Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Prapaskenat: 8 orët e Veliajt në SPAK

Berisha i kontestuar, keqkuptuar dhe i sulmuar si sokratian i shekullit XXI

Berisha i kontestuar, keqkuptuar dhe i sulmuar si sokratian i shekullit XXI

Nga Enver Bytyçi - 09/03/2024

Kanë kaluar 60 ditë nga dita kur qytetarët shkojnë çdo mbrëmje pranë pallatit ku banon Sali Berisha. Dhjetwra mijë veta protestuan para pak kohësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe brohoritën emrin e tij! Edhe pse i shpallur non-grata nga sekretari i Shtetit Amerikan, Blinken! Edhe pse është nën arrest shtëpiak dhe person në hetim nga SPAK! Edhe pse i izoluar dhe i anatemuar nga propagandistët e Rilindjes dhe të pushtetit të saj! Edhe pse i refuzuar jo pak nga ndërkombëtarët të tjerë, veç atyre amerikanë për shkak të investimit të madh të Sorosit! Pavarësisht të gjitha këtyre, Sali Berisha nuk ka rënë në kuotat e vlerësimit të publikut, sipas sondazheve të kohëve të fundit!

Nuk ka dhe nuk ka pasur tjetër lider politik në Shqipëri gjatë historisë së shtetit tonë, që të ketë mbajtur mbi supe sulme kaq të ashpra dhe të shumta si Sali Berisha. Dhe nuk ka asnjë lider shqiptar në historinë e këtij shteti, për të cilin të jetë investuar aq shumë, “duke lënë lesht e kokës”, për ta degraduar, linçuar, goditur, poshtëruar dhe nënshtruar, sa Sali Berishën. Nëse dikush nuk do që t’i besojë këto që po shkruaj, të hyjë e të mbyllet në bibliotekën kombëtare së paku për pak muaj dhe të marrë të gjitha gazetat e botuara nga dhjetori i vitit 1990 e këtej, pastaj të marrë guximin dhe t’i përgënjeshtrojë ato. Nuk ka spiun të sigurimit të shtetit dhe të huaj që nuk është investuar kundër Berishës! Kanë bërë dhe bëjnë para e pasuri duke shpifur, trilluar dhe nxit urrejtje kundër tij.

Vetëm se këta do të degradojnë edhe nga xhepat kur të mos jetë më Berisha për t’u marrë me të!

Megjithatë, mbështetja popullore ndaj tij nuk ka rënë. Kjo mbështetje për liderin e demokratëve, Sali Berishën, është lajm i mirë jo vetëm për Doktorin, por edhe për shoqërinë shqiptare. Ka disa arsye për ta thënë këtë:

Së pari, sepse qytetarët shqiptarë nuk janë joshur aq sa mund të mendohej nga propaganda perverse e Rilindjes së Sorosit në Shqipëri. Sepse miliardat e grumbulluara nga rilindasit në bashkëpunim me mafien e korrupsionit e të trafiqeve nuk kanë mundur ta ndryshojnë mendimin dhe besimin e qytetarëve shqiptarë sa i përket të vërtetës për Sali Berishën! Imagjinoni sa para dhe veprimtari investohen për të sulmuar vlerat e shoqërisë shqiptare e megjithatë mijëra e qindra mijë prej shqiptarëve i besojnë vlerave që barten në personin e kreut të opozitës, pavarësisht kritikave që mund të bëhen ndaj tij. Në fund të fundit çdo kush që punon fort, objektivisht edhe gabon shumë. Ata që i besojnë Berishës i njohin shumë mirë gabimet e tij, por ndërkohë vlerësimin dhe gjykimin e bazojnë në metodën krahasuese me rilindasit e sotëm e kundërshtarët e tjerë të tij. Këtu ata nuk gabojnë, kur thonë se Berisha nuk është si ata.

Së dyti, Doktor Sali Berisha është modeli i një prej cilësive më të respektueshme të njerëzimit, dinjitetit njerëzor. Në Deklaratën e Përgjithshme të OKB-së të 10 dhjetorit 1948 dinjiteti njerëzor shpallet si kolona e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Respekti për dinjitetin e njeriut është kërkesa themelore e kësaj deklarate, sepse prej dinjitetit burojnë të gjitha liritë dhe të drejtat e tjera themelore e jo themelore të njeriut. Sali Berisha është tashmë simbol i rezistencës për dinjitet dhe integritet njerëzor. Shqiptarët nga natyra, edhe në kohët që janë udhëhequr nga kanunet e jo nga ligjet e shtetit, drejtësinë e kishin ndërtuar bazuar në dinjitetin njerëzor. Sali Berisha me aktin e tij të rezistencës unike në historinë e politikës shqiptare e jo shqiptare, u jep shqiptarëve shembullin e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor.

Së treti, dinjiteti, integriteti dhe liria kanë si vlerë themelore të vërtetën. Lideri i opozitës, Sali Berisha, edhe kësaj radhe në moshën 80 vjeçare reziston në mbrojtje të së vërtetës. Ai është izoluar pikërisht si ndëshkim për të vërtetat që artikulon. Kur dikush gjen kurajon dhe artikulon të vërtetat e hidhura, ky person gjithmonë vihet nën akuzë. Kështu ka qenë që prej Sokratit të madh e deri në ditët tona. Mijëvjeçarët e shekujt që prej shekullit të pestë para Krishtit, kur jetoi Sokrati, nuk e kanë zbehë hakmarrjen e pushtetit të korruptuar kundër të vërtetës dhe atyre që e artikulojnë atë me guxim. Nëse në kohët tona do të kërkohej një model sokratian, ky është dhe mbetet të jetë Sali Berisha. Natyrisht jo i vetmi, por në Shqipëri nuk besoj se ka tjetër në përmasat e tij.

Së katërti, gjithçka që ndodh për e rreth Sali Berishës, përfshirë dhe mbështetjen e pakursyer të qytetarëve është shpërblim për guximin e tij të pakrahasueshëm. Berisha nuk është nga ata që “kur zihet ngushtë” bën pakt me heshtjen, qoftë dhe përkohësisht. Atij iu bë oferta e kompromisit. I thanë: – Në këmbim të heshtjes do të shijosh të gjitha privilegjet që të takojnë dhe askush nuk do të merret me ju! I thanë “ik nga politika dhe prano koalicionin e qeverisjes Rama-Basha”! I thanë “mbylle dritaren e qytetarit dixhital, se po na prish shumë punë”! I kërkuan kompromisin e të bërit indiferentin në këmbim të lirisë personale. I thanë që të pranonte këmbimin e territoreve të Kosovës me Serbinë, ose shkurt ndarjen e saj. I kërkuan edhe që të mbështeste Ballkanin e Hapur për ta ribërë Serbinë padrone të shteteve të rajonit tonë. Kjo se Vuçiq u kërkoi amerikanëve të Sorosit dominimin e Ballkanit dhe krijimin e botës serbe në këmbim të anëtarësimit në strukturat euro-atlantike.

Por Berisha nuk i pranoi këto. Ai nuk zgjodhi heshtjen e kompromisin e bashkëpunimit me mafien shtetërore! As me mafien ndërkombëtare të kryesuar nga George Soros! Kompromiset që iu kërkuan ishin gjithashtu kundër interesit tonë shtetëror e kombëtar. Prandaj ai vazhdoi të kundërshtojë fort politikat e denigrimit të dinjitetit të shqiptarëve. Tashmë pasojat e këtyre politikave i shohin dhe idiotët deri në atë masë sa të shpopullohet në përmasa dramatike Shqipëria. Sali Berisha nuk u tremb, edhe pse ata që e kërcënuan kishin fuqi planetare dhe udhëhiqen nga ideologjia Soros për zhbërjen e kombeve! Lideri i demokratëve besoi te qytetarët shqiptarë se një ditë ata do ta kuptojnë. Edhe Sokratin nuk e patën kuptuar para 2500 vitesh. Madje dënimi i tij me vdekje u hoq vetëm para një dekade nga Gjykata e Lartë e Republikës së Greqisë. I moskuptuari dhe i kontestuari i madh Sali Berisha në këtë kuptim është dhe do të mbetet një sokratian i kohëve moderne të shekullit XXI.

© SYRI.net

Lexo edhe

Komentet

Shto koment

Denonco