Unë shpreh ndjeshmërinë time personale: ne jemi në diktaturë, jo në autoritarizëm

Unë shpreh ndjeshmërinë time personale: ne jemi në diktaturë, jo në autoritarizëm

Nga Ndriçim Kulla - 05/11/2025

Lexoj ose dëgjoj shpesh në debatet publike të shprehet shqetësimi se “Shqipëria, nga dita në ditë, po rrëshqet drejt autoritarizmit. Prandaj Europa duhet të gjejë mënyrën për të ndërhyrë me mekanizmat e saj.”
Në këto përcaktime renditen deputetë ose eksponentë të opozitës. Por a i korrespondon vallë ky përcaktim së vërtetës? Cili është realisht statusi i vendit tonë sot? Çfarë jemi dhe kujt shoqërie i ngjajmë?

Për kastën e këtij pushteti, që ushqehet me djersën dhe gjakun e shqiptarëve, kjo është Shqipëria e kullave dhe e makinave luksoze, që s’e kemi parë kurrë më parë. Përfshi këtu edhe një kategori ndërkombëtarësh – nga Toni Bler te Masimo Dalema e të tjerë – që kreu i regjimit i mban me honorare të pafundme lobimi, të cilave u është ndaluar transparenca publike.
Por cili është emërtimi i saktë që duhet t’i japim statusit të Shqipërisë së sotme? Një vend që rrezikon të rrëshqasë në diktaturë, apo një vend që e ka përfunduar tashmë këtë rrëshqitje dhe ndodhet realisht në diktaturë?

Në gjykimin tim, ky aspekt, që mund të duket i thjeshtë, formal dhe i parëndësishëm, ka shumë rëndësi. Sepse nëse luftojmë me këtë regjim dhe njëri e quan kështu e tjetri ndryshe, duke neglizhuar surratin e nxirë që ka, s’do të bënim gjë tjetër veçse do të ndihmonim pëlhurën e Penelopës që Rama ia ka hedhur realitetit të trishtë shqiptar.
Ndryshimi kërkon edhe fjalën e qëlluar. Shqipëria sot është plotësisht totalitare dhe nuk ka më thjesht “tendencë” për të rrëshqitur në totalitarizëm. Ajo jo vetëm ka rrëshqitur, por është bërë një shtet plotësisht totalitar.
Duhet t’u qëndrojmë korrekt koncepteve që përdorim, sepse ato shpërndajnë ose realizëm, ose mjegull në publik. Në Shqipëri sot jetojmë një narkodiktaturë në oborrin e Europës – dhe kjo fjali meriton një pikë të fortë në fund.

T’i kërkosh ndihmë emergjente Europës për të ndërhyrë e për të na ndihmuar të përmbysim realitetin autoritarist është gjë e drejtë, por kjo kërkesë politike e ligjshme bëhet e pakuptueshme kur pas saj thuhet se “rrezikojmë të rrëshqasim në diktaturë”. Narkodiktatura është ulur këmbëkryq dhe po pi verë të kuqe 33 mijë euroshe.
Ajo po fut kundërshtarët pa gjyq në burg, që të mos i lejojë të bëjnë luftë politike, ndërsa ish-presidentin dhe kryetarin e një partie politike e rrëmben kaçakçe në mes të rrugës – duke lënë pas shembuj që i tejkalojnë edhe diktaturat më të egra.
E kush i ndjek dhe i përsekuton rivalët politikë kështu, përveç diktaturave?

Çfarë të thuash më për këtë sistem? Nga t’ia nisësh dhe ku të mbarosh? Autoritarizmi dhe diktatura janë koncepte të përafërta, por jo identike.
Evropa ka shtete autoritariste në gjirin e saj – flitet për Orbanin dhe Ficon, të cilët deri diku ia kanë zbehur imazhin, ndonëse për shkak të gabimeve të vetë Europës. Ka edhe Vuçiçin në prag të derës.
Por shtetet diktatoriale janë jashtë Europës – Rusia dhe Bjellorusia. T’i thuash regjimit të Edi Ramës se “na ke futur në autoritarizëm” nuk është korrekte: i bën një dhuratë përkëdhelëse diktatorit, të cilën ai mund ta shfrytëzojë sipas dëshirës nëpër Europë. Edi Rama është pa shok në kontinent; si ai nuk është as Vuçiçi, as ndonjë tjetër, edhe pse janë të njohur për sjellje autoritariste.

Le t’i referohemi gjykimit ndërkombëtar të OSBE-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe të vazhdojmë më tej.
Paradigma e raportit përfundimtar të OSBE-së mbi zgjedhjet në Shqipëri është e nivelit të diktaturave, pa asnjë ndryshim. Këshilli i Europës, i shqetësuar nga përshkrimi që vëzhguesit ndërkombëtarë i bëjnë realitetit politik në Shqipëri, jep alarmin se duhet të ndahet urgjentisht partia nga shteti. Por partia ka uzurpuar dhe drejton çdo qelizë të shtetit shqiptar, e strukturuar në mënyrë kapilare.
Unë personalisht ndaj këto koncepte për këtë shtet, ashtu si shumica e shqiptarëve, dhe jam plotësisht i bindur se kemi të bëjmë me një regjim që ushtron pushtet në të gjitha hallkat e tij.

Këtu nuk bëhet fjalë për një lapsus të zakonshëm, që mund të ndodhë në kushtet e një beteje të përditshme.
Unë shpreh ndjeshmërinë time personale, se duhet të korrigjojmë diçka, ku edhe gjuha e koncepteve tona duhet të ruajë koherencën.
Kur Mishel Gahler, deputeti gjerman në Parlamentin Europian dhe kryetar i delegacionit të BE-së për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, deklaron se “rotacionin në Shqipëri nuk e lejuan strukturat e krimit”, çfarë duhet të themi ne?
Ta shpjegojmë këtë si disa “sjellje autoritariste”, ndërkohë që vuajmë nga keqqeverisja diktatoriale?!

Edi Rama e ka vizatuar vetë portretin e tij diktatorial dhe e ka vendosur në piedestalin e vetëformuar, aty ku e ka shtyrë deliri i një psikopati hipohondriak me komplekse madhështie.
Nuk besoj se historia e Europës demokratike ka njohur ndonjëherë një “monstër” si ky kryeministër, që lëviz kaq lirshëm nëpër errësirë, duke refuzuar çdo kërkesë të ligjshme për transparencë: për çfarë firmos, pse e bën, ku shkon, nga i gjen paratë, me çfarë fature, etj.
Këto nuk i bëjnë as mbretërit. Ky person nuk gjen kurrë arsye për t’u larguar nga pushteti dhe, siç e ka thënë vetë, “unë largohem vetëm kur të dua unë” – që do të thotë: kurrë.
Ai jeton vetëm me mendësinë e diktaturës.

Për çfarë arsye ta paraqesim ndryshe këtë diktator psikopat hipohondriak, larg piedestalit që i ka ngritur vetes?
Shqetësimi im në këtë shkrim le të merret si një këshillë miqësore për t’i shërbyer më qartë dhe më saktë luftës politike në vazhdim. Edhe vetë përdorimi i termave ka peshën e vet në betejën politike, aq më tepër kur bëhet fjalë për të denoncuar një sistem diktatorial, apo kur je i detyruar të mbrohesh prej tij.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco