I pabesi ka gjithmonë të njëjtin fund, vetminë dhe përçmimin

I pabesi ka gjithmonë të njëjtin fund, vetminë dhe përçmimin

Nga Hysni Gurra - 12/03/2024

Së fundi, po flitet se mes opozitës reale dhe PS kanë nisur negociatat për dhënien fund të krizës parlamentare.

Janë apo s’janë të vërtetë zërat për këto negociata, ka shumë pak rëndësi, pasi detyrimisht edhe nëse nuk kanë filluar do të fillojnë.

Që Sali Berisha është lideri i opozitës, këtë së pari e kanë pranuar ndërkombëtarët, të cilët kanë kohë që e kanë pranuar publikisht dhe jo publikisht këtë fakt.

Të mashtruar nga Rama, apo me vetëdije, edhe kjo ka shumë pak rëndësi, ata kanë abandonuar krejtësisht një person të rremë që u vetëparaqitet, apo ua paraqiti Rama si opozitë.

Në politikë nuk ka kurrë, ‘e dua, se dua dikë’, ka gjithmonë rëndësi pesha që ze ai “dikushi”.

Sali Berisha, duan apo nuk duan Rama dhe ca palo diplomatë, është realitet politik i këtij vendi dhe faktor kyç për stabilitetin politik.

Një person i sulmuar padrejtësisht nga të gjitha anët, me pushtet ekzekutiv, me gjykata, me diplomatë e media, arriti jo vetëm t’i mbijetojë sulmit, por doli shumë më i fortë se çdo herë më parë.

Sot s’ka askush asnjë dyshim që gjithçka, nga non grata, nga grabitja e simboleve të partisë, nga burgosja politike etj ishin një plan i mirëmenduar.

Plan i cili dështoi në mënyrë spektakolare dhe të paimagjinueshme. Dy vite e gjysmë më parë, kur nisi sulmi, askush nuk e parashikonte se do përfundonte kështu.

Edi Rama dhe ndërkombëtarët janë të detyruar të ulen dhe të gjejnë zgjidhje me Berishën, sepse Berisha është i vetmi politikan në këtë vend që ka marrë mbi 500-mijë vota vetëm, është i vetmi politikan që, edhe pse i arrestuar politikisht, mbushi bulevardin tej e tej me njerëz me 20 Shkurt.

Çfarë ka mbetur?

I pabesi ka mbetur vetëm. Ka mbetur i përbuzur. Klith dëshpërimisht herë pas here, ‘jam unë opozita, jam unë…’, por askush s’e kthen kryet më nga ai.

Se fati i të pabesëve është i tillë, dhe sot Basha po përjeton fatin e tij, fatin e një njeriu të gënjeshtërt, fatin e një njeriu të pabesë e të paburrë…dhe ndëshkimi më interesant që u ndodh karaktereve të tilla politike e njerëzore është mungesa e keqardhjes nga të gjithë. Askujt nuk i vjen keq për ta dhe të gjithë u largohen sikur të kenë zgjeben.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco