj, nusja e vëllait të Cenos. Kompania e 3 rrogëtareve, që në vitin e parë të themelimit garantojnë një xhiro prej 280 mijë eurosh, nga të cilat 94 mijë euro neto, i deklarojnë si fitim.
Jo vetëm gratë e familjes, por sukses duket se ka patur edhe Genti Kloi, vëllai i zëvendëses së Belinda Ballukut. Në vitin 2017, Genti Klosi regjistron një ‘Bar-Kafe’ me të ardhura modeste. Por gjërat do të ndryshonin shpejtë për Genti Klosin, që sot mund të konsiderohet si një nga biznesmenët më të suksesshëm, e çdo gjë e arritur në një kohë rekord.
Në vitin 2019 në QKB regjistrohet kompania T.O.V 2019 me Ortak Orgest Totojani dhe Vera Musmuça. Kjo e fundit largohet si pronare e kësaj kompanie 4 muaj më vonë dhe çuditërisht nga pronare figuron e punësuar si Operatore në Call Center. Aksionerët e rinj janë Mikel Lesaj dhe Ermal Arapi. Në vitin 2020, në këtë kompani hynë në lojë Gent Klosi, i cili blen 50 % të aksioneve nga Orges Totojani dhe tashmë bëhet pronar i gjysmës së kësaj kompanie, apo Vilës Feliz, një restorant luksoz në periferi të Tiranës. Në bilancin e vitit 2019 kjo kompani deklaron makineri dhe pajisje në vlerën 1.2 milion lekë dhe nuk deklaron se ka në pronësi tokë apo ndërtesë. Gjatë vitit 2020-2021 kjo kompani deklaron detyrime të cilat arrijnë në vlerën 21.000.000 lekë ose rreth 210.000 euro dhe në pronësi tashmë rezulton një ndërtese. Ndërsa në letra, kompania ku Genti Klosi u bë pronar, kishte aktivitet, befas më pas rezulton që ka edhe pronësi dhe ndërtesë, çka ngre dyshime, se si ish-pronarët u treguan aq zemërgjerë me vëllain e zv. Ministrit Klosi. Në vitin 2022, ortakët e tjerë tregohen po aq zemërgjerë dhe me kontratë i dhurojnë Genti Klosit edhe 50% të aksioneve të tjera dhe tashmë ai bëhet ortak i vetëm i kompanisë T.O.V 2019. Sipas kontratës, këta ortakë përpara noterit deklarojnë së nuk kanë detyrime, por bilanci flet ndryshe pasi deri në vitin 2021 kjo kompani kishte 210.000 euro detyrime. Pra bilancet dhe transaksionet e kryera mes ish-pronarëve dhe Genti Klosit ngrenë pikëpyetje të mëdha, se si një pronë me vlerë qindra milionë lekë, dhurohet me vetëm një firmë.
Po aq i dyshimtë është edhe lulëzimi i kësaj kompanie, pasi Genti Klosi bëhet pronat i vetëm i Vils Feliz. Ndërsa deri dje, rezultonte me detyrime të prapambetura, në vitin 2022, kompania njeh një bum financiar, duke trefishuar xhiron, të paktën kështu deklarohej në tatimet e drejtuara nga vëllai Ceno Klosi. Për vitin 2022 kjo kompani në fushën e restoracionit 630.000 euro xhiro dhe fitim 200.000 euro. Për vitin 2023 kompania faturon 660.000 euro dhe fitim 230.000 euro. Por nuk ndalet këtu, Genti Klosi nga një lokal modest, shndërrohet në pronar i një restoranti luksoz, e tashmë do të kalojë në një tjetër nivel, si investitor në bregdet, një investim miliona euro, ku në lojë do të hyjnë edhe personazhe të tjerë.
Në vitin 2022 kompania T.O.V shpk e Gent Klosi sëbashku me Petrit Kovaçin dhe Ushina shpk në kuota të barabarta, themelojnë Adriatik Union. Sipas të dhënave të bilancit kjo kompani që nga themelimi zotëron një tokë dhe ndërtesë në vlerën 760.000 euro. Nuk dihet sesi dhe nga kush është blerë apo zotëruar kjo pronë por i mbetët SPAK ta vërtetojë, pasi edhe në këtë rast për familjen Klosi, pronat mbijnë nga hiçi. Në vitin 2023 largohet ortaku Ushina dhe tashmë aksioner janë Petrit Kovaçi dhe Genti Klosi, kushërinjë mes tyre. Sapo Ushina largohet, për Adriatik Union, kryeministri Edi Rama miraton një leje ndërtimi për një hotel 9 kate mbi tokë dhe 2 kate parkim nëntokë, në buzë të detit Adriatik.
Në nëntor të vitit 2023, pasi mediat filluan të denoncojnë këtë lejë ndërtimi për hotelin e Petrit Kovaçit, babai i Drejtorit të Ujësjellësit Durrës Spartak Kovaçi dhe Genti Klosit vëllai i Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, ky i fundit largohet nga kompania. Në këtë moment regjistrohet edhe një tjetër transaksion i dyshimtë nga vëllai i ish-drejtorit të Tatimeve. Një kompani e cila zotëron 760 mijë euro prona dhe një leje ndërtimi për një hotel 9 kate buzë deti në Durrës, Genti Klosi i shet për vetëm 500 euro, aksionet takuese. Ajo që ngre dyshime të mëtejshmë janë të dhënat e pronës në lejen e ndërtimit të miratuar nga Rama. Në të cilën përcaktohet se sipërfaqja totale e truallit është 1104.5 m2 nga të cilat 183 m2 janë shtet.
Lidhja mes Spartak Kovaçit dhe Ceno Klosit zbulohet pikërisht nga kompania Adriatik Union, ku aksioner rezultonin Babai i Drejtorit të Ujësjellësit Durrës dhe vëllai i zv. ministrit të Belinda Ballukut. Edhe Spartak Kovaçi ka një ngjitje në karrierë dhe një veprimtari thuajse identike me Ceno Klosin. Me punësime nepotike, shndërrim të tyre në biznesmenë, e më pas suksese me miliona euro.
Spartak Kovaçi emërohet si drejtor i Ujësjellësit Durrës në tetor të vitit 2013. Sipas të dhënave në deklaratën e pasurisë të depozituar në ILDKPI, ai deklaron së deri në tetor ishte i punësuar pranë kompanisë PUTIGNIANO, kurse e bashkëshortja, Serena Kovaçi, në Bashkinë Durrës. Kompania PUTIGNIANO është e panjohur deri më sot për publikun, por nga investigimi i sotëm do të zbulojmë të dhëna interesante, të padëgjuara më parë.
Por le të vijojmë njëherë me familjen Kovaçi, të cilët shkëlqejnë si zyrtarë dhe biznesmenë njëkohësisht. Xhaxhai Saimir Kovaçi është i punësuar pranë UKD kurse e shoqja e tij Rozeta Kovaçi rezulton e punësuar pranë Bashkisë Durrës. Rozeta Kovaçi rezulton e përfshirë dhe në dosjen hetimore të Vangjush Dakos pasi ka mbajtur dhe funksionin e Sekretares së Këshillit Urbanistik të Bashkisë Durrës.
Një tjetër familjare e Spartak Kovaçit rezulton e punësuar pranë Bashkisë Durrës dhe ajo është Vilma Hyseni, e cila është dhe koordinatore për të drejtën e informimit. Por punësimet e familjarëve Klosi-Kovaçi nuk përfundojnë këtu. Marsel Doçi kunati i Spartak Kovaçit dhe bashkëshortja e tij Orjada Tupa, rezultojnë të punësuar pranë operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe operatorit të Shpërndarjes së Energjisë.
© SYRI.net