Nga Ndriçim Kulla - 10:18, 18/05/2026
Në Shqipërinë e sotme, një nga plagët më të rënda të jetës publike nuk është më vetëm korrupsioni politik, as kapja e institucioneve, as vjedhja e zgjedhjeve, por shndërrimi gradual i medies në një aparat të heshtur shërbimi ndaj pushtetit, një mekanizëm propagande që nuk e pasqyron më realitetin, por e maskon atë me kujdes profesional, me teknikë moderne manipulimi dhe me një mjegull informacioni të fabrikuar për të mpirë vetëdijen qytetare.
Në një vend ku varfëria shtohet, rinia largohet, ekonomia mbështetet gjithnjë e më shumë tek paratë informale dhe ku vetë Europa vazhdon të mbajë Shqipërinë në korridoret e pafundme të pritjes dhe refuzimit, mediat kryesore sillen sikur jetojmë në një republikë prosperiteti, në një vend ku gjithçka funksionon, ku çdo problem është folklor, ku çdo skandal është “zhurmë opozitare” dhe ku vetë pushteti paraqitet si mishërimi i modernitetit dhe qytetërimit europian.
Kjo është tragjedia më e madhe e shtypit shqiptar sot. Ai nuk është më një pushtet kontrollues mbi qeverinë, por një bojatisje e saj. Nuk është askund një sy kritik i shoqërisë dhe i së vërtetës, por një ekran që projekton vetëm këndin e pushtetit. Në vend që të zbulojë plagët, ai vendos makijazh mbi to. Në vend që të ngrejë pyetje, ai prodhon justifikime. Dhe në vend që të alarmojë kombin për rreziqet që i kanosen demokracisë dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë, ai është kthyer në shpërndarësin më të madh të mjegullës qeveritare.
Në historinë moderne të kombeve, shtypi ka qenë gjithmonë barometri moral i një shoqërie. Kur ai është i lirë, kombi ka ende shpresë. Kur ai korruptohet, fillon errësira publike. Shqipëria sot po jeton pikërisht këtë fazë të errët, ku pjesa më e madhe e medieve të mëdha nuk informojnë më, por administrojnë perceptimin publik sipas interesit të qeverisë. Kjo është arsyeja pse shumë skandale të mëdha që kanë tronditur opinionin europian, në Shqipëri janë trajtuar si episode periferike, pa zemërim moral, pa insistim investigativ dhe pa presion publik.
Kanabizimi masiv i Shqipërisë për disa vite me radhë është një nga ngjarjet më dramatike të historisë moderne shqiptare. Europa po flet për Shqipërinë si qendër të trafikut të drogës në rajon, raporte ndërkombëtare e ngrijnë alarmin, opozita publikonte fakte, ndërsa pjesa më e madhe e medieve kombëtare sillet sikur po ndodhte një fenomen meteorologjik dhe jo transformimi kriminal i ekonomisë dhe jetës shqiptare. Në ballë të këtyre medieve qëndrojnë sy televizionet me licencë kombëtare Top Channel dhe Tv Klan. Në vend që të zbulojnë rrjetet, lidhjet politike, implikimet shtetërore, ata zgjodhën heshtjen ose relativizimin. Kjo heshtje nuk ishte paaftësi profesionale. Është zgjedhje politike.
E njëjta gjë ndodhi me aferën e incineratorëve, që konsiderohet një nga vjedhjet më të mëdha financiare të tranzicionit shqiptar. Një aferë ku qindra miliona euro të taksapaguesve u zhdukën në një histori kompanish fantazmë, kontratash të errëta dhe lidhjesh klienteliste me pushtetin. Në çdo vend normal, një skandal i tillë do të kishte rrëzuar qeveri, do të kishte prodhuar hetime të përditshme mediatike, debate të pandërprera, dokumentarë investigativë dhe presion kombëtar. Në Shqipëri, një pjesë e mirë e medieve e kaloi atë si një lajm teknik administrativ, duke ia lënë barrën e denoncimit disa portaleve të vogla, disa gazetarëve të izoluar dhe opozitës.
Kjo tregon se problemi i shtypit shqiptar nuk është mungesa e kapaciteteve profesionale, sepse shumë prej këtyre medieve kanë staf të aftë, teknologji moderne dhe eksperiencë të gjatë. Problemi është nënshtrimi politik dhe ekonomik. Media shqiptare sot është kthyer në një sistem varësie nga pushteti, ku reklamat shtetërore, lejet, licencat, lidhjet klienteliste dhe interesat financiare kanë vrarë instinktin kritik. Dhe kur një media humbet instinktin kritik, ajo pushon së qeni media dhe kthehet në zgjatim të propagandës.
Mjafton të shohësh mënyrën se si trajtohet këto ditë procesi i integrimit europian. Për vite me radhë publikut shqiptar i është shitur ideja se Shqipëria është “më pranë se kurrë Europës”, se negociatat janë sukses historik, se qeveria po ndërton standarde europiane. Por ndërkohë realiteti është krejt tjetër , dramatik. Shqipëria vazhdon të mbetet vendi me emigrimin më dramatik në Europë, me nivelin më të lartë të korrupsionit institucional në rajon dhe me një mosbesim të thellë europian ndaj shtetit ligjor shqiptar. Kjo është arsyeja pse tashti procesi i integrimit ecën me ritëm të ngrirë ,pothuajse të pezulluar dhe me skepticizëm të madh politik nga vendet europiane.
Por a e trajtojnë mediet shqiptare këtë krizë si krizë kombëtare? Jo. Ato e mbulojnë me ceremoni propagandistike, me kronika të stisura optimizmi, me samite folklorike dhe me spektakël diplomatik. Në vend që të pyesin pse Europa nuk beson tek institucionet shqiptare, ato prodhojnë tituj triumfalistë për çdo fotografi të kryeministrit me liderë europianë. Në vend që të analizojnë raportet kritike të BE-së për korrupsionin dhe krimin e organizuar, ato shpërndajnë me pasion narrativën e qeverisë sikur Shqipëria ndodhet në pragun e artë të integrimit.
Sot në Shqipëri nuk kemi më thjesht media të njëanshme, por kemi krijimin e një trekëndëshi të madh mediatik që kontrollon klimën psikologjike dhe perceptimin publik të shoqërisë shqiptare në favor të pushtetit, një mekanizëm i sofistikuar ku televizionet kryesore kombëtare nuk konkurrojnë më për të zbuluar të vërtetën, por për të interpretuar sa më me finesë interesin e qeverisë dhe për ta paraqitur atë si interes kombëtar. Ky është deformimi më i madh që i është bërë gazetarisë shqiptare pas rënies së komunizmit. Sepse edhe në vitet më të errëta të tranzicionit, mediet kishin ende instinktin e konfliktit me pushtetin, ndërsa sot pjesa më e madhe e tyre kanë hyrë në një marrëdhënie bashkëjetese dhe mbijetese me të.
Tre mediet më të mëdha kombëtare, që duhet të ishin tribuna të alarmit publik për plagët e Shqipërisë, janë kthyer gradualisht në laboratorë të prodhimit të mjegullës qeveritare, ku kronika, debati, analiza dhe vetë renditja e lajmeve ndërtohen jo mbi rëndësinë kombëtare të problemit, por mbi interesin politik të pushtetit për ta fshehur, relativizuar apo deformuar atë. Kjo është arsyeja pse publiku shqiptar sot sheh me orë të tëra spektakël politik, folklor propagandistik dhe reportazhe optimiste mbi fasadat urbane, ndërsa nuk sheh pothuaj asgjë mbi zbrazjen dramatike të Shqipërisë nga rinia, mbi falimentimin moral të administratës, mbi ekonominë informale që ka pushtuar vendin, mbi kapjen e institucioneve dhe mbi mosbesimin e thellë europian ndaj shtetit shqiptar.
Në çdo vend normal europian, fakti që mijëra të rinj largohen çdo muaj nga vendi do të ishte alarm kombëtar dhe temë qendrore e medieve. Në Shqipëri ai trajtohet si statistikë e ftohtë ose mbulohet me kronika turistike dhe propagandë zhvillimi. Në çdo demokraci normale, akuzat për manipulim zgjedhor dhe përdorim të administratës do të mbushnin ekranet me debate investigative dhe presion publik. Në Shqipëri ato zhyten në një heshtje të organizuar ose relativizohen me cinizëm profesional. Dhe pikërisht këtu qëndron drama e madhe e shtypit shqiptar sot: ai nuk është më pasqyrë e realitetit, por perdja mbi të. Një perde cinike , moderne, teknologjike, me studio të ndritshme dhe grafikë europiane, por që në thelb fsheh të njëjtin mekanizëm të vjetër të kontrollit të opinionit publik që çdo pushtet autoritar ka përdorur gjithmonë për të mbijetuar.
© SYRI.net